Nje yll dhe nje peme per Krishtlindje

Nje yll dhe nje peme per Krishtlindje
Vitet e fundit edhe Tirana ka shënuar hapjen e disa dyqaneve të cilat janë sezonale, pra hapen vetëm gjatë kohës së festavë të fundvitit dhe janë tërësisht të dedikuara për zbukurime, blerje e dhurata për këto festa. Një dyqan i tillë është dhe “Sezon Dekor”. Kur ecën para tij, i madh a i vogël qofsh, vështirë se mund të kalosh pa e vënë re dhe pa ndalur për disa momente i mrekulluar. Kur hyn brenda, dyqani më shumë të ngjan me një shtëpi magjike, i mbushur plot kontraste ngjyrash dhe dritash.

Paulin Laska na tregon se dyqani ka 2 vjet që është hapur. Furnizimet e tij vijnë nga Gjermania, Greqia dhe Filipinet. Blerësit janë të shumtë dhe me shije të ndryshme, ndaj ata përpiqen t’i plotësojnë kërkesën çdo blerësi. Përsa u përket pemëve të Vitit të Ri, të cilat janë një tjetër simbol i këtyre festave, Paulini tregon se ka madhësi të ndryshe, nga 2 metra deri në 2 metër e 30 (pemë këto që zakonisht përdoren për shtëpi) dhe deri tek pemë 11 metër të larta (të tilla tregon Paulini i ka porositur Bashkia e Durrësit).

Zbukurimet e pemëve në masë kërkohen në ngjyra tradicionale: të kuqe dhe të bardha, por nuk mungojnë as zbukurime me një kontrast tjetër: rozë dhe e zezë.

Më e preferuara ndër dhurata janë babagjyshët e Vitit të Ri dhe lodrat për fëmijë, por nuk mungojnë dhe dhurata simbol të Krishtlindjeve, siç janë ëngjëjt, lulet karakteristike etj.

Çmimet e pemëve të fundvitit

Çmimet variojnë, ka pemë të cilat kushtojnë 2 500 lekë të reja dhe janë të larta deri në 2 metër (nuk përfshihen zbukurimet) dhe po kjo lartësi peme mund të shkojë deri në 23 000 lekë, varet nga lloji. Përsa u përket zbukurimeve, ato shkojnë nga 7 000 – 100 000 lekë.

Ylli i Krishtlindjeve

Bima që ne e njohim me emrin “Ylli i Krishtlindjeve”, është zbuluar më 1520-n nga spanjollët që u vendosën në Meksikë. Emri që ka kjo lule në gjuhën vendase është “cuetlaxóchitl”, pasi për ata simbolizonte gjakun e sakrificave që indigjenët i ofronin diellit për të rinovuar forcat e tyre.

Megjithatë, në Evropë këtë lule nuk e sollën spanjollët, por Joel Robert Poinset, ambasador i SHBA-së në Meksikë gjatë viteve 1820.

Joel Robert Poinset për herë të parë këtë lule e pa gjatë udhëtimit të Krishtlindjeve dhe kur vizitoi një kishë, e cila ishte e zbukuruar tërësisht me këto lloj lulesh.

I mrekulluar nga bukuria e kësaj bime, ai mori disa ekzemplarë në shtëpinë e tij, në Karolinën e Jugut, për t’i kultivuar në sera dhe më pas për t’ua shpërndarë miqve dhe lulerritësve.

Për këtë arsye, në SHBA dhe në vendet e tjera anglofone, Ylli i Krishtlindjeve njihet me emrin “Poinsettia Pulcherrima”, që në gjuhën latine do të thotë “e bukur”, kjo në në nder të kujtimit të ish-ambasadorit amerikan.

Ishin misionarët spanjollë ata që e pagëzuan me emrin “Ylli i Krishtlindjeve” pasi forma e kësaj luleje kujton atë të një ylli dhe çeljen e saj më të madhe e ka gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Historia thotë se nga shekulli XIX, ylli i Krishtlindjeve është bërë pjesë e kësaj feste në kohën e kristianëve dhe Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan u mbush për herë të parë me këtë lloj luleje natën e 24 dhjetorit të vitit 1899, duke ngjallur kështu admirimin e gjithë besimtarëve për bukurinë e saj ekzotike dhe ekstreme. Që atëherë në Evropë, Ylli i Krishtlindjeve është i lidhur me periudhën e kësaj feste.

Në Shqipëri tradita e këtyre luleve ka pak vite që ka ardhur. Bëhet fjalë për 5 vite më parë. Diana, pronare e një dyqani lulesh në kryeqytet, na shpjegon se kryesisht kjo traditë është sjellë nga emigrantët, nga ata të Italisë dhe Greqisë dhe nga shtetasit e huaj që banojnë këtu dhe më pas, meqë kërkesa e klientëve për këto lule u rrit, u vendos që të ofrohej në dyqanet tona. Klientë dhe admirues të këtyre luleve janë të gjithë, nga më të vegjlit deri tek më të mëdhenjtë. Blihet nga njerëz të ndryshëm për t’u bërë dhuratë apo thjesht për ta pasur në tavolinën e festimeve. Blihet nga biznese të ndryshme, të cilat zgjedhin të zbukurojnë ambjentin me këtë lule dhe blihet shumë dhe nga institucionet.

Yje Krishtlindjesh për të gjitha kategoritë

“Çmimet për Yllin e Krishtlindjeve janë të përballueshme nga të gjithë”, shpjegon Diana. Sipas saj, kuptohet që në varësi të madhësisë së lules, është dhe çmimi. Çmimi më i ulët është 300 lekë dhe këtu kuptohet që përmasat e Yllit të Krishtlindjeve janë të vogla, deri tek shifrat me tre zero. Diana tregon se bëjnë dhe porosi të ndryshme. Mësojmë se rekordi për shitjen e kësaj luleje ka qenë para 2 ditësh, kur një biznes privat bleu vazon më të madhe të yllit të Krishtlindjes që ata kishim. “Ishte gati-gati gjigante dhe lulja bashkë me vazon kapte vlerën 20 000 lekë”.

Pse gjatë Krishtlindjeve përdoret ngjyra e kuqe?

Në antikitet ngjyra e kuqe ishte e lidhur me jetën duke qenë se ishte ngjyra e gjakut. Lidhej dhe me qarkullimin e gjakut. Veshja e Plakut të Vitit të ri me ngjyrën e kuqe është e lidhur ngushtë me personazhin rus Ded Moroz, i cili u çonte dhurata fëmijëve dhe ishte i veshur me një xhaketë të kuqe, çizme me pellush dhe kishte një mjekër të gjatë të bardhë. Një pjesë e madhe e ikonografisë së Santa Klausit duket se vjen nga figura e Ded Moroz, dhe sidomos nga ekuivalenti i tij gjerman Väterchen Frost.

Në fillim, Santa Klaus dizenjohej me kostume me ngjyra të ndryshme, por e kuqja u bë një ngjyrë dominante duke nisur nga dalja e kartolinave të para të urimeve për Krishtlindje në vitin 1885. Një nga artistët e parë që vendosi Babagjyshin e Vitit të Ri në formën që ne e njohim sot, është mjeshtri i kartonave, amerikani Thomas Nast, i cili jetoi gjatë shekullit XIX.

Në vitin 1836, një imazh i tij i Santa Klausit u shfaq në revistën “Harper’s Weekly”. Një imazh tjetër që u bë mjaft popullor është ai i dizenjuar në vitin 1902 nga L.Frank Baum, autor i librit “Magjistari i Ozit” për tregimin “Jeta dhe aventurat e Santa Klausit”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama