Nje veper dedikuar njerezve qe rane gjate diktatures

Nje veper dedikuar njerezve qe rane gjate diktatures
Memoriali "Post Bllok" i inauguruar dje në rrugën “Ismail Qemali” përbëhet nga tre pjesë. Nga bunkeri që ndodhet në hyrjen kryesore të "Bllokut", shtylla betoni nga galeritë e minierave të kampit famëkeq të Spaçit, dhe një pjesë nga muri i Berlinit. Qëllimi i këtij instilacioni është përkujtimi i të gjithë njerëzve që për të mbrojtur idealet, humbën jetën.

“Memoriali është një ndihmesë për reflektim. Është një simbol i izolimit të përndjekjes që do të vlerësohet pasi të jetë realizuar”, tha Fatos Lubonja, një nga autorët e veprës. Ai u shpreh se krijimi i kësaj vepre i ka dhënë emocione. Kurse kapërcimi i murit të Berlinit që arriti ta jetojë në këtë kohë, është një tjetër kënaqësi. Vepra, sipas tij, është një dedikim për të gjithë ata që nuk arritën dot të kapërcejnë dhe të jetojnë kohën e diktaturës.

Ai shpreson që të vazhdojnë t’i përkujtojnë dhe nëpërmjet veprave të tjera. Kur thotë këtë frazë, Lubonja medoemos duhet ta ketë fjalën për realizimin e Muzeut në kampin e Spaçit, projekt që dikur Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e kishte në plan për ta realizuar. Por sipas asaj që ministri Aldo Bumçi, deklaroi para një muaji në komisionin e medias, fondet shkuan për ndërtimin e Muzeut të Krimeve Komuniste në Shkodër, pasi ky muze mund të jetë më i frekuentueshëm nga turistët, vetëm sepse ndodhet në një zonë të banuar. Por a është ky një argument bindës?

Duhet të kujtojmë se alarmin për shkatërrimin e kampit të Spaçit, e ka dhënë Fatos Lubonja, i cili para dy vitesh vizitoi burgun dhe pa gjendjen sesi telat dhe hekurat e ndryshëm po vidheshin dhe po shiteshin për bakër. Kurse sot për realizimin e “Post-Bllokut”, MTKRS-së kjo nuk i mjaftoi, por duhet të merrte dhe betonin e galerive për ta sjellë në qendër të Tiranës.

Të kenë vallë me kaq shërim “plagët” e ish të persekutuarve? A mundin dot që me kaq pak të kujtojnë gjithë vuajtjet e atij sistemi? Apo kjo ndjenjë do t’u trazohet dhe me shumë pikëpyetje të tjera, derisa për ta të bëhet diçka konkrete. Gjithmonë nëse do të bëhet ndonjëherë në kohë. Bashkautori i Fatos Lubonjës, Ardian Isufi shpjegon se përse nga ana artistike është menduar që kjo zonë të jetë më e përshtatshmja për realizimin e kësaj vepre.

“Kemi qenë të interesuar për këtë zonë, për shkak të bunkerit. Sepse mund të përdoret si një metaforë e rëndësishme për të na folur për diktaturën dhe për kohën e regjimit. Gjithashtu na është dukur intriguese lidhja që duhet t’i bënim pjesës së Murit të Berlinit me pjesë nga Galeria e Spaçit”. Sipas tij, këto pjesë dhe pse janë në një material të varfër prej betoni flasin për një kohë që duhet ta ridimesionojmë në mentalitetin dhe në psikologjinë tonë.

“Qytetarët e Tiranës përballen me një ndërhyrje artistike të artit post-modern. Mendoj se kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm. Për herë të parë mund të përballemi me një vepër që ka një tis bashkëkohor. Publiku mund të hyjë brenda bunkerit për ta vizituar. Që të mos jetë vetëm pjesa skenografike e realizuar, por dhe ndjesia e kohës për të cilën ne duam të sjellim një mesazh”, përfundon Isufi. Nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, vendi ku është ngritur ky memorial vlerësohet si një vend historik për Tiranën. Sepse fillimisht kjo zonë ka qenë e ndaluar që njerëzit të kalonin, kurse sot rinia ka mundësinë të kalojë tërë kohën e lirë në bllok.

Hapi i parë ky i arritjes që ka për qëllim integrimin dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Disa herë gjatë fjalimit, Basha kërkoi ndjesë për mungesën e gjatë të një shenje përkujtimi apo refleksioni për këtë periudhë të errët të kryeqytetit më famëkeq në Evropën komuniste. Dhe në fund shpalosi idenë se në të ardhmen me mbështeten e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës do të realizojnë një projekt më të madh për këtë periudhë. Por çfarë projekti mund të jetë, ende nuk është vendosur.

Dhe për kryetaren e Kuvendit ky inhalacion i përbërë nga tre momente, është i rëndësishëm. Por momenti që simbolizon burgun e Spaçit është më i rëndësishmi, pasi e çon deri në kujtimet e fëmijërisë. “Spaçi është autçvici shqiptar. Është vendi i vuajtjeve dhe i barbarive më të papërshkrueshme. Është emri që kam dëgjuar që kur kam qenë e vogël. Sepse familjarët e mi vuanin aty, ashtu sikurse dhe shumë shqiptarë të tjerë”.

Kjo punë përkujtimore është për të gjithë ata njerëz që e deshën këtë vend, për ata njerëz që nuk pranuan të udhëhiqeshin nga diktati, nga refuzimi i lirive dhe i fesë. As nën presionin e dhunës. E pranishme në inaugurimin e Post- Bllokut ishte dhe Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane, Carola Müller- Holtkemper. Sipas saj, përballja me të shkuarën është shumë e rëndësishme, në mënyrë që të njëjtat ngjarje të mos përsëriten më në të ardhmen. Në fund të inaugurimit, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, e cilësoi këtë punë si një arritje në dobi të vuajtjes, të martirizimit të shqiptarëve nën diktaturën totalitare.

“Artistët kanë përzgjedhur për memorie kombëtare Spaçin, një nga burgjet më të egra të të gjithë botës ish- komuniste”. Sipas tij, kjo ditë është një ditë nderimi për ata njerëz që sakrifikuan, u burgosën dhe ecën drejt skuadrave të pushkatimit për të mos shkelur dinjitetin. “Një histori e shkuar të shërben më së shumti për të projektuar një të ardhme më të sigurtë,” përfundon Berisha. Në inaugurimin e këtij memoriali nuk ishte asnjë i pranishëm nga pozita. 

POST BLLOK

Auron Tare: MKTKRS po prish kampin e Spaçit

Auron Tare në statusin e tij në rrjetin e Facebook-ut shpreh urimet për punën e bërë në Post Bllok, dy miqve të tij, Fatos Lubonjës dhe Ardian Isufit. Por ai shton se e ka habitur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me “injorancën” e saj, sepse kishte shkulur disa skelete betoni nga Galeritë e Spaçit për realizimin e kësaj vepre. “Burgu i Spaçit është shpallur monument kulture dhe mbrohet nga shteti. Përpos fshatarëve që po e zhvatin për skrap, tani Spaçin po e prish edhe vetë Ministria e Kulturës”. 

Përplasja e ish të përndjekurit politik Skënder Tufa me policinë

Përurimi i memorialit Post-Bllok është shoqëruar me incidente. Ndërsa drejtuesit më të lartë të shtetit po mbanin fjalimin për diktaturën komuniste, forcat e gardës dhe të policisë janë përplasur me ish-të përndjekurin Skënder Tufa. Tufa nuk është lejuar nga forcat e gardës që të ndiqte ceremoninë, edhe pse ajo zhvillohej në nderim të kësaj shtrese që është persekutuar nga sistemi komunist. Pas disa minutash debate, forcat e policisë e kanë shoqëruar në komisariat ish-të përndjekurin Skënder Tufa.

"Nënë Tereza juaj, është dhe Nënë Tereza ime"

Mozaiku portret dixhital i Nënë Terezës iu dhurua ministrit të kulturës, Aldo Bumçi dje nga artisti grek Charis Tsevis. Mozaiku përbëhet nga fotografi të fëmijëve anonimë, të cilët Nënë Tereza i ka ndihmuar. Pasi të zmadhohet dhe të stampohet portreti do të vendoset në hapësirën publike që mban emrin e Nënë Terezës. Visual dizanjeri Tsevis për disa minuta radhazi shpjegoi se si lindi kjo vepër, por dhe se kush është për të Nënë Tereza. Ai tregon se në çdo punë të realizuar gjendet një histori personale. Por në këtë rast janë disa histori të cilat kanë çuar në ndërtimin e kësaj pune. “Zakonisht historitë personale u ngjajnë lumenjve që në rrjedhje e sipër bashkohen me njëri tjetrin në një lumë të madh. Ideja për të krijuar këtë vepër lindi pas disa takimeve me tre miq të dashur. Bashkëpatriotin tuaj Klodin, Nikon dhe Dhimitrin”.

Me Nikon dhe Dhimitrin tregon se ka biseduar mbi kontrastin që ekziston në ngjarjet që po ndodhin këto kohë në Greqi dhe Shqipëri. “Pamjet që më sollën miqtë nga Shqipëria ishin e kundërta e atyre që ndodhin në Greqi. Në Shqipëri shikoja një popull optimist dhe të thjeshtë. Ndërsa në Greqi protesta”. Ky ishte një nga tre lumenjtë e vegjël për artistin. Lumi i dytë janë studentët shqiptarë në fakultetin ku ai jep mësim në Athinë. Rezultatet e tyre të larta dhe dashuria e tyre për përparimin. Kurse lumin e tretë e solli nëpërmjet një fotografie të emigrantëve shqiptarë në vitin 1990.

“Një pamje dramatike për Shqipërinë e ’90-ës, të cilën e përjetova asokohe në Itali. Në fillim të viteve 90 isha student në Milano. Kur papritmas rrugët e qytetit u mbushën me refugjatë shqiptarë”. Ai kujton se italianët u ndeshen me refugjatët shqiptarë. Njerëzit përpiqeshin me çdo mënyrë që të mbijetonin. Por, sipas tij, mënyra e tyre e të komunikuarit nuk ishte gjuha e folur, por ishte gjuha e buzëqeshjes, e të prekurit, gjuha e shenjave”. Puna e tij për Nënë Terezën ka lindur si pasojë e bisedave të gjata mes shqiptarësh. Por dhe sepse në fokus ka njeriun. Ka portretin njerëzor. Atë portret që fsheh histori në fytyrën e tij. Elementi që vlerëson më shumë në një portret është drita.

Prandaj ai kërkon të punojë përherë me njerëz që qenë ose janë pozitivë në jetë, të cilët mund të jenë politikanë, biznesmenë ose artistë. “Mendova ta bëj me ndihëm e dy elementëve bazë. Me fëmijët dhe ngjyrat. Fëmijët janë çdo gjë që kemi. Shpresa jonë. Dhe detyrimet tona. Ngjyrat janë pjesë përbërëse të dritës. Janë pjesë e asaj energjie që nuk pranon të shohin syrin tonë. Nuk kanë nevojë për një ngjyrë, prandaj truri i njeriut do të prodhojë të kundërtën. Kjo është Nënë Tereza ime dhe shpresoj që të jetë Nënë Tereza juaj”. Auron Tare: MKTKRS po prish kampin e Spaçit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama