Nje veshtrim pa lupe i tregut

Nje veshtrim 'pa lupe' i tregut
Treguesit e ekonomisë reale dhe pritshmëritë për qeverisjen e re të paszgjedhjeve. Morsa e krizës shtrëngohet. Nuk ka ende dritë në fund të tunelit. Nuk ka gjallërim të duhur të kredisë, ka eksporte me luhatje sporadike, nuk ka importe të qëndrueshme, mungojnë shpenzimet publike dhe investimet private. Pritshmëria dëmton të gjitha palët

Dy miq të mij, biznesmenë të njohur, udhëtuan këto ditë drejt Italisë. Biznesi i tyre janë rieksportet, ndërsa nevoja për një udhëtim pune në Gadishullin Apenin lidhej me dy shqetësime: i pari, kontraktorët nuk po paguanin rregullisht detyrimet financiare të kontraktuara, vonesat e të cilave i kalonin tashmë edhe 120 ditë kalendarike; i dyti, investitorët shqiptarë po rishikonin diversifikimin e kontraktorëve, gjetjen e kontraktorëve të rinj, më seriozë dhe madje edhe identifikimin e hapësirave të reja që mund të krijonte tregu italian, gjithashtu i përfshirë nga kriza e gjatë dhe pa ndonjë rrugëdale të shpejtë.

Pa përmendur hollësitë, sipërmarrësit shqiptarë nuk sollën asnjë buzëqeshje nga përtej Adriatikut. Vonesat në pagesa do të vijonin akoma, kontrata të reja nuk do të lidheshin si më parë, kishte një tendencë në rritje të uljes së çmimeve për njësi të produkteve të gatshme, siç kishte edhe kërkesa për të përmirësuar procesin dhe e mbyllur atë në Shqipëri, për shkak të kostove më të ulta të punës në vendin tonë. Por ajo që befasonte, ishte se një pjesë e konsiderueshme e produkteve shqiptare me fason, tashmë nuk shiteshin në vendin prej nga ishin porositur, pra në Itali, por vetë italianët i rieskportonin në Francë, Belgjikë, Izrael etj etj.

Kjo duket se ishte arsyeja e rënies së punës me Italinë, sikundër thonë në praktikën e tyre të përditshme fasonistët. Një panoramë më e zymtë është ajo e porosive nga Greqia për këtë sektor, që është i rëndësishëm jo vetëm për valutën që sjell në vend dhe që i duhet medoemos ekonomisë shqiptare (sidomos pas pikiatës se dërgesave të emigrantëve-remitancave- në tre vitet e fundit), por edhe sepse njihet si sektori me numrin më të madhe të të punësuarëve në industri. Kjo është aq e vërtetë, sa, sipas të dhënavë zyrtare, të konfirmuara tashmë, rreth 70 % të të gjithë punëkërkuesve të papunë të vitit 2012, janë punësuar, pavarësisht krizës, në sektorin e veshjeve dhe këpucëve. Ky biznes, së bashku me atë të shërbimeve turistike kanë rregjistruar edhe pjesën e “luanit” të kredive me problem për bankat e nivelit të dytë. Sipas deklarimit, përshembull, të përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Turizmit, rreth 43 % e kredive në sektorin e shërbimeve, i përkasin turizmit. Një nivel të përafërt duket se shënon edhe sektori i riekporteve, i cili huazon likuiditet nga bankat, jo për investime dhe as për blerje makinerisht e pajisjesh “pa TVSH”, por për të paguar pagat e punonjësve dhe taksën e tyre të punës, në kushtet e mungesës së likuiditetit nga vonesat e pagesave për punë të kryer.
 
Në prag të zgjedhjeve…

E përmenda këtë episod nga tregu i rieskporteve për të treguar më shumë se kaq. Sektorë të rëndësishëm të ekonomisë po vijojnë të mbijetojnë, pa mundur të zhvillohen. Ndërtimi është duke u ushqyer me “dhjamin” e vet. Nuk ka mundur ende të marrë, në mënyrë të plotë, pagesat e prapambetura për punë të kryera me para publike, nuk ka shitje që gjenerojnë të ardhura për vijim veprimtarie ekonomike. Ky është sektori që është goditur më shumë, jo vetëm nga mungesa e kreditimit si biznes, por edhe e kreditimit të individëve që stimulon shitjen e banesave. As paketa e fundit antikrizë, e ndërmarrë nga BSH, për të sjellë zgjerimin e kreditimit, nuk ka sjellë ende asnjë sinjal pozitiv për këtë sektor. Kreditimi nuk u zgjerua. Në dy muajt e parë të vitit, kredia për ekonominë ka shfaqur një ecuri të dobët në të gjithë segmentet e saj. Në fund të muajit shkurt, portofoli i kredisë së sektorit bankar ishte vetëm 1.7% më i lartë se një vit më parë, raportoi Guvernatori i BSH. Kur një vit më parë ky tregues ishte rritur vetëm 2.2 %, që është shifra më e ulët historike e zgjerimit të kreditimit në vend!

Kushtet e shtrënguara të financimit kanë sjellë të kundërtën e pritshmërive. Biznesi i është përgjigjur bankave, duke ulur ndjeshëm kërkesën për kredi, pra duke ulur edhe investimet private. Të ardhurat vijojnë të bien gjithnjë e më tepër nga ky sektor, ndërkohë që edhe punësimi, është ulur apo ka stopuar.

Sektorë të tjerë të ekonomisë si, industria, bujqësia dhe shërbimet kanë zgjeruar aktivitetin e tyre. Të dhënat më të fundit janë ato të tremujorit të katërt të 2012-ës, sipas të cilave ekonomia është rritur me vetëm 1.7 %. Kjo rritje nuk duket se është në të njëjtin nivel në tremujorin e parë të 2013. Sipas të dhënave paraprake, me përjashtim të bujqësisë, sektorët e tjerë janë tkurrur në këtë fillim viti.

Ka konsum të ulët, ka pasiguri për të ardhmen, një shkallë besueshmërie të sipërmarrjes që nuk ka lejuar rritjen e investimeve private, ndërkohë që rritja me vetëm 1,4 % e shpenzimeve publike të qeverisë, as që është reflektuar në rritje të investimeve të tjera. Por edhe kur raportohet kjo rritje, nuk raportohet rritje e të hyrave fiskale në arkën e shtetit dhe as rritje e punësimit. Të ardhurat janë  ulur me 3,6 % për tre muajt e parë të vitit. Ngërçi duket më i madh se sa është në të vërtetë, po të gjykosh edhe nga këto paradokse, tërësisht shqiptare.

Shumica e analistëve, por edhe vetë sipërmarrja, pritën një zgjerim të rritjes për fillimvitin 2013, sidomos për shkak të zgjedhjeve elektorale dhe të shpenzimeve që parashihen se do të ndodhin, të paktën sipas përvojës shqiptare. Por kjo nuk ndodhi! Shihet se ka prerje shiritash, por këto iu takojnë, mesa duket, investimeve të vjetra, nuk ka investime të reja, nuk ka investime prodhuese dhe ka shumë pak investime të huaja në proces.

Sot ka vetëm një tregues pozitiv në treg dhe ky është çmimi i lirë me të cilin qeveria ble paratë e bankave të nivelit të dytë, depozitat e shqiptarëve, për nevojat e saj. Treguesi i radhës i normës bazë të interesit (më i ulti historik) u reflektua shpejt dhe i plotë në tregun ndërbankar dhe në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë. Por vetëm kaq! Në tregun e kredive dhe të depozitave as që është pasqyruar kjo politikë monetare, duke treguar se edhe këtë herë, si në shumë raste të tjera, efekti i veprimit të politikës monetare është i ulët. Ose e kundërta që Autoriteti Monetar nuk ndjek dot bankat tregtare, që janë një apo disa hapa para vendimarrjes së tij. Po kjo është një tjetër gjë…
 
Qeveria që vjen

Sikundër është përmendur, qeveria që vjen, kushdo qoftë ajo, mbetet të “ushqehet” me lugë bosh. Arka e shtetit do të ketë më pak të ardhura se sa ato që janë planifikuar (tremujori i parë e tregon këtë gjë, edhe pse treguesit historikë, për shkak të sistemit tonë tatimor, janë më të mirë në tremuajt e parë se sa gjatë vitit në vijim). Kreditimi nuk do t’i ndihë qeverisë së re, sepse bankat vijonë të forcojnë ngurtësinë e tyre, tashmë me një kërkesë të re, edhe paradoksale madje, sikundër ishte kërkesa e Shoqatës Shqiptare të Bankave për nevojën e “aftësisë së biznesit për të paraqitur projekte të vlefshme” (!?).

Në kushtet kur partnerët tregtarë po vijojnë të paraqesin tregues në rënie të ekonomive të tyre, do të vijojë ngërçi i shkëmbimeve me Italinë e Greqinë, duke dëmtuar më së shumti fasonin, por edhe sektorë të tjerë të rieksportit. Nuk do të shfaqen përqindje në rritje as në fushën e eksporteve në tërësi, as në fushën e energjisë, as në atë të metaleve dhe mineraleve, përjashtuar ndoshta eksportet e naftës së papërpunuar në Spanjë apo ndonjë vend tjetër. Këtë e vërteton diagrama e konjukturës se çmimeve në bursë e këtyre produkteve.

“Boshatisja” e buxhetit u shoqërua në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve me projeksionin e një sërë taksash e tarifash, pjesë e premtimeve dhe realizimeve elektorale. Do të mungojnë të ardhurat nga taksa e punës për të gjithë ata që paguhen nën 30 mijë lekë, për të gjithë ata që fillojnë punë për herë të parë dhe (për tre vjet nuk iu duhet të paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore), do të mungojnë të hyrat fiskale nga TVSH e makineri e pajisjeve, që është zeruar duke filluar nga 3 prilli, do të mungojnë edhe 20 % e çmimit për sektorët e agropërpunimit, bujqësisë, plehrave kimike e një listë e gjerë e nomenklaturës së mallrave, zhdoganimi i të cilave do të sjellë ZERO lekë në buxhet.
Në afat shkurtër kjo do të thotë vështirësi për qeverinë që vjen nga zgjedhjet dhe në afatmesëm rritje tej kufijve e borxhit që duhet për të përballuar shpenzimet korrekte të qeverisë, sidomos ato të domosdoshme që fillojnë nga pagat, për të cilat që më 1 korrik qeveria duhet të shtojë një miliard lekë vetëm për hyrjen në fuqi të rritjes së pagës minimale në shkallë vendi.

“Gropa” duket shumë e madhe për t’u mbushur me të ardhura. Mendje të zgjuara kanë dhënë zgjidhje të ndryshme. Duhet të vështrojmë Italinë dhe qeverinë e re të saj për të mësuar një lloj pragmatizmi që duhet në situata të tilla. Po më e rëndësishme se paratë në arkën e qeverisë duket se do të jetë optimizmi i aktorëve të tregut. Ai duhet të vijë më së pari…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama