Nobel Mario Vargas Llosa

Nobel: Mario Vargas Llosa
Prej vitesh emri i Mario Vargas Llosas, 74-vjeçar, është përmendur kandidat i mundshëm për të fituar Nobelin për Letërsinë. Dje ai e fitoi. Akademia Suedeze e vlerëson veprën e shkrimtarit, intelektualit dhe gazetarit peruvian për "analizën e strukturave të pushtetit dhe për imazhet e mprehta të rezistencës individuale, revoltës dhe humbjes".

Sekretari i Akademisë, Peter Englund, e quajti dje "rrëfimtar e dhunti hyjnore" letërsia e të cilit e ka mallëngjyer lexuesin. "Librat e tij kanë kompozim shumë kompleks, kanë perspektiva të ndryshme, zëra dhe kohë të ndryshme. Ai e bën këtë në një formë të re duke zhvilluar artin e narracionit." Këto vitet e fundit Akademia Suedeze është akuzuar se ka përkrahur shkrimtarë të majtë, megjithëse 16 anëtarët e jurisë thonë se vendimet e tyre kanë marrë për bazë vetëm vlerën letrare.

Vargas Llosa është i pari shkrimtari hispanik që fiton Nobelin qysh nga Octavio Paz më 1990. I lindur në qytetin e vogël të Arekipës në Perunë jugore më 1936, me ndarjen e prindërve ai u zhvendos në Bolivi. U kthye në Lima për të ndjekur akademinë ushtarake, më tej juridikun. Jetoi larg për njëzet vjet, në Spanjë, Francë dhe Angli. Shkruan.

Del më 1963 romani "Koha e heroit" (La Ciudad y los Perros), bazuar në përvojën që pati në shkollën ushtarake dhe korrupsionin që ndeshi atje. Fillim i mirë. Vazhdon me romanet "Shtëpia e gjelbër", "Bisedë në Katedrale", romane që karakterizohen nga serioziteti dhe zymtia. Te "Bisedë në katedrale" (1969), e përdor një krim misterioz për të kritikuar autoritarizmin dhe diktaturën e majtë. Kjo fazë ndiqet nga në vitet shtatëdhjetë nga dramat, romanet komikë me elementë të theksuar të satirës dhe parodisë.

Sagën epike "Lufta në fund të botës", një legjendë në qytetin brazilian të Kanudos për revolucionin në Amerikën Latine, kritiku i njohur amerikan Harold Bloom e përmend në listën e veprave themelore të kanonit Perëndimor. Në një intervistë të vitit 1990 për "Paris Review", Vargas Llosa thotë se dëshira e tij fortë për të shkruar erdhi nga përvoja që pati në shkollën ushtarake. "Ishte tejet traumatike ajo përvojë e cila, në shumë kuptime, shënoi fundin e fëminisë sime, zbulimin e vendit tim si një shoqëri e dhunshme, e mbushur me zemërim, e përbërë nga grupe sociale, kulturore dhe raciale në kundërshtim të plotë dhe herë pas herë here në luftë të egër në mes tyre. Mendoj se ajo përvojë ndikoi tek unë; për në një gjë jam i sigurt që zgjoi tek unë domosdoshmërinë e madhe për të krijuar, për të shpikur".

Njëlloj si te shkrimtarë të tjerë të shquar të Amerikës Latine, dëshira për të krijuar bashkohej te Vargas Llosa me dëshirën për të raportuar dhe komentuar. Prandaj profili i tij intelektual theksohet nga karriera e si gazetar, eseist dhe kritik.

Dhe në traditën e shkrimtarëve të mësipërm që rolin e shkrimtarit dhe të shkrimtarit intelektual e patën të pandarë ai ka qenë aktiv në politikë. Marksist fillimisht, ai mbështetur Fidel Kastron, Revolucionin kuban. Por më 1970 ai denoncon komunizmin e Kastros, duke acaruar me këto qëndrime shumë nga kolegët e tij shkrimtarë të krahut të së majtës. Më 1971 botoi një studim për Gabriel Garcia Marquez, mjeshtrin kolumbian të realizmit magjik. Është vepra e tij kritike më e njohur. Në një incident në Meksiko më 1976, Vargas Llosa e qëlloi me grushte ish mikun e tij, të cilin do ta quante e quajti "kurtizania e Kastros". Nuk u mor vesh ndonjëherë nëse zënka e tyre ishe personale apo politike, por të dy nuk folën më.

Duke u zhvendosur pak nga pak drejt krahut konservativ, më 1990 kandidoi për president. Pa sukses. Pas zgjedhjeve ai u zhvendos në Spanjë dhe mori qytetarinë spanjolle. "Unë nuk pata kurrë karrierë politike", thotë ai. "Kam marrë pjesë në politikë në rrethana shumë të veçanta... dhe gjithnjë kam thënë sido që të jetë, fitoj apo humbas zgjedhjet, do t'i kthehem letërsisë, punës intelektuale, jo politikës."


Vepra e Vargas Llosas është gjerësisht e përkthyer. Për fat të keq në shqip ka vetëm nj% vepër të përkthyer "Këshilla një shkrimtari të ri" (Onufri, 2007). Teksti i tij letrar është tekst i një rrëfimtari në stilin e shekullit të 19-të, një rrëfimtar që kërkon "t'i heqë kufijtë mes fabulës dhe lexuesit". Në intervistën për "Paris Review" ka thënë: "Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që elementi intelektual, prania e të cilit në një roman është e pashmangshme, të shkrihet në veprim, në rrëfime, në mënyrë që këto ta joshin lexuesin jo me idetë por me ngjyrën e tyre, me emocionet që zgjojnë, me elementin e tyre të çudisë, dhe me gjithë pezullin dhe misterin që janë në gjendje të japin."


Përvojën personale ai e çmon shumë për shkrimtarin. Pasurohet përvoja e shkrimtarit, pasurohet letërsia e tij. Vargas Llosa ka eksperimentuar vazhdimisht me formën, perspektivën dhe subjektet e tij. Një nga romanet e tij të fundit "Vajza e pamoralshme" (2006), ishte përpjekja e tij e parë të shkruar një histori dashurie dhe është vlerësuar si romani i tij më i mirë.

Ai ka drejtuar PEN-in, Shoqatën Ndërkombëtare të Shkrimtarëve. Më 1995 fitoi Çmimin Servantes, nderi më i madh që i bëhet një shkrimtari në botën hispanikfolëse. Me çmimin Nobel ai hyn në elitën e shkrimtarëve të Amerikës Latine: Paz, Garcia Marquez dhe Pablo Neruda. Ka mësim në universitete nëpër botë; këtë vjeshtë ai është rezident në Princeton University, ku mori vesh për çmimin. "Jam mirënjohës që kam marrë këtë privilegj", i tha ai CNN-it. "Të them të vërtetën nuk e prisja. Ishte e papritur... por një e papritur e këndshme."


E papritur e këndshme ishte edhe për shumë entuziastë të Nobelit, që kanë mbetur të pakënaqur këto autorët fitues të viteve të fundit. Ka pesëdhjetë vjet që mbahen sekret kandidatët e vërtetë të çmimit, prandaj kritikët letrarë dhe gazetarët në mbarë botën, çdo tetor marrin pjesë në një ritual të ndërkryer spekulimesh. Një natë para se të shpallej fituesi, bastet nga Ladbrokes në Britani nxirnin në krye shkrimtarin amerikan Cormac McCarthy, i ndjekur nga japonezi Haruki Murakami dhe keniani Ngugi wa Thiong'o. Vargas Llosa ishte në këtë klasifikim. Prej ditës së djeshme, ai doli në krye.


Si i shpenzojnë fituesit paratë e Nobelit

Çmimi Nobel ka një vlerë në para 1.4 milionë dollarë. Çfarë bëjnë fituesit me to? Çfarë kuptimi merr për ta kjo para?

Kur fitoi Nobelin për Letërsinë më 2004, shkrimtarja austriake Elfriede Jelinek, e pyetur nga një gazetar televiziv se çfarë do të thoshte për të ky çmim, heshti pak, vuri buzën në gaz dhe u përgjigj: pavarësi financiare, sigurisht.


Ka fitues të Nobelit që i shpenzojnë paratë e çmimit në forma nga më të ndryshmet: blejnë makinë, anije, shtëpi, shkollojnë fëmijët... Mari Kyri është e vetmja që ka marrë dy çmime Nobel, për dy kategori të ndryshme të shkencës, Nobel për Kiminë më 1911, dhe për kërkime në fushën e radiokativitetit. Albert Ajnshtajn ka thënë për të: "Nga gjithë njerëzit e famshëm, është e vetmja që nuk u korruptua prej famës". Ajo i përdori paratë e çmimit për kërkime të mëtejshme. Puna e saj me elementët radioaktivë i shkaktoi djegie në duar dhe krahë dhe ndoshta leuçeminë prej të cilës vdiq në moshën 58-vjeçare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama