Njollat e bardha ne dokumenta..te dukshme

Njollat e bardha në dokumenta..të dukshme
Gjithsesi, deri më sot, është bërë më e mira, sipas ish-drejtorit të Institutit të Historisë, Prof. Verli, që gjen kohë të vlerësojë të gjithë kolegët e tij në të shkuarën dhe punën e historianëve shqiptarë, paçka kufizimeve të vazhdueshme. Sa për mungesat...për të, ka kohë dhe mundësi që të riparohen, por shteti duhet të jetë më i ndjeshëm për afrimin e një gjaku të ri në histori dhe përgatitjen cilësore të tyre...
Në vitet e fundit, përveç vështirësive objektive në lidhje me reduktimin e personelit dhe me mungesat e ndryshme, pretendohet se historianët shqiptarë u janë përgjigjur sa kanë mundur evenimenteve të rëndësishme me botime dhe organizime aktivitetesh shkencore. A qëndron ky konstatim?
“Instituti i Historisë është një institut me traditë. Ka pasur një personel shkencor shumë të kualifikuar dhe është përpjekur vazhdimisht t’i përgjigjet jo vetëm ngjarjeve të rëndësishme, kur ka pasur përvjetorë të caktuar, por është përpjekur të japë të dhëna të reja, konkluzione të reja dhe për individët që kanë qenë në planin e parë në ato momente, si edhe për t’i mbushur zbrazëtitë e ndryshme në historinë kombëtare. Ne kemi pasur studiues, që kanë trajtuar 1000 vitet e fundit të historisë sepse është instituti i arkeologjisë që ka funksionin të merret me historinë më të hershme antike.

Ndaj, materialin më të hershëm e kanë përpunuar dhe prodhuar studiuesit e atij instituti, kryesisht mbi të dhënat e arkeologjisë. Studiuesit tanë, duke filluar nga Mesjeta e hershme e në vazhdim, kanë qenë të ndarë në departamentet: e Mesjetës; të Rilindjes; të Pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar; të historisë së Kosovës, i shtuar në fillim të viteve 80; ai i studimeve bashkëkohore, që ka qenë dikur dhe departamenti i periudhës L2 Botërore (në riorganizimet e fundit është ndarë në dy seksione të shekullit 20: I pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit shqiptar dhe ai i Studimeve Bashkëkohore. Këto, deri në fund të viteve ’80- kishin 32 punonjës shkencorë, por me kalimin e kohës janë reduktuar. Kurse, pas viteve ’90, vështirësitë bënë që disa studiues të largoheshin, të dilnin në pension, të orientoheshin në punë të tjera dhe dikush edhe të largohej fare. Prurjet e reja kanë qenë të pakta sepse niveli i kualifikimit që kërkohej në këtë institucion dhe shpërblimi material dhe moral që sigurohej nga ky institut s’kanë qenë aq joshëse për brezin e ri. Në periudhën e 17 viteve të fundit, instituti me gjithë vështirësitë e tranzicionit, që janë ndjerë kudo, ka bërë maksimumin të vazhdojë në studimet për plotësimin e njollave të bardha në historinë kombëtare në të gjitha periudhat e përmendura më parë. Dhe, më kryesorja, që me një konceptim të ri të trajtojë problemet e dy shekujve të fundit- veçanërisht shekullin e 20, sepse në kornizat e vendosura nga pushteti monist në regjimin e mëparshëm nuk mund të kishte lëvizje në mënyrë ‘të pakontrolluar’...”.

Si ka qenë më parë struktura e tij dhe kush janë sot mungesat më të mëdha?
“Sot, numri i personelit është i pakët. Me riorganizimin e institucionit, pas ikjes nga Akademia e Shkencave dhe kthimit në një institucion honorifik, ne jemi të organizuar në një Qendër Albanologjike. Kjo u bë pikërisht në fillim të këtij viti në vitin 2008. Tash, janë disa institucione që merren me studime albanologjike dhe midis tyre dhe Instituti i historisë. Me organizimin e fundit në Institut janë të pranishëm 13 punonjës shkencorë në të gjithë këto departamente, për këto periudha historike, që kemi si objekt dhe që përmenda pak më parë. Natyrisht numri është i pakët dhe po vazhdohet me projekte, apo duke sjellë specialistë të jashtëm dhe kuadro të reja në ato sektorë ku ndihet. Gjithsesi mendoj se mungesa vazhdon. Mungesa më e madhe është para vitit 1912, kur është e nevojshme të ketë specialistë njohës të osmanishtes, greqishtes së vjetër, serbishtes dhe greqishtes bizantine, latinishtes, ku ne kemi një deficit shumë të madhe dhe ku mendohet se ende nuk është zgjedhur formula sesi do të jetë zgjidhja e problemit. Ne kemi mungesa edhe për periudhën pas vitit 1912. Është për të studiuar me një këndvështrim të ri e gjithë periudha nga viti 1912 deri më 1944, ku ka ngjarje të bujshme dhe ku ka shumë personalitete të trajtuara nga një këndvështrim bardhezi dhe jo shumëngjyrësh dhe veçanërisht pastaj është e rëndësishme që me një konceptim të ri të trajtohet nga studiues të ndryshëm gjysma e dytë e shekullit të XX, deri në ato momente kur do hapen arkivat pas 25-30 vjetësh, e cila do na lejonte ne- që thjesht mbi bazë dokumentacioni dhe thjesht gjykimin shkencor, t’i afroheshim të vërtetës historike. Natyrisht, këtu pritet që të bëhet dhe më tej, por theksoj se edhe sot është bërë një punë jo e vogël, kryesisht në sajë të përpjekjeve të ndryshme dhe jo individuale...”.

Me realizimin e shtetit të Kosovës, sa fuqi do të ketë departamenti juaj i studimeve për të. Në Kosovë flitet se do ketë shumë fonde..për këtë qëllim...
“Ka pasur një mendim në fillim të viteve ’90 se historianët e Kosovës janë të mjaftueshëm për të shkruar historinë e Kosovës. Unë mendoj se kufijtë konvencionalë për shqiptarët nuk duhet të jenë pengesë që të ndalojnë në hapësirë dhe në kohë studimet në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë, Shkup e gjetkë. Numri i historianëve të Kosovës, që kur u krijua si institucion më prill 1979- ishte vetëm 4 punonjës. Ndërsa, në Tiranë, merrem unë, ndërsa dikush tjetër që punon këtu po profilizohet dikush për Çamërinë dhe më gjerë. Presim që të kemi shtesë personeli që të vazhdojë puna. Në Kosovë ekzistojnë dy institute që punojnë: Instituti i Historisë dhe Departamenti i Historisë tek Albanologjia, të cilët me një numër personeli sa ky yni merren me historinë e atyre viseve. Vetëm se edhe ata trajtojnë histori të këtej kufirit nga viti 1912 deri këtej. Sepse duhet shtuar që nga viti 1912, shqiptarët ishin pjesë e perandorisë osmane ose më parë e perandorive të tjera dhe historia trajtohet pa ndonjë kufi, që u imponua në periudhën e vitit 1912. Unë mendoj se tematika historike nuk njeh kufi, mjaft që vetëm në mënyrë shkencore ajo të kërkojë të vërtetën shkencore dhe mund të qaset pa asnjë problem”.

E quani si problem për historinë e Ballkanit, djegien e arkivave?
“Në botën shqiptare dhe në botën ballkanike ka pasur gjithmonë humbje- qoftë në 1912, pa u konstruktuar ende shteti shqiptar, në Luftën ballkanike, në Luftën e Parë Botërore, në atë të Dytë Botërore, në momentin e drejtuar nga komunistët, tash në vitet e fundit në momentin e pushtimit të Kosovës nga Serbia, si edhe nga grabitjet që kanë bërë serbët në Kosovë të arkivit atje( duke vënë dorë mbi bibliotekën e Prishtinës deri në bibliotekat personale), por qoftë dhe në kohën e luftës së Kosovës më 1999, e në ngjarje të tjera që kanë ndodhur dhe ku dihet se ka pasur humbje. Kam përshtypjen se nëse është fjala për dokumentacionin e shekullit të 20-të, ai është i dubluar dhe mund të vi edhe nga arkiva lokale. Si i tillë, është më pak i mundur të ketë humbje. Por, në atë më të hershëm, për ato që vinë në periudha të hershme dëmi është i konsiderueshëm. Për mendimin tim, sot duhen krijuar mundësi materiale për studiuesit për të parë arkiva nga Stambolli, Beogradi, Vatikani etj., në mënyrë që të ketë mundësi që humbjet mos të jenë në heshtje...”.

Profesor, është bërë dikur punë për historinë...?
“Nëse do të shtyhemi jo shumë herët, por të marrim thjesht periudhën nga viti 1972, kur Instituti ka qenë pjesë e Akademisë së Shkencave, ndonëse numri nuk ka qenë shumë i madh i punonjësve, thjesht, në sajë të përkushtimit kam përshtypjes se është bërë shumë më tepër në sajë të punës dhe kualifikimit të tyre. Shumë herë punët kanë qenë shumë cilësore nga individët dhe shpesh është bërë më tepër sesa është investuar për ta. Brenda kësaj periudhe shumë-vjeçare janë realizuar mbi 300 monografi dhe vëllime dokumentare. Është botuar dikur katër numra në vit, por në vitet e fundit deri në dy numra në vit ( prej mundësive dhe reduktimit të personelit) “Studime historike”, revista më e specializuar historike në vend, që publikon studimet jo vetëm të studiuesve tanë, por edhe të studiuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, që i afrohen kësaj reviste. Duke menduar se revista ka për çdo numër gati 250 faqe, po të bënim një përmbledhje të artikujve shkencore do të kishim mbi 70.000 faqe, që duhet thënë se nuk është një prodhim shumë i vogël”.

Kur të maturohen shumë dokumente dhe të jenë për studiuesit, sa mund të jenë specialistët tanë të historisë afër të vërtetave shkencore?
“Janë dy gjëra për këtë periudhë që duhen theksuar: mungesa e materialit të mirëfilltë dokumentar, që ka filluar sidomos në periudhën e fundit dhe që kështu do jetë edhe për 20-25 vjet, deri kur të hapen dhe periudha tjetër që është plotësimi me materiale nga arkivat e huaja dhe në fund të fundit konceptimi i tyre nga studiuesit e periudhave. Thuhet shpesh kur do të rishkruhet historia? Pse duhet të rishkruhet? Si do të rishkruhet? Këto pyetje shtrohen nga ata që s’njohin problemin, sepse gjatë këtyre 17 viteve historia është rishkruar. Këtë e vëren lehtë nga referatet, artikujt e ndryshëm, kumtesat dhe nga gjërat kolektive: janë p.sh disa botime të fundit të “Historia e popullit shqiptar”, një projekt me katër vëllime( i treti doli deri në fund të vitit të kaluar); “Kosova në vështrimin enciklopedik; Fjalori enciklopedik shqiptar në dy vëllime; plus përmbledhjet e
materialeve dhe kumtesave, që kam përmendur. Por, në tre vitet fundit kanë qenë dhe dy aktivitete madhore si “Skënderbeu dhe Evropa”, titulli i njërit nga aktivitetet dhe titulli i njërit prej librave që doli me 400 e ca faqe, që shoqëroi një konferencë të nivelit ndërkombëtar; dhe nëntorin e shkuar u përkujtua dhe 95 vjetori i pavarësisë dhe u përdor ky përvjetor për të organizuar një konferencë në të cilën erdhën prurjet e reja, me një rikonceptim nga specialistë tanë të kohës shekullore të ekzistencës së shtetit shqiptar”.

Profesor, publiku ngatërrohet nga njollat e bardha në historinë tonë, ndërsa ka shumë gjysmë-profesionistë, që mëtojnë zbardhjen e tyre. Si mund të konsiderohet kjo mungesë?
“Natyrisht mungesa e dokumentacionit në periudhat më të hershme është më e dukshme, sidomos në antikitet dhe në mesjetën e hershme. Por, kjo s’është vetëm për historinë e shqiptarëve. Në kapërcyell të mijëvjeçarit ndodhi që në kohën e dyndjes së popujve e shembën perandoria romake dhe pastaj ajo bizantine dhe u krijuan formacione të tjera shtetërore, ndaj fenomeni është i pranishëm dhe për ballkanasit e tjerë dhe më gjerë. Në periudhën e shekullit të XX kemi sërish mungesa dokumentacioni për arsye të tjera, që disa herë i kemi anashkaluar dhe s’kemi pasur të gjithë spektrin e nevojshëm të dokumentacionit. Dihet që për çdo periudhë është e nevojshme që veç burimeve vendase të ekzistojnë dhe burime të huaja. Ndaj, për periudha të ndryshme kemi nevojë për dokumentacionin osman, grek, sllav në mënyrë të nevojshme, por edhe italian, britanik, të SHBA-së e kështu me radhë. Me nisma individuale, duke aplikuar në këto 17 vjet, studiuesit tanë kanë depërtuar në arkivat e huaja dhe kanë sjell material interesant, i cili plotëson materialin vendas dhe kështu arrijmë e gjykojmë në një sy tjetër duke mos anashkaluar asgjë dhe duke parë. Duhet shtuar se për studiuesit nuk mjafton vetëm që ti qasen realiteti dhe nuk varet vetëm nga niveli i dokumentacionit, por varet dhe sesa ata dinë të vlerësojnë këto periudha historike. Në fund të fundit, kjo varet dhe nga sedra profesionale për të dhënë të mirën më të madhe duke sakrifikuar kohën dhe duke llogaritur dhe qejf-mbetjet e formacioneve të ndryshme politike dhe të individëve”.

Me çfarë po merreni aktualisht dhe kush janë planet e të ardhmes?
“Gjatë një periudhë prej 2 vitesh e gjysmë kam pasur detyrën e Drejtorit të këtij Instituti. Veç punës administrative, më është dashur, të mos ndahem asnjëherë nga puna ime profesionale. Kemi bërë sa kemi mundur për përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimin material dhe moral brenda mundësive të studiuesve. Kurse, me forcimin e lidhjeve me studiues të huaj dhe me bashkëpunimet në Prishtinë, në Maqedoni, Mal të Zi, kemi arritur që me një personel dhe fonde të kufizuara të dyfishojmë punimet në këtë periudhë, që nuk quhet e përfunduar. Studiuesit tanë vazhdojnë. Unë i jam rikthyer tash detyrës së shefit të Departamentit të Kosovës dhe kështu kam detyrat e mia. Në bashkëpunim me Ferid Dukën kam nxjerrë një botim me materiale historike të periudhës 1912-1918 të personalitetit të njohur Lef Nosi, që u botua me rastin e 95 vjetorit të Pavarësisë. Kemi ruajtur traditën e botimeve në prag të aktiviteteve madhore. Kështu, ky botim u shoqërua me përgatitjen dhe botimin e materialeve të pavarësisë gjatë këtij viti me titullin “Pavarësia e Shqipërisë dhe sfidat e shtetit shqiptar gjatë shekullit të XX”. Po ashtu, kam nxjerrë në bashkëpunim me Ferid Dukën dhe Beqir Metën, dokumentacionin austro-hungarez për disa muaj të vitit 1878- Dokumente të Lidhjes shqiptare të Prizrenit për lidhjen me perandorinë e Habsburgëve dhe praninë e saj në perandorinë osmane në këtë rajon. Informacioni i ardhur është i një rëndësie të veçantë. Pas dokumentacionit osman, ky është më i domosdoshmi për këtë periudhë. Ky projekt mendohet të vazhdojë. Kam në duar një material në kujtime. Dhe, një monografi, për lidhjet shqiptaro-sllave nga viti 1928-1939 dhe disa projekte të tjera. Dhe, projekti tjetër është vëllimi i dytë i profileve me figura të ndryshme jo vetëm nga Kosova, por edhe vise të tjera shqiptare me emrin simbolik ‘Nga Kosova për Kosovën’. Pas këtyre vinë dhe punë të tjera”.

Shkruan : Ben Andoni
Marre nga : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama