Nju-Jorku thyen rekord me fluksin e turisteve

Nju-Jorku thyen rekord me fluksin e turistëve

Në një raport të fundit thuhet se turizmi në Nju-Jork për vitin 2007 u rrit me 6%. Përafërsisht 8.5 milionë vizitorë ishin të huaj, megjithëse udhëtimet ndërkombëtare në destinacione të tjera në Amerikë pësuan rënie. Dobësimi i dollarit e bëri këtë qytet një destinacion tërheqës për shumë turistë të huaj. Një raport i publikuar këtë muaj nga zyrtarë të turizmit të Nju-Jorkut bën të ditur se një numër rekord turistësh vizituan qytetin në vitin 2007. Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 46 milionë njerëz kaluan pushime atje duke shpenzuar 28 miliardë dollarë. New York City and Company, zyra e qeverisë lokale të qytetit për këtë fushë, tha se numri i përgjithshëm i udhëtarëve të huaj u rrit rreth 20% në 2007-n. Shumë turistë të huaj zgjodhën Nju-Jorkun për ta vizituar, qytetin më të shtrenjtë të Shteteve të Bashkuara, sepse dobësimi i dollarit bëri që hotelet, ushqimi, argëtimet të ishin më të përballueshëm. Christopher Heywood, drejtor i Marrëdhënieve për Shtypin dhe Turizmin për New York City and Company, tha se europianët kanë një avantazh special.

 “Kemi parë një rritje të madhe nga tregjet europiane si rezultat i vlerës së ulët të dollarit. Kemi parë rritje të turizmit veçanërisht nga vende si Britania e Madhe me 25%, Spanja me 37% dhe Italia me 36%. ”Zoti Heywood tha se turistët e huaj janë veçanërisht të rëndësishëm në industrinë e turizmit të Nju-Jorkut, sepse ata qëndrojnë në qytet për kohë më të gjatë dhe shpenzojnë më shumë të holla se një turist i zakonshëm amerikan. “Një nga motivet që sjell turistë në qytet është që njerëzit kanë dëshirë të shkojnë në dyqanet e qytetit. Është e vërtetë që europianët vijnë këtu me një valixhe dhe largohen me dy ose tre. Këtu ata munden që të kursejnë në mënyrë të konsiderueshme. Dhe ata blejnë markat e njohura amerikane. Ata frekuentojnë dyqane si “Abercrombie” dhe “Fitch”, ata blejnë në dyqanin e bizhuterive “Tifani”, pantallona xhins “Lewis”, “Apple i-Pods”. Turizmi është një nga industritë më të rëndësishme të qytetit të Nju-Jorkut. Por vizitat në qytet pësuan rënie pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Vitet e fundit, kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Michael Bloomberg, është përpjekur në mënyrë aktive për të tërhequr përsëri vizitorë në qytet. Një fushatë globale promovuese e quajtur “Ky është qyteti i Nju-Jorkut”, tha se qyteti është më i sigurtë, më i pastër dhe më energjik. Njëkohësisht, New York City and Company hapi dhe 9 zyra të tjera ndërkombëtare në vitin 2007, duke përfshirë zyra në Rusi, Kinë, Brazil dhe Korenë e Jugut. Zoti Heywood tha se tani janë 16 zyra turizmi rreth e qark botës. “Qyteti i Nju-Jorkut gjithmonë ka qenë një nga destinacionet më tërheqëse në botë. Është një destinacion global. Është gati traditë për të huajt që kur vijnë në Shtetet e Bashuara të shkojnë në Nju-Jork”. Vizitorët nga Britania ishin më të shumtët që vizituan Nju-Jorkun gjatë vitit të kaluar, të ndjekur nga kanadezë dhe gjermanë.

(VOA)


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama