Nojer kyc porten Sulmojme menjehere Italia ka pika te dobeta

Nojer kyç portën: Sulmojmë menjëherë, Italia ka pika të dobëta

"Kur shoh kundërshtarin përpara meje mundohem të mos shtrihem në tokë dhe ta mbuloj sa më shumë portën, njësoj siç bëjnë portierët e vaterpolit". Kjo është teknika e gjigantit Manuel Nojer për të ruajtur kuadratin e tij dhe natyrisht që kjo është një punë që e bën më shumë sesa mirë, sepse jo më kot, e gjithë media botërore e ka përshkruar atë të sotmin si duelin e portierëve legjendarë.

nojer

"Gardiani" gjerman e ka të ardhmen përpara tij, por për të mbërritur në të tilla nivele ai ka pasur si shembull Xhanluixhi Bufon, rivali i tij të sotëm, ndonëse në moshë të re, ai thoshte se imitonte Van der Sarin ose Lehmanin. Por tani ndërsa ai punonte dhe stërvitej, mbetej gjithmonë e më shumë i habitur nga italiani, për të cilin thur elozhe dhe e falënderon për komplimentin.

"Kur dëgjoj se Bufon më vlerëson nuk mund ta mendoni krenarinë që ndiej brenda meje. Xhixhi ka mbi 20 vite karrierë mbi shpatulla dhe ende sot e kësaj dite, në nivele kaq të larta dhe me 38 vite mbi shpatulla mbetet ende një model për t'u ndjekur nga të gjithë, sidomos nga unë. Prandaj, admirimi ndaj tij është total, është një frymëzim".

Manuel Nojer... Ti kundër Bufonit, çfarë sfide do të jetë kjo?

Një duel mes dy futbollistësh, dy portierësh që e admirojnë njëritjetrin. Sa herë takohemi, por edhe gjatë intervistave në media, komplimentet janë reciproke, vlerë- simi gjithashtu. Por në të njëjtën kohë kemi edhe një marrëdhënie shumë të mirë. Bufon është një burrë i drejtë, sepse edhe kur humbet, nuk ngurron që t'i buzëqeshë kundërshtarit. Kemi një marrëdhënie të mirë, flasim shpesh me njëri-tjetrin kur takohemi. Edhe pas ndeshjes në Mynih, pak muaj më parë, ndonëse për atë dhe Juventusin nuk kishte përfunduar shumë mirë, Xhixhi erdhi, më përqafoi, më komplimentoi dhe folëm.

Në çfarë gjuhe?

Me disa gjeste, me gjuhën e portierëve, ndonëse unë kam mësuar mjaft fjalë në italisht. Xhixhi është gjithmonë në qendër të skenës, prandaj për mua është normale që të orientohem te një kampion si ai.

E sheh veten tënde pas 10 vitesh sërish në fushë, si Bufoni?

Nuk e di, nuk besoj, mbase... Por kur shoh një 38-vjeçar si ai që varet mbi traversë dhe feston si i çmendur pas një fitoreje, pa dyshim që është diçka e bukur, sepse kjo tregon sesa shumë e ka kuruar ai fizikun e tij. Është një profesionist, por që natyrisht dua ta mund.

Si po e përgatisni sfidën me Italinë? Po mendoni edhe për penalltitë?

Unë përgatitem njësoj gjithmonë. Studioj lojtarët ofensivë të kundërshtarëve, goditjet e tyre të dënimit, penalltitë, gjithçka mundem, ndonëse tashmë kam moshën dhe sigurinë për t'iu bazuar edhe eksperiencës. Ndaj, sido që të shkojë, me ose pa penallti, unë jam gati.

nojer

Do ta merrje përsipër një penallti kundër Bufonit?

Pse jo. Nëse shokët e mi nuk do të dalin vullnetarë, unë jam gati të zëvendësoj ndonjë prej tyre.

Realisht, të ka habitur ky udhëtim i Italisë në këtë Europian?

E prisje që të ishin kaq të fortë? Unë nuk e kisha menduar kurrë se Italia kishte dalë nga rangu i pretendenteve. Gabimi më i madh që mund të bësh ndaj tyre është t'i analizosh paraqitjet që bëjnë në ndeshjet miqësore. Por kur gjërat bëhen serioze, ata transformohen dhe ja ku janë. Ajo që na ka mahnitur është fakti që sa lehtë e mundën Spanjën, por kanë qenë, janë dhe do të mbeten një kockë e fortë.

Të tremb precedenti i Europianit 2012?

Jo. Kam parë gazetat që i referohen atij takimi, por për mua, ajo është vetëm një ndeshje që i përket historisë tashmë. Kjo e nesërmja (sot) do të jetë totalisht një përballje tjetër.

Ti nuk ke pësuar asnjë gol, por italianët janë komplimentuar se kanë mbrojtjen më të fortë në botë. A kanë pika të dobëta ata?

Sigurisht që kanë një mbrojtje të fortë, por në të njëjtën kohë kanë edhe pika të dobëta. Në 20 minutat e fundit kundër Spanjës pashë mjaft lodhje tek italianët dhe ky është një aspekt të cilin ne duhet ta marrim parasysh. Me këtë dua të them që do të gabonim nëse do t'i prisnim apo të tentonim t'i lodhnim 70 minuta. Përkundrazi, duhet t'i sulmojmë që në fillim, të marrim drejtimin e lojës që në minutën e parë dhe ta mbyllim sa më shpejt këtë ndeshje.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama