Tirana ka konfirmuar dje rinovimin me një tjetër element të rëndësishëm të formacionit të saj, mbrojtësin e majtë Erion Hoxhallari.
Futbollisti pogradecar i cili është pjesë edhe e kombëtares shqiptare U-21, kishte arritur akordin prej kohësh me klubin, por dje ka hedhur dje firmën në marrëveshjen e re dyvjeçare me bardheblutë.
"Erion Hoxhallari ka firmosur sot në ambientet e klubit kontratën e re që e bën zyrtarisht pjesë të Tiranës edhe për dy sezone të tjera. Mbrojtësi 20-vjeçar ka nënshkruar një marrëveshje të re dhe më pas është prezantuar në ambientet e stadiumit "Selman Stermasi" me shallin bardheblu në duar.
Hoxhallari është produkt i Tiranës dhe prej pesë vitesh ai është afruar në skuadrën e parë. Mbrojtësi i majtë është një nga investimet më të vlefshme që klubi ka bërë, duke i dhënë hapësira aktivizimi që në moshë të vogël.
Kontrata e re e bën Hoxhallarin pjesë të Tiranës edhe për dy sezonet e ardhshme. Ai mund të luajë jo vetëm në linjën e majtë të mbrojtjes por edhe në pozicione të tjera në repartin difensiv. KF Tirana i uron suksese mbrojtësit në dy vitet e ardhshme bardheblu", shkruhej në njoftimin e Tiranës.