Nje vit nga vrasja e bankierit Artan Santo hetimet ne vendnumero

Nje vit nga vrasja e bankierit Artan Santo, hetimet ne vendnumero

Prokuroria dhe policia kanë saktësuar vetëm se në trupin e bankierit kishte 6 plumba dhe ai u qëllua teksa ishte duke hyrë në selinë qendrore të bankës që ai drejtonte prej vitesh në zonën e Bllokut

Hetimet për vrasjen e bankierit Artan Santo janë në vendnumëro. Prokuroria dhe policia kanë zbardhur vetëm mekanizmin, ndërsa kanë dhjetëra të dyshuar apo disa pista që janë verifikuar. Santo u ekzekutua paraditen e 26 qershorit të vitit të kaluar në zemër të kryeqytetit, në zonën e Bllokut. Sot, mbushet një vit nga ngjarja, ndërsa grupi hetimor ka bërë edhe një bilanc të provave të grumbulluara, që nuk i ka çuar gjëkundi. Prokuroria dyshoi fillimisht tek disa persona, por me kalimin e kohës hetimet u zbehën, teksa aktualisht ndodhemi në pikën “0”. Hetuesit kanë mbledhur prova kryesisht në dy muajt pas ngjarjes, madje u ndaluan dy kushërinj. Pas lirimit të tyre për mungesë provash, hetuesit punuan nga “zyrë”, lanë urdhra për efektivët e policisë, që megjithëse pati disa përpjekje, sërish nuk u arrit të shkohet tek ekzekutori.

Prokuroria, policia por edhe SHISH u përplasën disa herë për këtë ngjarje, ku asnjëra prej tyre nuk kishte informacione para ekzekutimit, por edhe më pas. Kishte vetëm dyshime “në ajër” që sollën një tymnajë, duke iu lënë kohë autorëve të humbnin gjurmët. Edhe shpërblimi prej 100 mijë eurosh për këdo që jepte informacion nuk funksionoi, pasi policia mori disa telefonata, apo informacione, por asnjëra prej tyre nuk vlejti. Pati shumë humbje energjish që në fund u përkthyen si dështim për grupin hetimor.

Për një kohë të gjatë policia pretendoi se e zbardhi çështjen, duke ndaluar dy kushërinjtë Klodjan dhe Sajmir Gjozi nga Fushë-Kuqja. Më datë 30 qershor të vitit të kaluar, gjykata dha masën 15 ditë burg. Dy të rinjtë nga Fushë-Kuqja e mohuan akuzën që në momentin e ndalimit të tyre, paçka se policia i sekuestroi një motor të ngjashëm me atë të përfshirë në atentatin ndaj Santos, si dhe gjeti prani baruti në duart e të rinjve. Por pas ekzaminimeve dhe provave të kushërinjve Gjozi, mbetjet e barutit rezultuan të ishin nga saldimi që dy të rinjtë po kryenin atë ditë në riparimin e tubacioneve të ujësjellësit të fshatit të tyre. Policia iu kthye sërish pikës “0” në atë kohë, teksa kishte vetëm të konfirmuar se në trupin e bankierit kishte 6 plumba dhe ai u qëllua teksa ishte duke hyrë në selinë qendrore të bankës që ai drejtonte prej vitesh në zonën e bllokut. Policia bëri të ditur pas ngjarjes se atentatorët ishin dy persona të cilët të maskuar me skafandra dhe një motor tip Suzuki v-strom kishin ndjekur itinerarin e lëvizjes së Santos dhe e qëlluan atë me një pistoletë mulli, e cila nuk lë as gëzhoja në vendngjarje.

Për motivet, akuza pyeti familjarët, që kanë mohuar problemet në familje, ndërsa janë fokusuar tek aktiviteti i tij në bankë, apo edhe në biznese të tjera, ku Santo ka qenë aksioner. Bashkëshortja dhe dy fëmijët kanë treguar se Artani ka qenë tepër i qetë ditët e fundit, madje ishte shumë i qeshur. Më pas në pyetje u morën bashkëpunëtorë të afërt dhe të largët të 58-vjeçarit, por edhe biznesmenë që kanë kryer transaksione nga banka që drejtonte i ndjeri. Disa nga pistat hetimore të organit të prokurorisë kanë të bëjnë me konflikte të mundshme të Santos me bashkëpunëtorë apo me biznesmenë, disa prej të cilëve edhe VIP.

Në fokus të hetimeve të prokurorisë ishin edhe transaksionet bankare të bankës që drejtohej nga Artan Santo, deri në momentin e ekzekutimit të tij. Në bankë janë marrë të dhëna për disa transferta miliona euro që janë bërë në vitet 2013 dhe 2014. Akuza verifikoi edhe një pistë tjetër hetimore për vrasjen e Santos, atë të ngritjes së një kompleksi turistik në Kosovë. Bankieri ishte një nga nismëtarët për ngritjen e këtij kompleksi, ndërsa ka bërë edhe disa transferta, apo ka firmosur disa shkresa, për të cilat prokuroria ka kërkuar më shumë të dhëna. Megjithatë, pistat e shumta, apo të dyshuarit e shumtë, sollën që drejtësia të dështonte në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama