Për këtë, policia ka sqaruar një ditë më parë, se: “ Me datë 25 të këtij muaji, në drejtim të disa numrave telefonik është dërguar mesazh nga përdoruesi i identifikuar si "T-Com", me përmbajtjen e mëposhtme : « Od:mrechlym Your Mobile Number has won 600.000 pounds in the Nokia 2011 Awards. Claimcode : G4SC. To claim your prize send email to nokia_40years@live.comThis e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. “. Sa më sipër, Policia e Shtetit bën me dije, se mesazhi në fjalë është një nga format më të spikatura të mashtrimeve kompjuterike të kryera nëpërmjet Internetit. Sipas policisë, ky mashtrim kryhet nëpërmjet postës elektronike, duke njoftuar marrësit e mesazheve se janë shpallur fitues të çmimeve të rreme në shuma të mëdha, me qëllim përfitimin prej tyre në mënyrë të paligjshme të parave apo përdorimin e të dhënave të tyre personale për qëllime kriminale. Nga ana e saj, Policia e Shtetit bën publike disa të dhëna mbi mënyrën se si realizohet ky mashtrim, me qëllim parandalimin e këtij mashtrimi.
“Autorët e mashtrimit, gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme (deri në 600.000 paund) të organizuara nga kompani të mëdha si kompania "Nokia" etj. Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e mashtrimit të tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke bërë qytetarët që të besojnë. se ata janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. “Edhe këta të fundit rezultojnë të jenë viktima nga mashtrimet e mëparshme”- bën të ditur policia. Policia sqaron më tej se: “ Menjëherë sapo kryhet kontakti, mashtruesit bindin viktimat e mashtrimit të tyre, se duhet të japin një shumë parash, paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme, gjoja për të paguar, taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa, apo dhe shërbime, etj.
Me këto mashtrime, ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët”. Për këto raste nga Sektori Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë kryer hetime për veprën penale të "Mashtrimit Kompjuterik", parashikuar nga neni 143/b i Kodit Penal. Në këtë kontekst, Policia e Shtetit fton qytetarët, që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, si dhe për çdo rast të informojnë policinë përmes numrit të telefonit 0694102688, të Sektorit Kundër Krimeve Kompjuterike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.