Nje veper me vlera albanologjike

Nje veper me vlera albanologjike

Botimi i këtij vëllimi kushtuar Profesor Zef Mirditës është një nismë e rrallë ndër ne, që shpreh vlerësimin për kontributin e tij në shkencat shqiptare, për veprimtarinë e tij pedagogjike dhe kërkimet shkencore, një mënyrë shumë e rrallë në Shqipërinë e sotme të përçarë politikisht ku shkencëtarë “prodhon” dhe ka vetëm partia në pushtet, dhe ndër ta më të vlerësuarit janë militantët aktivë.
 
Albanisches Institut - St.Gallen ( Zvicër) si dhe Akademia  Kroate e Shkencave (Hrvatski Institute za Povijest) me botimin e një vepre voluminoze me studime albanologjike nga autorë të huaj dhe shqiptarë kanë  gjetur një mënyrë  të veçantë  për të nderuar studiuesin e historisë jo vetëm shqiptare por edhe ballkanike, personalitetin e shquar të shkencës, Akademikun Zef Mirdita.


Vëllimi me 1244 faqe, mbi 60 shkrime nga po aq studiues prej me shume se 10 vendeve tregon për vlerësimin e respektin ndaj  Zef Mirditës si albanolog, për punën e tij shkencore. Nismën për  botimin e pati Instituti shqiptar në St. Gallen, me nismëtarë Zef Ahmetin dhe Albert Ramajn. Botimi ka editor Albert Ramaj me bashkëredaktor G.Ravançiç, Z.Ahmeti, A. Stipçeviç dhe N. Bexheti. Ndër studiuesit, punime të të cilëve janë në këtë vëllim po përmendim studiuesit shqiptar. Nga Shqipëria kane dërguar shkrime studiuesit N. Ceka, B. Demiraj, M. Elezi, R. Gurakuqi, M. Korkuti. L. Malltezi, K. Marku, A. Meksi, A. Plasari, R. Përnaska dhe L Rama, ashtu  siç ka dhe nga diaspora.


Që nga viti 1993, kohë  kur u largua nga Kosova,  Zef Mirdita ka punuar në Akademinë  dhe  Universitetin e Zagrebit, si studiues dhe lektor,  deri në vitin 2002 kur doli në pension, një kohë produktive në studime dhe hulumtime. Në një gjysmë shekulli Zef Mirdita ka punuar dhe botuar studime të shumta nga prehistoria,lashtësia, historia e shqiptarëve , historia e vllehve, historia e krishterimit ndër shqiptar e aspekte të ndryshme të historisë së Ballkanit. Për këtë flasin veprat e shumta të botuar dhe të përkthyera në gjuhët e mëdha si në gjermanisht, anglisht , italisht e tje , domosdo edhe në kroatisht por thuajse  pak i njohur tek ne. Bibliografia e plotë e veprave dhe studimeve  të tij  jepet  në këtë vëllim. Gjithsesi largimi pa dëshirën e tij  nga Universiteti i Prishtinës  për në Universitetin e Zagrebit dhe Akademinë e Kroacisë, në mjedise më të avancuara shkencore dhe pa paragjykime fetare, ndikoi për mirë. Për më tepër studiuesit kroatë kishin një traditë të pasur në studimet   albanologjike.   


Është e pamundur të paraqesim këtu punën shkencore të Zef Mirditës, por botimi i kësaj vepre voluminoze (1244 fq.) “Poeta nascitur,historikus fit –Ad honorem Zef Mirdita’’ mund të jetë një nxitje për ne për të bërë të mundur botime të veprës së  këtij albanologu të madh që punon me energji rinore.


Autorët e përfaqësuar në këtë përmbledhjeje janë të shumtë të fushave të ndryshme të shkencave, si  të historisë , gjuhësisë,  letërsisë, religjioneve, arkeologjisë, etnografisë; shkurt - tërë fushat e zhvillimit shoqëror në epoka të ndryshme. Studimet e përfshira në të janë botuar në gjuhët e autorëve  për të ruajtur autenticitetin.  Përzgjedhja, si për autorët e huaj  ashtu edhe për autorët shqiptarë, nuk ka ndonjë kriter të caktuar me  synim që botimi të ishte sa më i  larmishëm  në tematikë, ku të përfaqësoheshin  autorë me vlerë nga vende dhe kohë të ndryshme. Ndonëse vepra i ngjan një mozaiku përsëri  nuk është vështirë të dallosh fushat kryesore tematike prioritet, siç janë:”Antica”,”Medium Aevum & Novum Aevum”, ”Modernus”, ”Lingua & Litterae”, ”Diaspora”. Studimet rrokin një larmi fushash e aproblemesh të kërkimeve albanologjike dhe janë interesante për materialet që paraqesin, por ne do të dëshironim të veçonim apo nënvizonim artikujt e shumtë për Diasporën shqiptare, të kërkuara posaçërisht nga editori, pak e njohur, një fushë pak e lëvruar ndër ne dhe përgjithësisht e lenë jashtë vëmendjes së studiuesve shqiptar, por me interes për të gjithë shqiptarët. Këto studime  përbëjnë një risi në kërkimet albanologjike dhe do jenë orientuese për të ardhmen.


Botimi i këtij vëllimi kushtuar Profesor Zef Mirditës është një nismë e rrallë ndër ne, që shpreh vlerësimin për kontributin e tij në shkencat shqiptare, për veprimtarinë e tij pedagogjike  dhe kërkimet shkencore, një mënyrë shumë e rrallë në Shqipërinë e sotme të përçarë politikisht ku shkencëtarë “prodhon” dhe ka vetëm partia në pushtet, dhe ndër ta më të vlerësuarit janë militantët aktivë.
Autorët e huaj zënë pjesën më të madhe të veprës. Kjo tregon se interesimi për shkencat albanologjike është ende i madh në qarqet shkencore të botës dhe me këtë synim tërheqja e tyre në këtë botim është për tu lavdëruar.


Një sipërmarrje e tillë e vështirë mund ta quajmë pa mëdyshje të suksesshme dhe merita për këtë i takon dy instituteve botuese të vëllimit, dhe po aq, editorit Albert Ramaj. Larmia e studimeve të paraqitura në këtë vëllim janë dhe një nga arsyet e suksesit të botimit, njohja e qarqeve të interesuara por dhe e dashamirësve të kërkimeve iliro-shqiptare me këto shkrime, do të ishte me interes. Së fundi duhet thënë që vetë botimi është i një cilësie shumë të mirë i denjë për të nderuar një studiues të shquar, botuesin dhe dy Institutet.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama