Nje udhetim ne jeten e Nene Terezes ne Galerine e Arteve

Nje udhetim ne jeten e Nene Terezes ne Galerine e Arteve
Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza”, pas një rrugëtimi në shumë vende të botës, sjell në përvjetorin e 9-të të lumturimit të saj, ekspozitën “Nënë Tereza. Vajza me emrin Gonxhe”.

Ekspozita u çel pasditen e sotme në Galerinë Kombëtare të Arteve me qëllim promovimin e vlerave si, dinjiteti njerëzor, liria, barazia dhe solidariteti të cilat Nënë Tereza i përfaqësoi më së miri. Ekspozita paraqet objekte, fotografi, dorëshkrime e filmime të cilat tregojnë jetën e Nënë Terezës që nga fëmijëria, prejardhjen e saj shqiptare, deri tek misioni i saj në Indi dhe në mbarë botën.

Themeluesja e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”, Liri Berisha, në çeljen e kësaj ekpsozite, u shpreh se ekspozita vlerën më të madhe e ka jo vetëm në përkujtimin e saj, por në mesazhet që ajo përçoi gjatë një jete dhe që janë të dobishme dhe të domosdoshme gjithmonë e më shumë në shoqëri.

“Është vepra e saj që më frymëzon çdo ditë të punës sime për të ndihmuar fëmijët e këdo që ka nevojë për përkrahje, këdo që ka nevojë për dashuri. Nuk ka gëzim më të madh se kur sheh se dashuria që ti fal qetëson shpirtra të trazuar”, tha znj. Berisha.
Sipas saj, pasi të kemi parë këtë ekspozitë do të ndihemi më mirë dhe do të mendojnë si Nënë Tereza, do të duam si ajo dhe do të shpresojmë si ajo. “Nënë Tereza me veprën e saj na mëson se çdokush ka diçka e ka mundësi të ndihmojë dikë, le ta bëjmë! Le të vazhdojmë veprën e saj duke ndihmuar dikë, le të vazhdojmë veprën e saj duke falur dashuri”, tha Liri Berisha.

Ekspozita është një udhëtim në jetën e Nënë Terezës nëpërmjet objekteve që i përkisnin familjes, veshjeve, bizhuterive dhe orendive nga vendi i origjinës së Nënë Terezës, fshati Novoselë. “Nënë Tereza. Vajza me emrin Gonxhe” pasqyron gjithashtu edhe botën shpirtërore të Nënë Terezës përmes shkrimeve që ajo i ka konceptuar gjithë jetën e saj në shërbim të të varfërve, të fëmijëve të sëmurë.

Në këtë ekspozitë që do të qëndrojë në GKA deri në datën 28 tetor, paraqitet edhe projekti për Memorialin e Nënë Terezës, i cili do të jetë jo vetëm shtëpia e vlerave të saj, por edhe shtëpia e vlerave të të gjithë kombit shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama