Nje veshtrim pas Perdes se Hekurt

Nje veshtrim pas Perdes se Hekurt

Si ishte Shqipëri përpara prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik?! Në ekspozitën audio-vizuale e çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve, zbulohen foto të rralla me ngjyra të Shqipërisë midis viteve 1956-1959. Ky koleksion i rrallë është pjesë e arkivit privat të albanologut të njohur gjerman, Prof.Dr. Wilfried Fiedler. Sipas kuratorit të ekspozitës Dr. Eckehard Pistrick, fotot ofrojnë një vështrim tejet tërheqës pas Perdes së Hekurt, si dhe tregojnë jetën e përditshme në Shqipëri përpara prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, tradita dhe kostume pjesërisht të humbura, si dhe një pjesë nga historia e shkencës.

 

Fotot e rralla me ngjyra janë realizuar rreth viteve 1956-1959 nga albanologu Fiedler, i cili ka qenë pjesë e ekspeditës më të madhe gjermano-shqiptare që kishte si mision studimin e muzikës tradicionale shqiptare. Ndaj dhe personazhet në fotot e ekspozuara në galerinë FAB janë kryesisht instrumentistë. Pikërisht në kujtim të kësaj ekspedite që u zhvillua në Shqipërinë komuniste në ato vite, nën drejtimin e muzikologëve Erich Stockmann dhe Ramadan Sokoli është çelur në Universitetin e Arteve edhe ekspozita audio-vizuale “Jehonat e së shkuarës. Zërat e së ardhmes”.



Ekspozita e sotme është një nderim edhe për profesor Fiedler-in. Këtë vit shënohet dhe 80-vjetori i lindjes së profesorit Fiedler, si dhe 56-vjetori i ekspeditës etnografike më të madhe në Shqipërinë komuniste, siç ishte ajo e vitit 1957. Prof. Fiedler është albanolog dhe ballkanolog i njohur gjerman. Ai u lind më 1934 në landin e Saksonisë, në afërsi të Kemnicit (Chemnitz). Në vitet 1951-‘55 ka studiuar në Berlin sllavistikën. Më pas punësohet në Institutin për Etnografi në këtë qytet. Këtu ngjallet edhe interesimi i tij i drejtpërdrejtë për kulturën dhe gjuhën shqipe. Me Erik Stockmann boton përmbledhjen me folklor shqiptar me titullin “Këngë çame”, dhe që nga kjo kohë jepet në tërësi pas studimit të shqipes. Në vitin 1961 mbron disertacionin për shumësin e gjuhës shqipe, për të vazhduar me dhjetëra tituj e studime të botuara vetë apo me bashkautoren Oda Buholc (Buchholz), të cilat kanë të bëjnë me kulturën dhe historinë e gjuhës shqipe.

 

Profesor Fiedler ishte lektor i albanologjisë edhe në Institutin e Linguistikës së Përgjithshme në Universitetin e Vjenës. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv që nga fillimi në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë, me ligjërata, kumtesa dhe diskutime për tema dhe çështje të shumta të fushës së albanologjisë, e në veçanti, në fushën e gjuhësisë shqiptare. Nga punimet e tij më të spikatura renditen: Sistemi foljor i shqipes në veprën e Gjon Buzukut (1555), 2004, “Gramatika e shqipes“ (së bashku me Oda Buholcin), Lajpcig (Leipzig) 1987, Fjalori Gjermanisht-Shqip (së bashku me O. Buholcin dhe G.Urlish (Urlisch) Albanisch-Deutsch/dhe Shqip-Gjermanisht (së bashku me A. Klosin)/Albanisch-Deutsch, München, Berlin, 2000. Ekspozita me fotot nga arkivi i tij privat do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor. Sipas kuratorit  është shkas për të reflektuar mbi kërkime gjermano-shqiptare nga shkencat humane dhe social-kulturore, siç e tregoi Konferenca Ndërkombëtare e Fondacioni “Konrad-Adenauer” dhe e Qendrës së Studimeve Albanologjike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama