Madje edhe komplimenti më i madh që ne i bëjmë një politikani është togfjalëshi "baba i kombit". Është gjithmonë e vështirë që të përpiqesh të gjesh se çfarë nuk shkon në botë dhe mbi të gjitha të përpiqesh ta ndreqësh. Dhe befas na vjen e lehtë që të gjitha ëndrrat tona t‘ia besojmë një njeriu të vetëm, dikujt që na e mbush mendjen se është i mirë dhe i drejtë. Kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari na largon shumë nga e vetmja mënyrë që mund të na ndihmonte të zgjidhnim problemet: gjetja e zgjidhjeve brenda vetes dhe vendosja për t‘i vënë ato në jetë. Po të shohim historinë, çdo fitore e të drejtave njerëzore, nga ajo e së drejtës së punëtorëve e deri te të drejtat e grave për të votuar, u arrit për shkak të bërjes bashkë të njerëzve dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete, pa pritur që ndonjë lider të dilte me ide të tilla e t‘i zbatonte ato. Nëse do të kishim pritur për një lider të mirë, edhe sot e kësaj dite do të ishim pa asnjë lloj të drejte. Por historia e kërkimit të liderit të "mirë" vazhdon dhe ne kemi gjithmonë prirjen që t‘i ndjekim ata nëpër errësirë pa e ditur se ku po na çojnë. Le t‘i hedhim një sy, për shembull, një lideri, i cili sapo ka festuar vitin e 90 të lindjes, Nelson Mandela.
Të gjithë e dimë heroizmin e tij për të luftuar Aparteidin. Të gjithë afrikanët e ndoqën verbërisht në përpjekjen për të goditur pabarazinë më të madhe ekonomike në planet. Aparteidi nuk ishte vetëm një sistem ligjesh, ai ishte një sistem ekonomik, në të cilin një elitë e vogël e përbërë vetëm nga të bardhët zotëronte thuajse gjithçka në vend. Në fillim të viteve ‘90, kjo elitë e kuptoi se nuk mund të vazhdonte më me ato lloj ligjesh, ndërkohë që luftoi për të mbajtur kontrollin ekonomik. Ajo kërkoi që tokat dhe burime të ndryshme që ia kishte vjedhur me përdhunë zezakëve vendas, të njiheshin si të sajat përmes Kushtetutës së re të vendit dhe të mos u riktheheshin më pronarëve. Ajo kërkoi që ministri i Financave, në periudhën e Aparteidit, të bëhej guvernator i Bankës Qendrore. Kjo elitë kërkoi shumë gjëra pas përmbysjes së Aparteidit dhe qeveritë perëndimore e institucionet e mëdha financiare të botës i dolën përkrah. Mandela gjithashtu pranoi gjithçka. Si rezultat, sot të bardhët ende kanë në pronësinë e tyre 70 për qind të ekonomisë afrikanojugore, pavarësisht se përbëjnë 10 për qind të popullsisë. Mandela mendoi se vetëm përmes lëshimeve ndaj të bardhëve mund të fitonte, të shmangte largimin e tyre nga vendi si dhe skamjen, por doli i gabuar. Që nga rënia e regjimit të Aparteidit, mesatarja e jetëgjatësisë ka rënë me 13 vjet. Shkalla e papunësisë te zezakët është dyfishuar. Kjo nuk erdhi si pasojë e mosqeverisjes së të bardhëve. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Të bardhët vazhdojnë të kenë në dorë gjithçka, me të vetmin ndryshim se tani kanë Mandelën, logon e zezë të korporatës së tyre gjigante.
Ky rast na tregon se njerëz që në disa aspekte mund të jenë heroikë, në disa të tjera mund të bëhen ose budallenj, ose monstra. Le të shohim tani dy nga liderët më të admiruar e të vlerësuar të shekullit XX, që një gjë e tillë të na bëhet edhe më e qartë. Cilësitë e vyera të Mahatma Ghandit nuk ia vlen t‘i përmendim, pasi i dinë të gjithë, por pakkush e di që ai vrau të shoqen dhe u tha evropianëve që t‘i lejonin nazistët të pushtonin kontinentin. Pushtuesit britanikë të Indisë e burgosën Ghandin dhe gruan e tij, Kasturba, në vitin 1942, dhe shumë shpejt ajo u sëmur rëndë nga pneumonia. Shpëtimi i vetëm ishte penicilina, mirëpo fanatizmi hindu i Ghandit, sipas të cilit "ilaçet perëndimore" ishin të pamoralshme, bënë që gruaja e tij të vdiste e sëmurë pa marrë mjekimin që do ta kishte mbajtur në jetë. Gjashtë muaj më vonë, Ghandi u sëmur nga malaria dhe këtë herë nuk hezitoi t‘u drejtohej mjekimeve perëndimore. Edhe pse ato i shpëtuan jetën, ai vazhdoi t‘i dënonte gjatë gjithë jetës. Reagimi i Ghandit ndaj nazizmit ishte edhe më i keq. Ai u propozoi evropianëve që ta linin Musolinin dhe Hitlerin që t‘i pushtonte në shenjë paqeje. Sipas tij, vetëvrasja kolektive do të kishte qenë një heroizëm dhe kundërshtimi i armatosur do të kishte qenë i pamoralshëm. Edhe ky qëndrim vinte nga besimi i tij absurd supersticioz. Po ç‘mund të themi për Çurçillin? Sot ai kujtohet si heroi që kundërshtoi nazizmin, por ndërsa ishte kundër tiranisë në Evropë, ai ishte në favor të saj kur bëhej fjalë për njerëzit "e pacivilizuar" që ndodheshin në tokat e pasura të Lindjes së Mesme. Në vitin 1920, irakianët u ngritën kundër kolonialistëve britanikë dhe Çurçilli si sekretar për Kolonitë mendoi një kundërpërgjigje shumë të goditur:
"Unë jam tërësisht në favor të përdorimit të gazit të helmët kundër tribuve vendase", tha ai. Por le të kuptohemi, këta shembuj vlejnë për të ilustruar faktin se duhet të shohim aspekte të ndryshme të një lideri dhe se realiteti nuk është bardhezi. Nuk ka liderë të përkryer. E njëjta gjë vlen edhe për zgjedhjet aktuale në Shtetet e Bashkuara. Barak Obama është dukshëm më i mirë se kandidati tjetër Xhon Mekejn, por edhe Obama ka anët e tij të errëta, të cilat duhet t‘u kundërvihemi. Për shembull, ai ka premtuar se, nëse do të vijë në Shtëpinë e Bardhë, Jerusalemi do të mbetet kryeqytet i Izraelit dhe nuk do të ndahet, çka do të thotë se një nga premisat më të rëndësishme të paqes nuk do të ekzistojë. Ai ka dalë gjithashtu në mbrojtje të qeverisë së ekstremit të djathtë të Kolumbisë, për të sulmuar në çdo rast fqinjët e saj.
Në një situatë të tillë, e vetmja gjë që zgjedhësit amerikanë duhet të bëjnë është të mbështesin pjesën e mirë të programit të tij, duke luftuar për ndryshimin e asaj që nuk është e vlefshme. Në fund të fundit, qenia njerëzore ka shumë të meta. Çdonjëri prej nesh është i aftë të japë momente të mira, por edhe i aftë për mizori dhe budallallëqe. E vetmja mënyrë që të mund të mbijetojmë është që të mbajmë sytë hapur ndaj kujtdo dhe në çdo kohë, madje të jemi shumë të vëmendshëm edhe ndaj më të mirit ndër ne dhe të mos verbohemi nga veprime të admirueshme. Nuk do të gjejmë kurrë liderin e përsosur, njeriun që do të na udhëheqë në mesin e errësirës dhe stuhisë, ndërkohë që ne rrimë ulur e qetë në shtëpinë tonë. Nëse vërtet na interesojnë punët e kësaj bote në të cilën jetojmë, duhet të jemi syçelur, të kontrollojmë dhe të luftojmë për atë që na duket e drejtë
Nga Gazeta Shqip