Nje vit i Ri Ne Diete

Nje vit i Ri 'Ne Diete'
Festat e fundvitit rikthejnë dilemën e njohur të shpenzimeve për udhëtime, dhurata e bankete, përballë nevojës për kursim, në një situatë ekonomike aspak rozë. Si përgatiten shqiptarët për listën e ëmbëlsirave, lodrave dhe surprizave të tjera nën pemën e Vitit të Ri.

Na ndan vetëm një javë nga java e festave të fundvitit. Si ngahera Krishtlindjet dhe nata e shkëmbimit të viteve mbeten data të shumpritura, edhe pse entuziazmi po polarizohet gjithmonë e më tepër, mes atyre që kanë dhe atyre që s’kanë, mes atyre që janë tradicionalë e atyre që kanë filluar t’i konsiderojnë festat si ditë të zakonshme, thjesht me një menu më të pasur në tryezë. Shumicën e përbëjnë gjithmonë ata që ecin me shprehjen: “punojmë gjithë vitin për këto ditë”. Kanë kursyer sa duhet dhe nisin nga përgatitjet që një muaj përpara. Megjithatë, është e dukshme, atmosfera e festave reflekton një lloj “përtacie” sivjet. Në anatominë e tij kryeqyteti nuk ka përvetësuar ende gumëzhimën e njerëzve që fugojnë drejt blerjeve të mirëllogaritura të festave. Që nga zbukurimet, dhuratat, gatimet e ëmbëlsirat, lodrat e fëmijëve, rezervimet, shpërblimet..., të gjitha janë tkurrur.

Më mirë sesa një sy i përgjithshëm, këtë e konstatojnë vetë tregtarët e këtyre asortimenteve festive. Krahasuar me të njëjtat periudha të viteve të shkuara, duket se 2011 po troket më me drojë në shpenzimet e qytetarëve. Dhe nuk është vetëm për faj të rënies së ekonomisë, asaj që ata kanë kohë që e kanë pranuar dhe e etiketojnë njëzëri si “ka ra leku shumë”.

Një tjetër element që, sipas tregëtarëve dhe jo vetëm ka ulur interesin për blerje, është edhe fakti që menjëherë pas liberalizimit të vizave, ishin të shumtë ata që vendosën t’i kalojnë festat jashtë vendit, duke mos llogaritur fare shpenzime për natën e Vitit të ri, por vetëm për biletën e udhëtimit dhe buxhetin që u duhej me vete. Ndryshe nga një vit më parë, numri i atyre që ikin për të festuar jashtë po përparon ndaj numrit të atyre që vinin për të festuar në Shqipëri. Kësisoj priten më pak shpenzime, më pak drita të ndezura, më pak fishekzjarrë, më pak rezervime, më pak gjela deti, më pak verë, më pak bakllava, më pak dhurata e blerje speciale për ditën e shënuar.

Tek “Çamët”, festat me listë

Tregtarët e vjetër të tregut “çam” kanë filluar nga puna për festat e fundvitit që në mes të muajit nëntor dhe edhe pse do të qëndrojnë të hapur deri në 16:30 të datës 31 dhjetor, pranojnë se këtë vit xhiroja do të mbyllet më herët se vitet e tjerë. “Ata që kishin për të blerë kaluan, tani puna duket që po bie. Vjet në këtë kohë, në rrugicat e tregut kishte trafik populli që blinte, sivjet lëviz lirshëm. Njerëzit kalojnë, pyesin e vazhdojnë rrugën. Në fakt, nuk është se e prisnim dhe furnizimet janë bërë të bollshme, si për çdo vit, po ata që mbajtën xhiron ishin prapë klientela e lokaleve dhe dyqaneve. Këta nuk kanë kursyer për dekorin e ambienteve, që nga shtrimi i tavolinave e deri tek zbukurimet festive. Njësoj si ne janë tregtarë e blejnë për të ofruar një ambient sa më të gëzueshëm, jo për të konsumuar drejtpërdrejtë”, shpjegon Festimi, tregëtar prej 12 vjetësh në tregun “çam”.

Në krahun tjetër, Lina shet kryesisht lodra për fëmijë. “I kam alergji gazetarët”, thotë duke qeshur. Në fakt, ajo nuk ka pasur të bëjë kurrë me të tillë, ndaj shumë shpejt pranon se marazin e ka me punën që s’i ecën si dikur. Njësoj si Festimi, edhe ajo shkon vetë drejt Kinës për të bërë furnizimet, po këtë vit, ylli nuk i ka shndritur si vitet e tjerë. “Vjet si sot, në ditën time më të mirë, unë bëja të paktën një milion lekë të vjetra xhiro. Sot, është ora 1 e drekës, e unë s’kam bërë akoma 150 mijë lekë xhiro. Ka rënë leku, njerëzit po ikin, dogana doganë, Kina Kinë, fukarallëku fukarallëk...”. Tek tregëtarët e dorës së parë që furnizohen në Kinë, furnizohen pastaj dhe gjithë tregëtarët e rretheve, por për këta të fundit festat kanë trokitur edhe më dorështrënguara. Shumica e tyre nuk kanë të paguajnë mallin në moment, po e likujdojnë atë atëherë kur mund ta shesin. Kanë lënë listat borxhlinjve të tyre, në Fier, Vlorë, Kavajë, Elbasan e Shkodër e kanë krijuar të gjithë listat e tyre në Tiranë. “Deri sot, vetëm për furnizimet që kam bërë për rrethet për festat, kam rreth 40 milionë lekë të vjetra për të marrë. Kur t’i marr dhe ato...”, tregon Lina, duke na shfletuar një bllok të gjerë me emra borxhlinjsh.

Kina, çmime më të larta

Shumë prej tregëtarëve shkojnë vetë drejt Kinës së largët për të bërë furnizimet. Raporti ka qenë i mirë dhe konstant, po sikur të mos iu mjaftonte ndryshimi i referencave doganore gjatë këtij viti, superfuqia e prodhimit botëror ka rritur ndjeshëm çmimet, sipas tregtarëve, në një masë mesatare prej 20 për qind. Për xhepat e shqiptarëve kjo kosto, me gjithë rrezikun e uljes së konsumit, gjithsesi është reflektuar. Zbukurimi më i lirë për pemën e vitit të ri kushton 500 lekë, ndërsa bredhat “gënjeshtarë” janë rritur të gjithë me nga një mijë deri në dy mijë lekë, por përsëri kanë mbetur një ndër artikujt më të kërkuar. “Në një nga ditët e javës që sapo kaloi, u shitën të paktën 500 bredha artificialë në të gjithë tregun”, tregon tregtari.

Doganat, tani festat peshojnë më pak

Ndryshe nga një vit më parë, tregtarët duhet të përballen edhe me modelin e ri të zhdoganimit të mallrave që ata furnizojnë për festa. Nëse deri dje për të gjitha lodrat për fëmijë llogaritej një zhdoganim për copë, sivjet kjo kosto është e ndryshme në lodra pa bateri dhe më e lartë në ato me bateri. Për këtë, shpesh këto artikuj vijnë nga Kina dhe zhdoganohen me bateritë e hequra. Ndërkaq për fishekzjarrët, zhdoganimi i të cilave bëhej gjithashtu bazë të madhësisë për copë, këtë vit bëhet në bazë të peshës. Për këtë është menduar një tjetër zgjidhje nga vetë prodhuesit kinezë. Janë po të njëjtat modele që kanë qenë dhe vjet, vetëm se këtë vit, që në fabrikë, iu është eleminuar pjesa e dheut në taban, e cila zinte gati gjysmën e peshës dikur. Njëkohësisht me “marifetet”, kinezët kanë rritur edhe çmimet e këtyre malllrave, gjë kjo e cila nuk kish si të mos reflektohej edhe në tregun shqiptar. Modeli më i shtrenjtë i fishekzjarrit në treg, i cili vjet kushtonte 8 mijë lekë të reja, sot kushton 10 mijë lekë.

Ëmbëlsirat kripin çmimet

Tryezës së festës së shqiptarëve, nuk do t‘i mungojë as sivjet bakllavaja tradicioale, vetëm se kësaj radhe do të jetë ca më e shtrenjtë, e kjo jo vetëm për shkak të rritjes prej kohësh të çmimit të sheqerit, por atij të arrave dhe gjithë frutave të tjera të thata në treg.

“Është herët akoma dhe deri tani nuk është se kanë filluar porositjet, por çmimet do t’i rrisim nga pak, sepse është rritur shumë çmimi i arrave. Ato të qëruarat kanë shkuar nga 800-1000 që ishin vjet, në 1400-1500 lekë të reja e më e keqja ështëqë ky artikull është me pakicë në treg”, tregojnë punonjësit e pastiçerive, por edhe tregëtarët e thjeshtë. Para një viti, një kg bakllava kushtonte 8-10 mijë lekë të vjetra, këtë vit çmimi i saj do të jetë 12-15 mijë lekë të reja.

Ofertat e munguara të fundvitit

Në tregun shqiptar gjen oferta për çdo fundsezoni, po jo për fundvit. Nëmos janë duke rritur çmimet, tregtarëve nuk iu shkon nëpër mend t’i ulin ato apo të servirin modele blerjesh joshëse për konsumatorin. Të vetmet që mund të ofrojnë paketa të leverdisëshme janë supermarketet e mëdha, të cilat me rastin e festave të fundvitit servirin shporta ushqimesh e pijesh, apo oferta nga ato që mund t’i quash “shumë në një”. E njëjta gjë funksionon me parfumeritë, dyqanet e dhuratave, galanteritë, dyqanet e veshjeve etj.

Tek tregu i “Medresesë”, në geton e kinezëve

“Ata po që kanë dhe fitim të mirë, se e kanë vendin e tyre nga furnizohen, kanë raporte të drejtpërdrejta me fabrikat e prodhimit, kapin çmime më të mira e dinë ku futen e ku gjejnë”. Kjo është ajo që thonë tregtarët shqiptarë që shkojnë në kinë, për kinezët e tergut të “Medresesë”. Dhe vërtet, dyqanet e kinezëve janë plot me njerëz, konsumatorë të vegjël e tregtarë të tjerë nga të katër anët që kërkojnë të bien në ujdi për pazar. Me kinezët, mund të bësh edhe pazar e ujdi të mira, por është e pamundur të flasësh për gjë tjetër. Sapo e kuptojnë që nuk po pyet se ke ndër mend të blesh ndonjë gjë, ta presin shkurt “Nuk kuptoj mila shqip” dhe largohen.

Në tërë atë ballajdi ngjyrash e xixëllimesh në geton e kinezëve, asnjë prej tyre nuk pranon të të rrëfehet për tregtinë e ketyre ditëve, apo atyre që shkuan. Madje as emrin nuk ta thonë. Tregtarët vendas përreth prej kohësh kanë filluar t’i thërrasin me emra të shkurtuar shqiptarë, Tushi, Mila, Gjoku. “Janë rehat e shikojnë punën e tyre, por vijnë si të çuditshëm. Flasin vetëm kur ua do puna e aq sa duan ata. Janë jabanxhinj dhe shumë punëtorë”, thotë Astriti që vetë ka 10 vjet që punon si shitës në dyqanin e shitjes me shumicë të kinezit Tushi. Aty mund të gjesh çdo gjë, që nga parfumi “Jadore” e bluzat “Armani, e deri tek zbukurimet e pemës me kristale “sërovsky”, të gjitha të falsifikuara, edhe pse për çudi kishte dhe të paditur “të gjorë”, që i blinin dhe largoheshin me entuziazmin e një marke të stampuar keq.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama