Nje videoloje per te zbuluar shoferet e dehur

Një videolojë për të zbuluar shoferët e dehur
Pajisja e quajtur DiDi (DeeDee) është ende prototip, por testet e para të kryera të shtunën kanë dhënë rezultate. Sistemi funksionon më së miri dhe automobilistët - edhe ata që kanë pirë - përballen me mënyrën e re të testimit me më pak vështirësi nga ç‘tregojnë metodat e tjera tradicionale, siç është fryrja e pipthit, apo përgjigjja ndaj një serie pyetjesh të trasha, që gjithnjë të bëjnë të ndihesh paksa keqbërës.

Loja është shumë e thjeshtë: në monitorin e një kompjuteri dore shfaqen një semafor, rruga ngjyrë gri, një makinë e kuqe dhe një mur. Prova zgjat vetëm pak sekonda. Automobilisti duhet të nisë përmes një xhoistiku makinën që shfaqet në ekran me t‘u shfaqur drita jeshile dhe ta ndalë para se të përplaset me murin. "Nga lëvizja e gishtit të madh të dorës - shpjegojnë mjekët që kanë bashkëpunuar në projektin e nisur nga Universiteti Politeknik i Milanos - mund të merren të dhëna shumë të vlefshme neurologjike mbi subjektin nën test".

Natën mes së shtunës dhe së dielës, DiDi-ja, i shpikur nga profesori Alberto Roveta, u vu në provë nga policia e vendit fqinj në një zonë të Milanos. Pika e kontrollit u vendos tre kilometra larg një diskoteke mjaft të njohur milaneze, në një zonë plot me klube nate e lokale të frekuentuara dendësisht. Detyra e testimit iu ngarkua tre patrullave të policisë rrugore, një ambulance të kryqit të kuq, si dhe mjekut Martin Peterson.

Testit të DiDi-së i pari iu nënshtrua një djalosh 21-vjeçar, i cili kthehej nga një festë me mish të pjekur në barbekju e birra: "Kam pirë pak birrë", u tha policëve. Nuk e priste që të testohej me një instrument të tillë. "Çfarë është", i pyeti policët. Një prej tyre e qetësoi, "Mos u shqetëso, nuk është asgjë e keqe. Si ndihesh nga njëshi te dhjeta?" "Nuk e di - u përgjigj djali - le të themi 7". Prova e parë kryhet për të shpjeguar si funksionon aparati. Por treguesi "Ok" është i kuq (tregon praninë e alkoolit). Prova e dytë shkoi shumë më qetë se e para. Djaloshi, i cili me shumë gjasa nga mishi i pjekur dhe birra po hidhej në diskotekë, tha faleminderit dhe u kthye drejt shtëpisë. Rreth orës tre ishte radha e një babai që po shkonte në diskotekë të merrte të bijën. "Ju lutem", u tha policëve, "kam frikë se mos gaboj". Polici e mori me të mira: "Mos u shqetësoni, është një lojë intuitive, po të keni vështirësi do ta provojmë aq herë sa të duhet për ta bërë mirë".

Lamtumirë patentës

Frikë e kotë. Babai e kreu shumë mirë testin. Tensionet u shtuan pak kur pas testimit të një djaloshi tjetër "Ok" u bë dy herë i verdhë. Drogë. Policët i kërkuan t‘i nënshtrohej provës së urinës, por kërkoi të refuzonte: "Nuk e bëj dot". Nga ambulanca i dhanë për të pirë. Por përsëri asgjë. Pas dy orësh, më në fund u dorëzua. Dhe lamtumirë patentës së makinës.

Ndërkaq, patrullat ndalën një të ri maroken: "Keni pirë pije alkoolike"? - përgjigjja vjen e prerë: "Jam mysliman". Një prej policëve i thotë: "Nuk të pyeti njeri se cilës fe i përket, ka myslimanë që bëhen tapë e katolikë që vrasin".

Papritmas rruga mbushet nga taksitë. Është përhapur zëri që në atë pikë policia po bën kontroll dhe me ta marrë vesh shumë prej të rinjve vendosin të mos e rrezikojnë patentën.

Pati edhe nga ata që arritën më këmbë aty e u ofruan vullnetarë për t‘iu nënshtruar testit: "Ma bëni provën, kështu që do di a mundem ta ngas makinën apo jo". Një prej policëve ia ktheu shend e verë: "E shihni, janë këto gjërat që na pëlqejnë me të vërtetë. Do të thotë që ideja e parandalimit është më e mira nga çdo gjë tjetër". Por duhen zënë në gojë edhe hiletë. Për shembull, gjatë fundjavave vërehet një rritje e pabesueshme e blerjeve të kutive me qumësht nëpër automatët anës rrugëve. Arsyeja është e thjeshtë, sipas të rinjve, qumështi është shumë i mirë për "shpëlarje" dhe nga goja nuk ndihet aspak era e alkoolit.

Justifikime të kota

Një 30-vjeçar i "diktuar" nga DiDi nuk pranon se është i pirë dhe për këtë policët i afrojnë pranë gojës pipthin e famshëm. Shtrëngon dhëmbët, që fryma e tij të mos hyjë në tub. Polici i buzëqesh m‘u në fytyrë: "Mos u përpiq të bësh si i zgjuar, sidoqoftë nuk jep rezultat". Në situata të tilla përgjigjet që dëgjohen më shpesh janë të mëposhtmet: "Vuaj nga astma", apo "putha të dashurën, që mesa duket ishte e droguar dhe droga më kaloi edhe mua". Policët qeshin, por gjithsesi thonë: "Përpiqemi të kuptojmë që gjenden në siklet dhe mundohemi të mos i fyejmë". Në orën gjashtë para policëve ndalet një zonjë dhe u drejtohet policëve: "Sapo mbarova punën dhe doja t‘ju falënderoja. Kam një djalë 20-vjeçar. Erdhi në lokalin tim dhe më tha se e kishit ndaluar ju dhe se i kishte kthyer nja dy gota, por se makinën e drejtonte e dashura e tij dhe gjithçka kishte shkuar për mrekulli. U kthye në shtëpi e nuk pi më".

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama