I ka tejkaluar 3,5 milionë kontaktet në YouTube videoja e artistit dhe aktivistit arab Hisham Fageeh, me titull “No woman, no drive”, një përpunim satirik i këngës së famshme të Bob Marley “No woman no cry”. Videoja e titruar në anglisht dhe arabisht, ironizon vendimin për ndalimin e grave që të drejtojnë automjetet.
Fageeh këndon në Taoub dhe mban veshjen tradicionale arabe: «No woman, no drive…Kishim miq të mirë dhe i kemi humbur në autostradë…» «Në këtë të ardhme të ndritur nuk mund të harrosh të kaluarën, hidhi çelësat e makinës”…«Hey motër, mos e prek atë timon”…
Mijëra aktiviste të të drejtave të grave kanë protestuar kundër vendimit, madje disa prej tyre kanë drejtuar makinën duke sfiduar vendimin. Të shtunën e kaluar, 16 gra janë arrestuar nga policia për shkelje të këtij vendimi. Arabia Saudite është i vetmi vend në botë ku gratë nuk mund të drejtojnë makinën. Kanë nevojë për lejen e një kujdestari për të udhëtuar, punuar apo dhe martuar.