Dyshimet se në Shqipëri ishte ngritur një perandori e madhe bixhozi në kushte të jashtëligjshme kanë ekzistuar prej kohësh. Por vetëm tani, autoritetet po nxjerrin në pah përmasat e vërteta të saj. Shifrat janë tronditëse. Pas operacionit masiv për mbylljen e subjekteve të jashtëligjshme, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Tatimeve dhe njësia që mbikëqyr lojërat e fatit vlerësojnë se mbi dy të tretat e industrisë së kumarit në Shqipëri kanë qenë në të zezë, jashtë ombrellës ligjore. Burime nga Njësia e Lojërave të fatit pohojnë se sipas vlerësimeve shifra e taksave që bizneset e kumarit kanë fshehur arrin në rreth 110 milionë dollarë në vit. Kjo shifër është dy herë më e shumtë nga të ardhurat që shteti mbledh realisht nga gjithë kjo industri dhe vetëm në 5 vjet i ka hequr buxhetit gati 5 për qind të Prodhimit Kombëtar.
Kjo në një kohë kur financat publike të Shqipërisë kanë hyrë në një spirale të rrezikshme krize. Por humbjet kolosale për buxhetin nuk janë kostoja e vetme. Ekspertët thonë se zhvillimi në kushte paligjshmërie e ka shndërruar industrinë e bixhozit në një çerdhe kriminaliteti, ku ekzistojnë dyshime të forta për pastrim parash, por edhe aktivitete të tjera kriminale. Nga ana tjetër, përhapja masive e tyre, edhe në zonat e ndaluara me ligj, ka qenë burimi kryesor i shumë vetëvrasjeve, divorceve, por edhe rrënimi familjesh.
Ligji thotë qartë se këto biznese nuk duhet të ndërtoheshin pranë shkollave, spitaleve, institucioneve fetare, çka është shkelur për shkak të mungesës të kontrollit shtetëror. Autoritetet thonë se lufta ndaj perandorisë së zezë të kumarit do të vazhdojë. Sipas njësisë mbikëqyrëse të lojërave të fatit, pas zbulimit të pikave të jashtëligjshme tashmë po punohet për evidentimin e plotë të individëve që qëndrojnë pas tyre. Dhe më pas do të shqyrtohen hapat për rikuperimin e të ardhurave që ata kanë fshehur, por edhe përballjen e personave me ligjin.
Grabitja e kazinosë
Ndërkohë, një kazino e bllokuar disa ditë më parë, nga Policia e Shtetit, në sajë të operacionit “Fund marrëzisë” është tentuar që të grabitet në Tiranë nga pronari i tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, në zonën e “Unazës së Re”. Burime nga policia bëjnë me dije se katër persona, mes tyre edhe pronari i kazinosë, kanë mundur që të marrin prej andej dy makineri. Grabitësit kanë hyrë brenda në kazino, ndonëse ajo ruhej nga një punonjës i policisë femër, duke marrë makineritë e fatit. Madje, ata patën kohë edhe që t’i ngarkonin në automjet, por nuk janë larguar, pasi u pikasën nga policja, e cila ishte në krye të detyrës, duke bërë turnin e radhës. Teksa ka parë lëvizjet në objekt, ajo ka kërkuar prej grabitësve që të ndalen dhe pa humbur kohë ka marrë në telefon kolegët, duke i vënë në dijeni për rastin. Sipas policisë thuhet se pronari i kazinosë së sulmuar një ditë më parë, ka arritur që të largohet nga skena e krimit, pa i hyrë “gjemb” në këmbë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur me shpejtësi forcat e tjera të policisë, por nuk raportohet nëse ka pasur shoqërime apo arrestime për veprën penale.
Ndërkaq bëhet me dije se shkaku i grabitjes nga vetë pronari, është bërë sepse pas mbylljes së kazinove, Policia e Shtetit nisi hapin e dytë, atë të sekuestrimit të makinerive. Ato janë transportuar në një magazinë në pronësi të shtetit. Për të mbrojtur pasurinë e tij, pronari i kazinosë së grabitur një ditë më parë, së bashku me tre bashkëpunëtorë kanë tentuar që t’i vjedhin. Fati nuk u ka ecur, pasi janë ndaluar në kohë nga policia. Gjithashtu për të dalë të pastër nga hetimi i Policisë së Shtetit dhe organet e tjera përgjegjëse, pronarët e kazinove të bllokuara dhe me probleme, kanë nisur zhdukjen e dokumentacioneve. Burime të sigurta në rrethin e biznesmenëve, thonë për gazetën “Shqip”, se disa prej tyre po djegin gjithçka që vërteton se ata kanë shkelur ligjin. Situata mes pronarëve të kazinove është mjaft e tensionuar, pasi ata janë në dijeni që po humbasin gjithçka dhe nuk janë në gjendje që ta ndalin. Pas aksionit të furishëm, Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal të 152 personave në rang vendi. Burime nga Ministra e Brendshme thonë se operacioni “Fundi i Marrëzisë” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. S.Muça