A mund ta përshtatim biologjinë tonë me mënyrën e jetesës të mijëvjeçarit të tretë? Një raport i rëndësishëm, dhënë pak ditë më parë nga 250 shkencëtarë të një organizate angleze ("Tackling Obesities: Future Choices"), tregon se epidemia e obezitetit që ka përshirë sot, mbi të gjithë Perëndimin, shkaktohet nga mënyra e jetesës që bëjnë njerëzit, pra me shumë ushqim dhe pak kalori të shpenzuara. Por si individ, biologjikisht, njeriu është krijuar në një mënyrë të atillë që të ketë një jetë të vështirë si në periudhën e paleolitit. Pra nuk është e çuditshme të pyesësh nëse është e mundur të marrësh një "trup të evoluar" për të luftuar fatkeqësinë dhe urinë dhe ta rimodelosh atë që të jetojë jetën tonë pa pasur frikë se mund të shëndoshemi. Është vërtetë e çuditshme apo jo? Nuk është aspak çudi, por një projekt i ligjshëm shkencor. Në pamje të parë duket si një ide e thjeshtë: të programosh metabolizmin menjëherë pas lindjes, për të ndaluar efektet e bollëkut të ushqimit dhe kalorive, pra duke i transformuar të gjithë të sapolindurit në krijesa që mund të hanë çdo lloj ushqimi pa u shëndoshur një gram. Përgjegjësi i studimit mbi metabolizmin e njeriut në Universitetin e Bukingamit pohon: "Formula për një linjë të përsosur e për t‘u pasur zili mund të jetë thjesht një qumësht artificial i pasuruar me leptinë". Hormoni, i zbuluar në vitet 1990, gjendet në qelizat tona dhjamore, të cilat ndihmojnë në rregullimin e ushqimit duke i treguar hipotalamusit se kemi ngrënë mjaftueshëm, gjëndra që përfaqëson qendrën e ngopjes në tru. Deri tani tentativat për të përdorur leptinën si një ilaç dobësimi kanë dështuar. Duket se kjo masë leptine ekziston në sasi më të madhe se mesatarja tek individët obezë, meqenëse hormoni gjendet në trupat e shëndoshë, por që nuk janë në gjendje ta përdorin në mënyrë të përshtatshme.
Kërkuesi anglez ka ndjekur një rrugë tjetër. Për momentin ai ka kryer eksperimentin e tij vetëm te kafshët e laboratorit, tek ato para se të lindnin apo që ishin në ditët e para të jetës. Ai u ka injektuar hormonin kafshëve me qëllim që ky i fundit të jetë në gjendje të programojë metabolizmin, duke prodhuar një individ që është në gjendje të ushqehet me gjithçka pa u shëndoshur. "Ideja është që të prishet mekanizmi i vetëmbrojtjes në organizmin tonë dhe ushqimi të asimilohet sa më shpejt të jetë e mundur. Idetë e reja ngjallin gjithmonë një lloj skepticizmi, por mendoj se pas disa vitesh do të mund t‘ia dalim mbanë", shpjegon kërkuesi.
"Kemi pranuar edhe më parë procedura jo natyrore si vaksinimi. Nga njëra anë, një qumësht i pasur me leptinë do të ishte më natyror se sa qumështi artificial që kemi sot. Qumështi i nënës, në ndryshim nga ai artificial, përmban leptinë dhe fëmijët që ushqehen me të janë më pak të rrezikuar ndaj obezitetit", shpjegon kërkuesi. Pra, a nuk do të ishte më mirë që të gjithë fëmijët e sapolindur të ushqeheshin me qumësht gjiri? "Nuk e kam menduar asnjëherë që të zëvendësoj qumështin e nënës. Por ka të ngjarë se një dozë leptine mbi atë normale mund të rrisë rezistencën ndaj obezitetit dhe fëmijët që pinë deri vonë në gjirin e nënës mund ta marrin nga qumështi i saj. Sot, obeziteti dhe diabeti të tipit 2, paraqesin një rrezik të madh, që për nga vdekshmëria krahasohen me ato të infeksioneve që i kemi shkatërruar me vaksina. Duhet të bëjmë diçka, sepse është e dukshme se strategjitë që kemi përdorur deri tani nuk kanë funksionuar", pohon shkencëtari.
Në laboratorin e tij kërkuesi vazhdon të eksperimentojë. Kaviet, që sapo kanë lindur nga "nëna kavie" të cilave u është injektuar leptinë gjatë shtatzënisë, janë në gjendje të mirë shëndetësore. "E dinin më parë se dieta e femrave shtatzënë është në gjendje të modifikojë masën trupore të fëmijëve në moshë të rritur. Tani kemi vënë re se këlyshët që morën leptinë nëpërmjet nënës nuk shëndoshen, edhe pse janë ushqyer me një dietë hiperkalorike dhe të pasur me lipide, tregon ai, duke komentuar studimin e tij më të fundit, publikuar në "American Journal of Physiology". Hapi i fundit i një procesi të gjatë kërkimi financuar nga "Biological Research Council" nuk lidhet absolutisht me industrinë.
"Këto rezultate na ndihmojnë të kuptojmë se cilët janë faktorët që përcaktojnë ekuilibrin energjik të organizmit. Duket se gjatë zhvillimit ka një periudhë kritike, gjatë së cilës është e mundur të programosh një rezistencë ndaj obezitetit", tregon më tej ai. Është e pashmangshme, me mënyrën tonë të jetesës, mbi të gjitha nëse ekziston një "prirje" gjenetike. "Sot kemi ushqime me sasi të mëdha e madje në shumë vende ato më ekonomiket, përmbajnë shumë kalori dhe yndyra. Bëjmë pak ushtrime fizike, puna manuale pothuajse është zhdukur, kemi veshje që na mbrojnë nga të ftohtët dhe shtëpi shumë të ngrohta, ose freskuese në muajt e nxehtë. Të gjithë këta janë faktorë që ndihmojnë në reduktimin e konsumit të kalorive", nënvizon ai.
"Prej vitesh flitet për të ashtuquajturin gjenin kursimtar, falë të cilit fëmijët që lindin nënpeshë, sepse nënat marrin një sasi të pamjaftueshme ushqimi ose pinë duhan, kanë prirje të bëhen obezë ose të zhvillojnë diabetin e tipit 2, pikërisht sepse organizmi reagon ndaj ushqimit të pamjaftueshëm. Fenomeni është ndjekur në vende të ndryshme, por tenton të ndryshojë nëse dieta që ndiqet pas lindjes është ajo tipike perëndimore e pasur me kalori", vazhdon më tej ai. Nuk është e këshillueshme që nënat e reja të hanë për dy vetë, për arsye se edhe fëmijët që lindin nga nëna obeze janë më të rrezikuar ndaj diabetit.
Pra ideja është që pesha jonë trupore në të ardhmen të varet, të paktën pjesërisht, nga ajo që ndodh rreth periudhës së lindjes. Problemi i vetëm për t‘u kuptuar mbetet fakti që a mund të mjaftojë një dozë leptine për të zgjidhur çështjen në fjalë, pa krijuar probleme të tjera, duke qenë se është hedhur hipoteza se ky hormon përshihet edhe në proceset e të kuptuarit dhe të fiksuarit. Ajo që e ka përkrahur kërkuesin është pikërisht një studim i bërë në Universitetin e Kembrixhit, nga ku tregohet se disa individë janë prekur nga një defekt gjenetik që u ndalon organizmave të tyre të prodhojnë leptinë. Deri tani tentativat për të përdorur hormonin si ilaç dobësimi nuk kanë dhënë rezultate. "Duhet të mendojmë se fëmijët e vegjël e përthithin më mirë, sepse janë në gjendje të asimilojnë substanca proteinike përmes zorrëve. Leptina merr role të ndryshme sipas moshës së individit. Në ditët e para të jetës ekziston një sistem programimi, ku nuk e njohim ende mirë funksionin e tij". Duke arritur në këtë pikë është e dukshme që eksperimentimet mbi njeriun janë ende të largëta. Shkencëtari ka marrë lejen për ta përdorur leptinën për të ndaluar obezitetin te fëmijët që lindin nënpeshë.
Marre nga : Gazeta Shqip