Çmimi Nobel në mjekësi për vitin 2014 do të ndahet nga tre shkencëtarë që kanë zbuluar sistemin e pozicionimit të qelizave të trurit. Sipas britanikes “The Guardian”, çmimi i madh do të ndahet mes profesorit britanik Xhon O’Kifi dhe çiftit norvegjez Mej Brit dhe Edvard Mozer. Këta tre studiues, me anë të kërkimeve të tyre hodhën dritë mbi mënyrën se si truri e kupton se ku ndodhemi dhe na tregon se si të zhvendosemi nga një vend në tjetrin.
Sistemi i zbuluar prej tyre është i ngjashëm me sistemin GPS, por që nuk ndodhet në një pajisje elektronike, por në trurin tonë. Ky zbulim mund të ndihmojë për të shpjeguar problemet e pacientëve që vuajnë nga Alzhaimeri, të cilët nuk janë në gjendje të dallojë se ku ndodhen. Pas Nobelit në mjekësi, të martën do të jepet ai për fizikën, që do të pasohet të nesërmen me kiminë, letërsinë, paqen dhe ekonominë. Çmimi Nobel ka filluar të ndahet në vitin 1901 nga akademitë shkencore të Norvegjisë dhe Suedisë, për arritje në fushën e artit, ekonomisë, shkencës, letërsisë etj.