Njerezit dynden per armet e Skenderbeut

Njerezit dynden per armet e Skenderbeut
Për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar ekspozohen dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut. Reliket janë sjellë nga Muzeu i Vjenës për 100-vjetor dhe do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 13 janar. Të gjithë mund t’i shohin falas nga ora 10.00-17.00

Armët e Skënderbeut u ekspozuan dje për herë të parë në Muzeun Historik Kombëtar. Ndërsa në ambientet e brendshme zhvillohej ceremonia zyrtare, një gardh i gjatë njerëzish qëndronin jashtë muzeut. Kërshëria ishte e madhe. Punonjësit e muzeut tregojnë se që prej së hënës, kur u dha lajmi se armët mbërritën, kanë qenë të shumtë ata që kanë shkuar të pyesin vazhdimisht. Prej ditës së sotme, nga ora 10.00-17.00 dy shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut që u sollën nga Muzeu Historik i Artit në Vjenë do të jenë të ekspozueshme për publikun.

Hyrja do të jetë e lirë, por drejtori i muzeut, Luan Malltezi, u shpreh se di të merren masa që lëvizja të jetë e kontrollueshme dhe të kenë mundësi të gjithë t’i shohin këto relike. I pranishëm në këtë ceremoni, Kryeministri Sali Berisha theksoi se ky ishte një moment historik. “Për shqiptarët si komb të cilët identitetin e tyre në dallim nga kombe të tjera e kanë të bazuar para së gjithash në punën dhe historinë e tyre, është frymëzim, shtyllë kryesore e identitetit të tyre kombëtar.

Shqiptarët ndajnë besime të ndryshme, respektojnë çdo fe, por ata bashkohen që të gjithë te Zoti dhe Skënderbeu”, deklaroi Berisha. Ministrja e Artit, Kulturës dhe Arsimit të Austrisë, Klaudia Shmit, theksoi se këto relike janë shumë të çmuara për muzeun e Vjenës, duke kujtuar se është hera e parë që ato lëvizin nga fondi. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, të tjerë politikanë dhe intelektualë, kanë qenë të pranishëm në ceremoni.

Pas fjalëve të rastit, njerëzit janë shtyrë në katin e dytë të muzeut, në pavijonin mesjetar për të parë nga afër armët e për t’i fiksuar ato përmes aparatit. Ata që mundën t’i shohin të parët, nuk kanë ngurruar t’i shpërndajnë në rrjetet sociale. Thuhet se si garanci për këto relike janë vënë 35 milionë euro, ndërsa kostoja e sjelljes së tyre ka shkuar rreth 300 mijë euro, shpenzime të përballuara edhe me ndihmën e biznesit privat.

Në Tiranë nuk ka mbërritur kllëfi i njërës shpatë, por për këtë drejtori i MHK-së shprehet se ata i kërkuan Muzeut të Vjenës të gjitha reliket që kishin të disponueshme, e nuk mund të shtojë asgjë më shumë. Për sa i përket diskutimit të ngritur mbi origjinalitetin e këtyre armëve, një çështje e trajtuar nga Faik Konica që në vitin 1901 në “Albania”, drejtori Malltezi shprehet: “Ne jemi muze, nuk jemi institut historie. Nuk merremi me probleme të karakterit shkencor, janë historianët ata që duhet t’i sqarojnë”.

Përkrenarja e Skënderbeut

Të dhënat që po shkruajmë më poshtë janë përshtatur nga shkrimi “Armët e Skënderbeut”, botuar nga Xhafer Belegu më 3 mars 1932 në gazetën “Besa”, informacion i cili i përgatitur nga punonjësit e muzeut, u shpërndahet vizitorëve.

Objektet e Skënderbeut përmenden për herë të parë në një letër të datës 15 tetor të vitit 1578, në të cilën duka i Urbinos Marius Sforca i shkruan arqidukës Ferdinand se do t’i dërgonte këtij të fundit armët e Skënderbeut. Më 15 maj 1579, arqiduka i Tirolit, Ferdinadi, i shkruan dukës së Urbinos, Marius Sforces, duke e falënderuar për armët e Skënderbeut, si dhe për të tjerat, të cilat mund t’i binin atij në dorë. këto objekte përmenden për herë të dytë në letrën e dukës Von Arescot(duka Von Areskot) më 25 korrik 1588, e cila flet mbi armët e tjera të Skënderbeut.

Objektet e Skënderbeut nuk ishin shënuar në inventarin e vitit 1585. Ndërsa në inventarin e vitit 1593, në fletën 69, shënohet: “Dy shpata dhe përkrenarja e ‘Georgen Scabderbegg’. Prej këtyre dy shkresave si dhe inventarit, konstatohet lehtë se përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut ranë në dorë të arqidukës Ferdinand ndërmjet viteve 1588 dhe 1593 përmes ndihmës së dukës Marius  Sforca të Urbinos dhe të dukës Arescot.

Në sallën XXV, Nr. 71(127) të Muzeut të Arteve të Vjenës, ndodhet përkrenarja ‘George Skanderbeg’. Ajo është në ngjyrë të bardhë me rrafshe të arta dhe ka sipër saj një kokë dhie të artë me dy brinjë. Në një vrimë në majë të përkrenares është vendosur një burgji, e cila paraqet një kokë dhie të fiksuar mirë. Kjo përbëhet prej dy pjesëve: një pjesë bakri dhe pjesa tjetër sipër, është një copë metali, buzët e së cilës janë të zbukuruara me ar. Syve të dhisë sipër përkrenares i mungojnë gurët dhe akoma i duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurët.

Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri me një gjatësi 65 dhe në këtë rreth janë shkruar shkronjat: I.N.P.E.RA.TO.BE.BT. Ky shkrim deri tani është deshifruar kështu: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae. Regi Albaniae. Terrori Osmanorum. Regi Epiri. Benedicat”. Poshtë  buzës së përkrenares janë vënë 9 copa të mëdha dhe këto janë të lidhura me një rrip lëkure me bojë hiri. Pesha e të gjithë përkrenares është 3000 gr. Sado që ka elemente orientale, mendohet se është punuar prej një artisti venecian.

Shpatat

Në Muzeun e Arteve në Vjenë ka dy shpata të Skënderbeut. Njëra shpatë është me dorezë kadifeje në të cilën shënohet emri i Skënderbeut. Shpata është e gjatë 88.5 cm dhe e gjerë 5.7 cm, me dy tehe me një formë të drejtë dhe me një majë të kthyer që përmban disa shkronja latine ku lexohen këto fjalë: “Heroi i Perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është prej druri, e mbështjellë me lëkurë.

Pesha e kësaj shpate është 1300 gr dhe këllëfi i saj peshon 600 gr. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa shkronja të kuqe, të cilat janë shkruar në shekullin XVI. Shpata tjetër është me dorezë lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken akoma, është më e madhërishme.

Shpata me dorezë, e veshur me lëkurë shagen, ka në anët e jashtme katër arabeska të thella, tre rripa për hijeshi. Shpata është e përkulur në formë harku, gjatësia e saj është 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe lëkurë. Pesha e shpatës është 3.2 kg. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II, Nr.92(145). Kjo formë me ornamente tregon se ajo është bërë në gjysmën e parë të shekullit XV.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama