Dick Marty kishte ditë që kish shpallur misionin e tij. Në Maqedoni, ku e dëgjova fillimisht ardhjen dhe itinerarin e tij ballkanik, spikeri foli shkurt dhe në morinë e gjërave të pakta që ndodhnin në gusht 2009, ai dukej se përbënte një nga lajmet “e zakonshme”. Spikeri vazhdoi me lajmet e tjera, ku spikaste një situatë turistike, probleme pastrimi në qytetet dhe ardhja e vizitorëve të shumtë të huaj në Ohër dhe në Strugë. Pak ditë më parë, në Tiranë një telefonatë nga një institucion ndërkombëtar më kish bërë të qartë nëse isha i gatshëm për një intervistë...
Udha e zotit Marty kish nisur nga Beogradi dhe nga zvargia e zërit të gazetarit, lexuesit i dukej si një nga aktivitetet e zakonshme të strukturave evropiane. Në fakt, i vetmi lajm që lidhej edhe me vendin tonë, më mbeti gjatë në mendje. Një telefon i pak ditëve më parë, pastaj insistimi i një kolegu serb, që kërkonte sërish evidenca për “Shtëpinë e Verdhë” të pretendimeve të Del Pontes, më dukej lodhës. Deri më atëherë kisha shkuar tre herë në shtëpinë në fjalë dhe në një nga vajtjet me gazetarët serbë të televizionit më të madh të tyre privat B-92, kishim pasur shumë probleme me të zotin e shtëpisë Abdullah Katuçi, që nuk mund të pranonte më të huaj në shtëpinë e tij dhe ca më shumë serbë... Edhe pse kishim një leje nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare.
Në lajmet e darkës, lajmi u përsërit dhe Dick Marty zinte vend më shumë. Nuk kishte më mëdyshje. Me sa duket filloi historia. Sërish. Dhe, e njëjta gjë. Dokumentari i dhënë nga televizioni serb kish përdorur shumë imazhe dhe një intervistë personale, por edhe disa prononcime të publicistëve shqiptarë. Pothuaj e kisha harruar ose më mirë doja. “Duhet me pas kujdes,- më kish thënë pak kohë më parë Migjen Kelmendi në një bisedë në Prishtinë- dhe këtë ia kam thënë dhe shefit të B-92. Po i shfrytëzojnë keq gjërat, gazetarët e tij“. Pak ditë më vonë, atë që kishim parashikuar instinktivisht ndodhi.
Dick Marty, në udhën e tij, kish lajmëruar edhe stacionin e ri të investigimit të tij në Shqipëri për të hetuar trafikun e organeve, problem i dalë pas kujtimeve të Znj. Del Ponte. Mediat kosovare, ndërkohë, s’kishin pritur. Ato e kishin akuzuar senatorin Marty se ishte një hetues i njëanshëm dhe thelbi i punës së senatorit do ishte: Të hidhte baltë mbi Kosovën. Prova ishte e saktë. Tre ditë pas shpalljes së pavarësisë, tek “Tages – Anzeiger” Marty ishte shprehur se UÇK-ja ishte bashkëfajtore për luftën e vitit 1998-‘99. Në të njëjtën intervistë, ai do të pohonte se Kosova ishte qendra kryesore e trafikimit të njerëzve, drogës dhe armëve dhe se ishte i bindur se të gjithë prokurorët në Evropë që ndjekin ndonjë rast kriminal, rruga i çonte në Kosovë.
Takimi
Ashtu si ishte shpallur vërtetë, senatori Marty, mbajtës i çmimeve dhe i njohur për investigimin e famshëm në lidhje me burgjet amerikane në Evropë, do të kryesonte dhe do të hetonte mbi akuzat e ngritura nga Beogradi, sipas të cilit shqiptarë kishin rrëmbyer pjesëtarë të komunitetit serb gjatë luftës, më së shumti dhe pastaj më pas edhe i kishin trafikuar organet e tyre. Vetë serbët me gjithë përpjekjet e tyre dhe me përfshirjen e gjithë aktorëve politikë e të drejtësisë s’ia kishin dalë dot deri më atëherë me palën shqiptare. Deri diku kishte bërë punë pjesa mediatike serbe, por ajo s’mund të provonte përveçse të tregonte të gjithë historinë. Në Tiranë, pasi ishim kthyer nga Burreli, ekipi serb, filloi të mos tregonte më burimet e tjera.
Ikën në Durrës dhe diku tjetër, por pa më thënë më asgjë. Ishte një konspiracion brenda konspiracionit. Gazetarët serbë pretendonin se kishin njoftime të sakta dhe madje disa falë shërbimeve të tyre sekrete BIA-s (Ish-UDB), nga ku kishin marrë me sa duket evidencat kryesore për këtë dokumentar, pasi u kishin bërë një kërkesë zyrtare. Vetë, Marty-t, pak muaj më vonë, i duhej ta provonte në praktikë të gjithë këtë, në të njëjtën hulli. Një telefon i një bashkëpunëtori të tij dhe pastaj me një e-mail kishim fiksuar takimin. Thjesht duhej edhe njëherë konfirmimi dhe falënderimi pastaj për ftesën.
Po atë ditë, Marty në axhendën e tij kish takime me qeveritarë shqiptarë dhe sidomos me kryeprokuroren Ina Rama, me të cilën pritej që të bisedonte me detaje për hetimin në fjalë. Në njërën prej ditëve, njëri prej asistentëve të tij, më ishte drejtuar sërish me e-mail, për të precizuar takimin por tashmë bashkë me një gazetar tjetër të njohur të medias së huaj, njësoj i angazhuar në pasqyrimin e lajmeve në lidhje me trafikun. Takimet ishin lënë në fund. Ishte drekë dhe në një orë të caktuar, pas kolegut tim do të ishte radha ime. I ekspozuar tejet nga dokumentari i B-92 dhe nga reportazhi i parë me MAPO-n, po prisja të diskutonim. Ishte takimi i fundit i ditës dhe pothuaj në fund të misionit të tij. Dick Marty dhe njësiti i tij ishin të mirinformuar për gjithçka, që u interesonte dhe që kish lidhje me Shqipërinë dhe kuptohet, në rastin në fjalë, të trafikimit të organeve.
Përshtypja e parë ishte se pas pyetjeve, ai filoi të bëhej palë dhe, më shumë sesa një seancë pyetje-përgjigje, ishte një diskutim i hapur. Marty më përsëriti sërish disa nga evidencat që serbët kishin për bazat e trafikimit të Shqipërisë në Verilindje; sesi kalohej në Shqipëri, sipas tij; Shtëpinë e Verdhë dhe gjëra të tjera dhe fare afër Tiranës. Diskutimi u bë më shumë për Shtëpinë e Verdhë dhe të gjitha pyetjet mbetën te konfuzioni i banorëve për varrezat e fshatit në Burrel. E çuditshme ishte se shpesh ato që dija për Shtëpinë plotësoheshin me njoftime të tjera, ku në to banorët e shtëpisë dukeshin disi të ngatërruar.
Marty ishte fare i qetë dhe shumë i shpenguar. Shpesh dukej sikur nuk ishte fare aty, ndërsa bashkëpunëtorët e tij shumë më të kujdesshëm në pyetje. Përveç shënimeve të kujdesshme, dukej se përshtypja tjetër ishte që Marty dhe njerëzit e tij kishin shumë më tepër kujdes për evidencat në argumentin e tyre. U fol për varrezat e fshatit dhe si ishte e pamundur që të identifikohej nga banorët; u fol sërish për shtëpinë; për të gjitha evidencat e thëna; dhe për dy personazhet misteriozë që kishin qenë në shtëpi, muaj para se të dilte historia. Në shumë momente kontrollonim njohuritë e njëri-tjetrit, por Marty dukej i mirinformuar për gjërat dhe pothuaj i qartë se e kishte një mendim paraprak për hetimin e tij.
Ashtu si në Tiranë, me gazetarët serbë, mësova se Marty-t gjatë qëndrimit të tij në Beograd, autoritetet serbe i kanë thënë se kanë prova për të paktën dhjetë raste të tilla, por që dyshohej për shumë më tepër. Mbaj mend se i kujtova në atë kohë, kur flitej për ngjarjet (viti 1999) ishte ende e vështirë të bëje transplantim në Shqipëri në kushte serioze dhe jo në kushtet ku ndodhej Shtëpia e Verdhë. Ma përsëriti se mundej dhe pastaj folëm sërish për provat dhe heshtjen e jusifikuar të banorëve, por edhe arsyen sepse kalimi i kohës i kish bërë aq shumë agresivë ndaj të huajve.
Ajo që i interesonte ishte situata e Shqipërisë përpara kësaj periudhe dhe evidencat e para nga media. Aq vite më vonë, sa zhvillohen ngjarjet, i pohova - pothuaj s’ka mbetur asgjë që mund të provohet. Ata ishin të sigurt se gjetjet e ekipit të Hagës, që kish ardhur një ditë papritur, kishin konkluduar vërtetë në evidenca, që e bënin fajtore palën shqiptare. Ngrita supet. Pala e Marty ishte e kujdesshme që të dëgjonte dhe madje pas lodhjes së ditës, sugjeroi se mund të ishin të hapur për bashkëpunim. Personalisht m’u duk serioze dhe një përpjekje e mirë për të hetuar një të vërtetë, për të cilën dhe pala shqiptare mendoja se duhej të ishte e interesuar. Por, nga shqiptarët burime të ndryshme s’kishin pranuar.
Gazetarët serbë, për të cilët ata kishin dijeni, kishin punuar deri nëpër banka, për të gjetur mbetjet e “Dardanisë” dhe një numër llogarie atje, por asgjë. Heshtje. Ashtu, si shumë doktorë të kontaktuar mohuan kategorikisht se në Shqipëri mund të bëhej ky operacion. Në bisedë u fol edhe për kohën e luftës dhe gjëra të tjera, që lidheshin me trafikimet... . Patjetër, aq më shumë që ai e dinte se në kohën e luftës nuk mund të thuhet se kufiri mes tre vendeve ruhej në kushte optimale. Ai më përsëriti dhe njëherë pretendimet e serbëve për linjën e kalimit të robërve nga ana e Tropojës. Nuk mund të them dot gjëra me saktësi,i pohova-pse gjithçka ka qenë e shkatërruar në luftë dhe tre vendet e kishin të pamundur të kontrollonin kufijtë mes tyre.
Si për ironi, pak orë më parë, Tirana zyrtare i ka komunikuar të dërguarit e Këshillit të Evropës, Dick Marty se nuk mund të hetohet në Shqipëri mbi akuzat e Karla del Pontes.“Të drejtën për të hetuar në territorin e Shqipërisë e ka vetëm Prokuroria shqiptare”, mësohet t’i ketë thënë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, senatorit zviceran që kryeson grupin e hetimit në emër të Këshillit të Europës, në takimin e zhvilluar në Tiranë. “Unë refuzoj të besoj se këto janë të vërteta, por do të na pëlqente që kjo çështje të hetohej”, i ka thënë Marty ministrit shqiptar të Drejtësisë. Të gjithë burrat e pranishëm ishin të shqetësuar për mungesën e bashkëpunimit me palën shqiptare dhe këtë e shprehën dhe në takim, ndërsa Marty do mëtonte se kish dhe shumë gjëra të tjera, ndërsa evidencat për shtëpinë dhe varrezat mbetën gjatë në diskutim.
-Në kohë lufte të gjitha hamendësimet munden…, -i thashë, -por nëse s’ka evidenca të skta si mundesh të hetohesh?!
-Për të gjitha ka, -m’u përgjigj.
Gati 2 orë e gjysmë apo pak më shumë, problemi s’ishte më aq i thjeshtë…
…
Më dhjetor të vitit 2010, e gjithë kjo siguri dukej e shkrirë tek raporti voluminoz i Dick Marty-t që u bë publik dhe gishti i fajtorit u drejtua drejt Hashim Thaçit dhe luftëtarëve të UÇK-së. Marty, me gjithë mend, me evidencat e raportit të tij tashmë duhej që të quhej i frikshëm.
Akuzat e Dik Marti
“...Bazuar në një supozim, nënkuptohet se në njërën anë ata ishin viktima dhe nga ana tjetër autorë të krimit. Siç do ta shohim, realiteti duket se ka qenë më kompleks”, shkruan Marty në raportin e tij.
“Struktura e shoqërisë shqiptare të Kosovës, që ende shumë është e organizuar në klane dhe mungesa e një shoqërie të vërtetë civile kanë bërë shumë të vështirë për të vendosur kontakte me burimet lokale”, arsyetohet ai.
“Kjo është e përbërë nga frika shpesh deri në pikën e terrorit të vërtetë, të cilat ne kemi vërejtur në disa nga informatorët tanë menjëherë pas vendosjes së hetimit tonë”, shkruan më tej në dokumentin që do të prezantohet të enjten zyrtarisht.
Në pikën katërt të raportit paralajmërohet se hetimi për këtë çështje ka të bëjë kryesisht me verën e vitit 1999, kur tërë rajoni ishte në konfuzion të madh dhe aty tregohet për kthimin e refugjatëve në Kosovë, hyrjen e KFOR-it, shndërrimin e serbëve në refugjatë dhe në përgjithësi kaosit që ishte në atë kohë.
Sipas raportit, kjo kohë kaosi i kishte mundësuar UÇK-së të kishte nën kontroll shumë pjesë të vendit, përfshirë edhe vija kufitare.
Në pikën pesë shkruan se gjatë kësaj faze, UÇK-ja ka pasur kontroll edhe vijën kufitare Kosovës-Shqipëri. Madje, Marty përmend edhe veten si dëshmitar kur në vitin 1999, si anëtar i Parlamentit të Zvicrës, ka parë hyrjen e lehtë të refugjatëve nga njëra anë në tjetrën dhe me këtë rast, ai pretendon se edhe pjesëtarët e UÇK-së kanë mundur ta bëjnë këtë.
Aty përmendet edhe rasti i Nazim Bllacës, personi që doli publikisht dhe pranoi se çfarë krimesh ka bërë dhe, sipas raportit, procedimi i këtij rasti do të jetë test shumë i rëndësishëm për të parë nëse ky mision do të përmbush drejtësinë.
Në pikën 57 nis të përmenden rajone dhe emra të personave që sipas raportit, janë të përfshirë në këtë rast.
“Ky grup i personaliteteve të shquara të UÇK-së të vetëquajtur si Grupi i Drenicës, kishin lidhje me Luginën e Drenicës në Kosovë, që tradicionalisht njihet si zemra e rezistencës shqiptare ndaj shtypjes serbe nën Milloshevicin dhe vendlindja e UÇK-së”, shkruan më tej në dokument.
Në pikën 58, thuhet se “ne kemi gjetur se Grupi i Drenicës e kishte si shefin e tij, ose, për të përdorur terminologjinë e rrjeteve të krimit të organizuar, bosin e saj të njohur politik dhe ndoshta më të njohurin ndërkombëtarisht nga personalitetet e UÇK-së, Hashim Thaçi”.
Fakte
Vendet në Shqipëri ku përmenden në raport janë se ka dyshime se është bërë trafikimi i organeve janë: Cahan, Kuk, Bicaj (afër), Burrelit, Rripe (fshat në jugperëndim të Burrelit dhe në rrethin e Matit), Durrës, dhe Fushë-Krujë.
103. Gjatë kohës së luftës edhe mjekët kanë pasur lëvizje masive me refugjatët në Shqipëri dhe UÇK-ja thuhet se ka zbatuar një politikë, sipas të cilës të gjithë personave të dyshuar, sidomos ata të cilët ishin të dyshuar se kanë qenë bashkëpunëtorë, duhej t’u nënshtroheshin marrjes në pyetje.
104. Na u tha se kjo politikë ishte përkrahur në mënyrë aktive në territorin e Shqipërisë nga elemente të fuqishme brenda aparatit të inteligjencës shqiptare kombëtare, duke përfshirë SHIK’un (tani SHISH) dhe zbulimin ushtarak, disa nga anëtarët e të cilave edhe morën pjesë në pyetjen e robërve të mbajtur në kampet e burgimit të UÇK’së . Megjithatë, forca lëvizëse prapa politikës ishte Kadri Veseli (alias Luli), një pjesëtar i Grupit të Drenicës.
113. Komandantët e UÇK-së të akuzuar se kanë qenë të përfshirë në këto vende janë Sabit Geci, Riza Alija (alias Komandant Hoxha), dhe Xhemshit Krasniqi. Të tre burrat kanë paditë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe duhet së shpejti të dalin në gjyq në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës dhe pronat e tyre kanë qenë gjerësisht të kontrolluara.
114. Dëshmitë e mbledhura në rrjedhën e këtyre proceseve duket se tregojnë se këta operativë të UÇK’së së bashku me Komandantin Rajonal të tyre për Veriun e Shqipërisë, tani i vdekur, Xheladin Gashi ishte në linjë me Grupin e Drenicës, nën drejtimin e Hashim Thaçi dhe ishin duke vepruar në bashkëpunim, ndër të tjerë edhe me Kadri Veselin.