Njeqind miliarde euro per te shpetuar Token

Njëqind miliardë euro për të shpëtuar Tokën

Në vitin 2020, komuniteti ndërkombëtar duhet të vërë në dispozicion 100 miliardë euro për të shpëtuar planetin nga efekti serrë. Shuma do të rritet gradualisht, por më vonë do të jetë jashtëzakonisht e "kripur". Për të vënë në zbatim këtë nismë që ka për qëllim uljen e emetimit të dyoksidit të karbonit deri në 20 për qind për dhjetë vjet, do të jetë e nevojshme të mblidhen 4 deri në 7 miliardë euro në nivel global brenda vitit 2012.

Në vitin 2013, shuma do të rritet deri në 10 miliardë euro, nga të cilat Europa do të jetë përgjegjëse për 1,1 dhe 3,26 miliardë euro. Gjithsesi, tarifa është jashtëzakonisht e lartë, ashtu siç është edhe qëllimi për të cilin luftohet: shpëtimin e Tokës nga ndryshimi i klimës që po e shkatërron ngadalë. Në më pak se tre muaj nga Konferenca mbi Klimën, e planifikuar në Kopenhagen, "nis edhe ndeshja".

Europa dëshiron kryesimin në luftën kundër ngrohjes globale, Amerika e Obamës dërgon sinjale pajtimi, të paimagjinueshme këto në kohën e Bushit, ndërsa ekonomitë e vendeve në zhvillim, vazhdojnë të jenë në mëdyshje. Të shtunën e shkuar, gjatë mbledhjes së ministrave të Ekonomisë së G20-ës, India dhe Kina kanë udhëhequr "tigrat aziatikë", duke refuzuar për të ndërmarrë angazhime të qarta sa i përket çështjes së ambientit. Brukseli vazhdon të ecë para, megjithatë dëshiron të japë ende shembullin e mirë. Po e provon duke "vënë dorën në perspektivën e portofolit".

Plani është hedhur në një dokument 33-faqesh dhe mbahet ende i rezervuar. Komisioni i BE-së e ka paraqitur sot në debatin e Këshillit. Pas marrëveshjes së G8-ës në Akuila për të "gozhduar" rritjen maksimale të temperaturës globale në dy gradë mbi mesataren brenda vitit 2020, ekzekutivi thotë: "Ka ardhur koha të thyejmë këtë bllokadë, duke prezantuar një plan mbi financën klimatike, që të shtojë mundësitë e një suksesi në takimet e dhjetorit". Momentalisht negociatat po ecin "me hap breshke".

Ekspertët e Komisionit propozojnë një tarifë të lartë për klimën, e cila është e destinuar të arrijë deri në 100 miliardë euro brenda vitit 2020. Bëhet fjalë për një "lumë parash" dhe jo për pagesa të marra nga bilancet publike. Ideja është të grumbullohen të gjitha bashkë, duke kombinuar tri kategori të ndryshme burimesh: shfrytëzimin e kapitalit financiar kombëtar, qoftë publik ose privat; përdorimin e të ardhurave që vijnë nga shitja e kuotave në tregun e emetimeve (si "Ets" ku firmat e ndryshme blejnë dhe shesin "lejet" për të ndotur ambientin), si dhe lëvizjet e financave publike botore.

Sipas Komisionit, investimet private janë konsideruar një burim shumë i rëndësishëm i strategjisë dhe kjo falë aftësisë së tyre për të qenë fitimprurëse. Sfida e klimës kërkon një program infrastrukturor të madh botëror, në vendet e pasura dhe në ato emergjente. Nisma e marrë nga vendet e BE-së për të ulur sasinë e ndotjes, është gjykuar nga Brukseli si një vendim shumë interesant. Vendimtar është edhe tregu i emetimeve. Komisioni hedh hipoteza se të paktën një pjesë e të ardhurave që vijnë nga bursa e CO2-it mund të përdoret për planin e vitit 2020.

Duke fiksuar një qëllim për uljen e emetimit në 30% (gjë që Europa thotë se është e gatshme të bëjë gjithçka nëse të gjitha vendet e tjera do të branojnë 20%), Brukseli vlerëson se nga shkëmbimi i kuotave mund të lindin rreth 38 miliardë euro në vit.

Çështja më problematike është se kush do të paguajë nga xhepi i tij, sidomos në këtë periudhë që bota nuk e ka kapërcyer ende krizën financiare. Këshilli i BE-së ka themeluar dy kritere: kontributin në bazë të sasisë së ndotjes së prodhuar dhe atij në bazë të aftësisë për të paguar. Gjithsesi njëri prej tyre duhet të përzgjidhet. Gjithçka të bën mendosh se në fund do të ketë një të mesme mes të dyjave, ndërkohë jemi në pritje të raportit të parë, atij të 2013-ës, vit në të cilin çdo marrëveshje e Kopenhagenit do të hyjë në fuqi.

Shifrat e dyvjeçarit 2011-2012 tregojnë një shpenzim global nga 4 deri në 7 milionë euro për pakësimin e gazit serrë dhe ndërhyrjeve strukturore. Vitin e ardhshëm vlera do të arrijë në 10 miliardë euro në total. Në bazë të treguesit të ndotjes, Europa është përgjegjëse për 1,1 miliardë euro, por do të paguajë 3,26 milionë euro. Sipas një burimi zyrtar, vlera është jashtëzakonisht e lartë, por ndoshta me kalimin e kohës do të përgjysmohet. "Si fillim duhet të vënë në dispozicion 250 milionë euro. Ndoshta është herët për të folur, por nuk janë paratë ato që bëjnë ndryshimin". Duhet parë nëse ekziston vullneti për të hequr dorë nga diçka, që të shpëtohet e nesërmja.

 

 

Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama