Njesoj si kafsha njeriu mund te nuhase aromen e frikes

Njesoj si kafsha, njeriu mund te nuhase aromen e frikes
Qenia njerëzore, në fund të fundit është një kafshë. Dhe si e tillë, ka ruajtur në kohë disa karakteristika arketipale që e bëjnë të sillet në mënyrë të caktuar kundrejt situatave të caktuara. Një nga këto është aftësia për të komunikuar përmes nuhatjes ndaj disa emocioneve të tilla si frika apo neveria.

Kjo karakteristikë fiziologjike, e cila mesa duket nuk ka humbur asnjëherë tek njeriu, është bërë objekt i një studimi të shkencëtarëve të Universitetit të Utrehtit, në Vendet e Ulëta, i cili është botuar më pas në revistën ‘Psychological Science’.

Për të zbuluar se njeriu e ka ende aftësinë për të komunikuar edhe përmes nuhatjes, studiuesit kanë analizuar disa kampionë djerse nga 10 vullnetarë të cilët asistonin në skena të neveritshme ose të frikshme të filmave horror. Në fazën e dytë të studimit, dr. Gun Semin dhe kolegët e tij u kërkuan 36 vullnetareve femra që të nuhasnin mostrat e djersës ndërsa i nënshtroheshin një testi vizual që shërbente për të projektuar emocionet e tyre.

Në momentin që gratë nuhasnin djersën e marrë gjatë një skene të një filmi horror, hapnin sytë me një shprehje që tregonte frikë. Ndërkohë, në rastin e nuhatjes së një mostre djerse të marrë gjatë një skene të neveritshme, edhe femrat reagonin me të njëjtën shprehje neverie. Rezultatet tregojnë se jo vetëm që gratë në krahasim me meshkujt, janë më shumë të ndjeshme ndaj aromave, por që tek njerëzit në përgjithësi, ende në subkoshiencën e tyre ekziston dhe është aktive ndjenja e komunikimit dhe njohjes së frikës e neverisë përmes nuhatjes.

“Këto rezultate janë në kontrast me hipotezën e pranuar gjerësisht se komunikimi i njeriut realizohet vetëm me anë të gjuhës ose rrugëve vizuale”, – shkruajnë autorët e studimit.

Por kjo mënyrë komunikimi është ende e dobishme, për shembull, kur nuk është e mundur që komunikimi të bëhet në mënyrë tjetër. Në rast rreziku, ekziston mundësia që njerëzit të vihen në alarm në të njëjtën kohë pa pasur nevojë të bërtasin ose ta bëjnë atë të njohur në mënyra të tjera, sidomos në vendet e mbushura me njerëz, thonë hulumtuesit.

Nuhatja e frikës bëhet në këtë mënyrë një sinjal alarmi që ‘thërret’ trupin për t’u vënë në gatishmëri, duke nxitur prodhimin e hormoneve të tilla si adrenalina që e përgatit personin të reagojë në rast rreziku. Ja pra, një rast që tregon se të jesh ‘kafshë’ është akoma diçka e mirë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama