Njerezit me te pasur te Amerikes
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
Më të pasurit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të njëjtët persona të vitit të kaluar, por që sot fitojnë më shumë. Sipas klasifikimit të pasurive të hartuar nga revista ‘Forbes’, Olimpi i dollarëve dominohet ende nga pronari i ‘Microsoft’, Bill Gates.
Sipas revistës, pasuria e tij është ngjitur në 66 miliardë dollarë, nga 59 miliardë që gëzonte një vit më parë. Medalja e argjendtë i mbetet mjeshtrit të financave, Warren Buffet, me 46 miliardë dollarë kundrejt 39 miliardëve që kishte fituar një vit më parë. Lista vazhdon me vëllezërit Charles e David Koch, ndërsa kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg renditet i dhjeti me 25 miliardë dollarë pasuri. Lista vazhdon me themeluesin e rrjetit online Amazon, Jeff Bezos, Sergey Brin dhe Larry Page, të ‘Google’, me nga 20.3 miliardë secili.
Pasaniku George Soros është i 15-ti dhe kënaqet me një pasuri prej 19 miliardë dollarësh, i ndjekur nga Steve Ballmer dhe Paul Allen, në vendet 19 dhe 20. Manjati australian i mediave, Rupert Murdoch, perandoria e të cilit është goditur rëndë nga skandalet e përgjimeve, ka zbritur në vendin e 36-të, me 9.4 miliardë dollarë. Gjërat nuk po shkojnë mirë edhe për themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg ka zbritur në vendin e 36-të me 9.4 miliardë dollarë pasuri, e reduktuar ndjeshëm për shkak të dështimit të Facebook në bursë. Mes fytyrave të njohura të spektaklit është regjisori Steven Spielberg, i 125-ti. Biznesmeni i njohur amerikan Donald Trump renditet në pozicionin e 128, me 3.1 miliardë dollarë. Ndërsa Oprah Winfrey, mbretëreshë e talk show-ve dhe biznesmene, ndodhet në vendin e 151-të, me 2.7 miliardë, pak vende poshtë David Rockefeller.