Thirrja e Sali Berishës në Kuvend ishte një këmbanë alarmi për popullin. Por a është pasiguria që vjen nga bandat ajo që duhet të alarmojë qytetarin?
Pasiguria e vërtetë është ajo që po përjeton qytetari ndaj dhunës së policisë së shtetit dhe ajo që është më flagrante nga dhuna e policisë bashkiake, që ushtrohen në emër të mbrojtjes së një objekti të paligjshëm.
Tre muaj më parë, Bashkia Tiranë rrethoi, në mënyrë të paligjshme, një territor të Parkut të Liqenit për ndërtimin e një "kendi lodrash" prej betoni, pa leje ndërtimi dhe në shkelje të çdo procedure ligjore dhe administrative. Qytetarë të shqetësuar ndaj betonizimit të parkut u ngritën në protest, por kërkesat e tyre u ndeshën me dhunën fizike të policisë bashkiake e cila ishte urdhëruar në mënyrë arbitrare për të mbrojtur një rrethim të paligjshëm.
E njejta skenë u përsërit disa herë: policia bashkiake dhe ajo e rendit, në shkelje të statusit të tyre dhe në shkelje të ligjit dhe rregullave të tyre, vetëm me urdhra gojorë nga pushtetarët, ushtruan dhunë pa shkak ndaj dhjetra qytetarëve paqësore që kërkonin zbatimin e ligjit.
Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë dhe alarmojë popullin. Kjo duhet t'i bëjë deputetetët t'u bien këmbanave të alarmit: policët që tërheqin zvarrë qytetarët me urdhër të pushtetarëve, për të mbrojtur grabitjet dhe dhunimin e ligjit nga këta të fundit.
Mediat kanë ditë që merren çdo çast me shullazët, banditë që kërcënojnë qytetarë. Por nuk kanë guxuar asnjëherë të komentojnë policinë që dhunon qytetarë, madje para kamerave që regjistrojnë e nuk transmetojnë kurrë.
Sikurse media, edhe prokuroria veproi në mënyrë të rrufeshme kur Shullazi kërcënoi një qyetar profesor, por nuk ka reaguar ende për policët që qëlluan qytetarët.
Alarmi që dha Sali Berisha në Kuvend se jeta e qytetarit nuk është më e sigurt është i vërtetë. Jo vetëm sot, por, gjithmonë kur shteti drejtohet nga interesat e individit dhe jo të shoqërisë, jeta e qytetarëve është në rrezik. Ajo nuk ka qënë e sigurtë në kohën e Berishës, nuk është e sigurtë, as sot, në kohën e Ramës. Kjo është ajo që duhet të shqetësojë njerëzit.
Të rrish urtë që të mos e hash, ka qenë ideologjia sunduese në kohën e Enverit. Të rrish urtë se nuk ke çfarë të hash është ideologjia e këtyre 25 viteve në vazhdim. Një gjë është e qartë, 25 vjet në Shqipërinë post komuniste nuk kanë ndryshuar asgjë në thelb. Sot ka pak më shumë liri të fjalës por nuk ka liri të mendimit). Edhe liria e fjalës më së shumti ka prodhuar një fjalor ordiner, kryesisht në radhët e parlamentarëve, shumica e të cilëvë janë një pakicë që sundon prej 25 vjetësh duke u ricikluar çdo 4 vjet.
Lufta e dikurshme e klasave është kthyer në luftë mes partive dhe byroja politike është kthyer në oligarki të pushtetit dhe parasë. Ajo që është më e rendësishmja, pas një çerek shekulli, Shqipëria vazhdon të mbetet një ndër 2-3 shtetet më ta varfra të Europës, me papunësi të jashtëzakonshme, me ekonomi kioskash.
Ne jemi shumë të duruar me realitetin shkatërrues të jetës sonë me padrejtësitë dhe fatkëqësitë që përjetojmë. Përse? Sepse mungon pak kurajo, sepse kemi shumë frikë ti kërkojmë llogari atij që na gënjeu para 3 vjetësh, që na mashtroi dhe na hodhi si sende pa vlerë pasi na morri votën.
Ata që sot janë qeveritarë dhe shkatërrojnë jetët tona, ishin deri dje mes nesh dhe ne nuk kishim frikë nga ata. Karrikja ku janë ulur nuk i vesh me fuqi mbinatyrore dhe të drejta mbi ne. Ajo karrike i bënë vetëm administratorë që paguhen për të drejtuar funksionimin e jetës së shoqërisë. Kush nuk di ta bëjë këtë duhet të largohet, kush abuzon duhet të ndëshkohet.
Është i zgjuar ai popull që e parandalon të keqen dhe budalla ai që pret ti vijë shpëtimi nga qielli.E vetmja zgjidhje është që populli jo vetëm të qartësohet për të vërtetën, por të luftojë për të mbrojtur veten nga një grusht politikanësh që janë psiqikisht dhe moralisht të sëmurë, për të cilët kemi paguar deri tani ndoshta koston më të lartë që ndonjë popull ka apguar ndonjëherë.
T'i bësh thirrje për armatosje një populli të mbrohet nga bandat e shullazëve është si të bësh thirrje për luftë civile. Të mos ndihesh e ngrihesh ndaj dhunës policore dhe ngjarjeve arbitrare që ndodhin çdo ditë është kapitullim pa kushte përpara një diktature policore. Sot njerëzit duhet të armatosen me kurajo dhe jo me armë.