Në Washington, në Katedralen Kombëtare, në njërën nga kolonat gjigante të saj, në Këndin e të Drejtave të Njeriut në tetor të vitit 2012 është skalitur portreti i Nënë Terezës. Nënë Tereza sa ishte gjallë, por edhe tani pas vdekjes vazhdon të vlerësohet si një ndër figurat qendrore të shekullit.
Në sondazhet e ndryshme të bëra me publikun konsiderohet si personaliteti më i admiruar në gjithë Amerikën. Kjo i bën krenarë, sidomos shqiptaro-amerikanët e të gjitha bindjeve fetare, që mezi presin të shpjegojnë prejardhjen kombëtare të Nënë Terezës nga prindërit e saj kosovarë.
Nënë Tereza është nderuar me pritje në Shtëpinë e Bardhë nga disa presidentë amerikanë. Më 1985-ën, presidenti Ronald Reagan e nderoi me Medaljen Presidenciale të Lirisë.
Nënë Tereza është ndër personalitetet e rralla, të cilës më 1996-ën, nga presidenti Bill Clinton iu dha titulli Qytetar Nderi i Amerikës, që është në mesin e vetëm shtatë personaliteteve botërore që gjatë historisë i ka nderuar Amerika me këtë titull, raporton "rtk".
Kongresi Amerikan, më 1997-ën, e nderoi nobelisten shqiptare me “Medaljen e Artë” të Kongresit, ndërsa Posta Amerikane, më 2010-ën nxori pullë postale me portretin e Nënë Terezës. Portrete të Nënë Terezës ka gjithandej në Amerikë, në institucione fetare, në koleksione private dhe në hapësira publike, para të cilëve përkulen edhe nderojnë miliona njerëz.
Veprimtari i bashkësisë shqiptaro-amerikane, afaristi i suksesshëm Lekë Gojcaj, për afro dy dekada ka kontribuar në përjetësimin e figurës së Nënë Terezës, duke i vendosur shtatoret e saj në sheshin me të njëjtin emër në Prishtinë, pastaj në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në SHBA.
Familja Gojçaj prej disa vjetësh po bëjnë përpjekje që të vendosin shtatoren e Nënë Terezës edhe në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, mirëpo organizata botërore nuk pranon dhurata nga individë, por nga shtete anëtare, prandaj ata janë në pritje të ‘sponsorizimit’ nga ana e një shteti