Në rastin e një emocioni negativ, ai zhvillohet dhe shkon para, kurse vetëdija e njeriut aktivizon mendimin për të hequr mendjen nga shqetësimi, d.m.th. për të shkëputur vetveten nga negativiteti emotiv.
Një nga arsyet që e bëjnë vesin e pirjes së duhanit të rrënjoset thellë në jetën tonë, lidhet me faktin që, ai duket si një mjet që prapëson ose largon shqetësimin, mërzitjen, ankthin apo brengën, kur stresohemi. Ky efekt lirimi dhe lehtësimi që shkaktohet nga nikotina e duhanit, ndihmon qetësimin dhe çlodhjen e njeriut. Kjo “mirësi” e duhanit është si maja e një ajsbergu.
Dihet se, nuk është e vështirë të mësosh si pihet alkooli, kafeja, apo likeri, që zmadhojnë “lezetin” e cigares. Pirja e cigares shpie te pirja e alkoolit, ashtu si edhe pirja e alkoolit shpie te pirja e cigares. Në këto kushte mund të thuhet se, “zakonet e pashëndetshme i shtojnë edhe më shumë veset e pashëndetshme”.
Ndërkohë, e vërtetë është edhe e kundërta e këtij “ekuacioni”. Kjo do të thotë se, nëse dikush i largon veset dëmtuese të shëndetit, ai hap rrugën e mbarë për rikthimin e shëndetit.
Largimi nga duhanpirja dhe nga dëmtimi i shëndetit, arrihet në rastin kur duhanpirësi vendos dhe “shkelmon” një herë e mirë vesin e pirjes së duhanit. Cilido që kundërshton arritjen e këtij objektivi, praktikisht ndihmon përkeqësimin e mëtejshëm të shëndetit të tij.
Një duhanpirëse kronike (që e pinte atë 25 vjet me radhë), mundi përfundimisht ta linte duhanin. Më pas, edhe pse nuk kishte pirë duhan prej 20 vjetësh, tek ajo u shfaqën çrregullime të rënda në prodhimin e insulinës (hormoni që lidhet me diabetin).
Meqenëse pirja e duhanit i shkakton dëme të rënda shëndetit të vetë duhanpirësit, por edhe shëndetit të të dashurve të tij, zgjidhja më e mirë për një përdorues duhani, mbetet lënia menjëherë e pirjes së tij. Është mirë të thuhet hapur se: “duke mos bërë asgjë për lënien reale të pirjes së duhanit, është njësoj sikur të mos bësh asgjë për të ulur rrezikun e zhvillimit të kancerit te vetvetja”.
Një metodë me efekt të menjëhershëm në ndalimin e pirjes së duhanit, është shfaqur e ashtuquajtura “Teknologjia e lirisë së emocioneve” , e cila përdoret gjerësisht në shumë klinika të Europës, SHBA-së etj. Për pak minuta deri për pak orë, ajo mund të largojë nga pacienti ose jeta e tij, jo vetëm vesin e duhanpirjes, por edhe dhjetëra e qindra emocione negative të tjera.
Teknologjia e Lirisë së Emocioneve ose shkurt TLE-ja, është një tërësi veprimesh metodike, që mund të mësohen dhe aplikohen lehtë nga shumica e pacientëve. I gjithë procesi i shërimit zhvillohet natyralisht, gjatë kohës që vetë pacienti zbaton metodikën e teknologjisë në fjalë. Veprimet metodike të kësaj teknologjie, konsistojnë kryesisht në goditjen me gishtat e dorës, të disa pikave strategjike të trupit, disa prej të cilave duken edhe në kapakun e botimit “Si të vetëshërohemi nga emocionet negative”, që autori i këtyre rreshtave ka hedhur në qarkullim.
Kësisoj, jemi para një strategjie të re, që kur njeriut i ndodh një emocion negativ, në vend që të ndezë një apo disa cigare, ai godet në mënyrë metodike pikat “nervore” të trupit të tij dhe emocioni negativ zhduket menjëherë. Një veçori e madhe e teknologjisë në fjalë është fakti se, ajo realizon një efekt të qëndrueshëm, që do të thotë se, ndjenja negative ikën për të mos u kthyer sërish.
Metoda përqendrohet te prishja e dëshirës së madhe trupore për nikotinën e duhanit, që pacienti kishte ose shijonte më parë. Për efektin e sigurt të kësaj teknologjie, zakonisht befasohen të gjithë, ku përfshihen edhe vetë themeluesit e saj.
Pjesa më e madhe e pasioneve dhe ndjenjave që shqetësojnë dhe mërzitin njerëzit, në thelb janë emocione. Emocioni ka reaksionet e tij fizike dhe kimike, të cilat i kundërvihen fuqisë së vullnetit të njeriut. Një emocion negativ, zakonisht është mjaft rezistent, por ajo rezistencë thyhet menjëherë pas trokitjes metodike në pikat strategjike.
Secili ka arsyet e tij për atë që bën, për atë që pi ose që konsumon. Kjo përcaktohet nga zakonet dhe emocionet e tij. Emocionet negative fiksohen dhe kyçen në trurin e individit, ndërkohë që trupi i tij orvatet të mbrojë dhe forcojë vetveten në disa shkallë të mundshme.
Para zbatimit të TLE-së për ndalimin e duhanpirjes, duhet realizuar vendimmarrja “trunore”. Në dobi të kësaj vendimmarrjeje, mund të shtrohen para vetes, pyetjet që vijojnë:
- Sa kv duhan ose cigare ju digjni çdo vit?
- A mendoni se oxhaku i tymit që lidhet me mushkërinë tuaj e “përkëdhel” apo e minon shëndetin tuaj?
- A ndieni herë pas here përzierje (paralajmërime vjelljeje), vështirësi frymëmarrjeje, dhimbje koke etj.?
- A ndodh kalimi pasiv i helmit, nga cigarja e ndezur te djali ose vajza juaj, vëllai apo motra ose te të gjithë të dashurit e tjerë dhe a dëmtohet shëndeti i tyre nga ky kalim pasiv?
- A mbajnë erën e keqe të duhanit, veshjet, flokët, shtëpia dhe makina juaj?
- A të ngacmon ndopak ideja se duhani që pini, është duke të vrarë ty, ngadalë-ngadalë?
Nëse personi duhanpirës ofron përgjigje pohuese, qoftë dhe për një nga pyetjet në fjalë, atëherë kjo është një gjë e mirë për atë.
Pas kësaj përgatitjeje psikologjike, duhanpirësi duhet të bëjë realitet vendimin e guximshëm, për të ndalur menjëherë pirjen e duhanit. Përgatitja psikologjike ndihmon që duhanpirësi të injorojë plotësisht frikën ndaj efekteve të paslënies së duhanit, të tillë si: malli për shijen e duhanit dhe veçimi nga rrethi shoqëror e familjar, apo sikurse mund të quhet ndryshe “mbyllja në vetvete”.
Personi duhanpirës nuk duhet të trembet nga ndalimi i pirjes së duhanit, për shkak të disa miteve që dëgjohen lart e poshtë, për mospirjen e duhanit, të cilët janë tërësisht të pavërteta. Disa nga këto mite ose “thashetheme” janë:
- Mosfunksioni i mirë i mushkërisë ka nevojë për ndihmën e nikotinës së duhanit, ashtu si mosfunksioni i mirë seksual ka nevojë për ndihmën e medikamentit “Viagra”.
- Heqja dorë nga duhani, është veprim i vështirë deri i pamundur.
- Unë jam duhanpirës prej një kohe të gjatë, rrjedhimisht unë nuk mund ta ndaloj tani atë.
- Nëse unë ndaloj duhanin, nuk di se çfarë lloj pune tjetër mund të bëj me duart e mia.
- Nëse unë ndaloj duhanin, nuk di si të qetësohem dhe lehtësohem.
- Nëse ndaloj duhanin, unë do të kem më shumë shpenzime.
- Nëse ndaloj duhanin, unë do të shtoj shumë në peshën e trupit etj., etj.
Teknologjia në fjalë ndihmon secilin të çlirohet dhe të shpëtojë plotësisht prej helmeve të duhanit, pa ndonjë përpjekje të veçantë nga ana e tij. Zgjidhja është absolutisht pa ndonjë lloj problemi, pas ndalimit të pirjes së duhanit.
Me ndihmën e TLE-së, pirja e duhanit mund të ndalohet pa asnjë merak, pa asnjë vuajtje dhe pa ndonjë tronditje. Ajo mundëson besim dhe siguri për ndalimin e duhanpirjes në një mënyrë shumë të lehtë.
Me TLE-në nuk ndien kurrë mall dhe dëshirë për të përdorur sërish duhanin. Kjo është krejt ndryshe nga ajo që ndodh tek ata që duhanpirjen e ndalin të bazuar vetëm te vullneti, të cilëve u mbetet mendja te duhani, për muaj dhe muaj me radhë.
Të gjitha këto mbase tingëllojnë si të pabesueshme, por fakti është se, mijëra e mijëra klientë, kërkojnë çdo ditë ndihmë në klinikat e TLE-së për të lënë duhanin në mënyrë të lehtë, pa asnjë sforcim.
Pasi realizohet “braktisja e duhanit”, organizmi mbetet i prirur të ndiejë dëshirën e pirjes së duhanit ose ta kërkojë atë. Kjo lloj prirjeje, ka rrezik të nxisë thyerjen e vullnetit të personit (rifillimin e duhanpirjes) ose të nxisë tek ai zgjidhjen e një “kamxhiku” tjetër kundër shëndetit, sikundër është fillimi i konsumit të madh të ushqimit dhe mbipesha. Lidhur me këtë thuhet se, TLE-ja jep besim dhe siguri për atë që, tek ish-duhanpirësi nuk mund të ketë oreks të tepruar dhe mbipeshë trupore.
Trajtimi me TLE-në ndihmon njerëzit të mposhtin dhe fitojnë ndaj çdo lloj pasionimi, drogimi, vesi të keq, stresi emocional, stresi fizik etj., etj. Njerëzit me diagnoza të tilla dhe që përdorin TLE-në i “heqin qafe” përgjithmonë të gjitha diagnozat në fjalë, përfshi edhe vesin e duhanpirjes.
TLE-ja i jep forca të shumta vullnetit të njeriut, që të mposhtet dëshira e mbylljes së vetvete, që zhvillohet pas lënies së duhanpirjes.
Kjo metodë bazohet në veprimet natyrale dhe ndalon menjëherë pasionin tuaj pas lënies së duhanit. TLE-ja e ndihmon ish-duhanpirësin të këpusë, copëtojë dhe tejkalojë “urinë kimike” të trupit të tij ndaj nikotinës.
Kushdo që aplikon TLE-në mbetet i befasuar me faktin që, sa e lehtë është lënia e cigares me anën e TLE-së. Rezultatet janë të menjëhershme, afatgjata ose përfundimtare.
Në vijim, secili ish-duhanpirës habitet ose mahnitet se, sa mirë kalon dita pa seancat e “cigarendezjes dhe cigarethithjes”.
Kushdo shikon shumë shpejt faktin se: “mbahet mirë pa cigare”, si dhe “cilësia e jetës përmirësohet vrullshëm”.
Aktualisht, TLE-ja është shëruesja natyrale më e mirë që njohim, në drejtim të luftës kundër emocioneve negative, apo veseve negative.