Nora Istrefi Me Robertin kemi bere plan te martohemi

Nora Istrefi: Me Robertin kemi bërë plan të martohemi
Këngëtarja kosovare Nora Istrefi u përgjigjet thashethemeve në lidhje me xhelozinë e saj të tepruar ndaj të fejuarit pianist 31-vjeçar, Robert Berisha. Ajo ndodhet në Tiranë ndërsa konkurron në “Top Fest 6” me një baladë, por jo e shoqëruar nga Roberti. Edhe pse i kursen detajet për jetën private, në këtë intervistë rrëfen të vërtetën e saj:

Nora, pas dy viteve mungesë konkuroni në “Top fest 6”. Ç’është ky rikthim?

Kjo është hera ime e tretë, që marr pjesë në “Top Fest”. Pas dy këngëve ritmike “Taxi” dhe “Nuk mundem”, këtë herë vij me një baladë të realizuar nga Armend Rexhepagiq, Aida Baraku dhe Darko Dimitrov. Me mungoi “Top Fest-i” këtë kohë, dhe ndaj vendosa të rikthehem.

Pse baladë? Ka lidhje me gjendjen tuaj shpirtërore të momentit?

Mendova se një baladë është e bukur, dhe na pëlqen të gjithëve ta dëgjojmë.

Por ka patur zëra se këngët tuaja janë shpesh ditari juaj shpirtëror. Ç’mund të thoni?

Mund të them se kushdo prej nesh mund të gjejë veten tek këngët e mia. Por nganjëherë këngëtarëve u ndodh të këndojnë për vete.

Këngët transmetojnë shumë dashuri, zhgënjime... Cila është jeta që bëni?

Jeta ime dominohet nga muzika, koncertet çdo fundjavë në diasporë, dhe koha që kaloj me Robertin, të fejuarin tim.

Si shkon fejesa? Mediat kanë shkruar shpesh për një lidhje që përjetohet me shumë xhelozi nga ana juaj?

Nuk preferoj të flas për jetën time private, ajo duhet të mbetet e tillë. Por mund të them se me Robertin gjërat po shkojnë spontanisht për mirë, dhe kemi bërë plan që në një të ardhme jo të largët të martohemi.

Çfarë ceremonie do të jetë?

Patjetër do të jetë një ceremoni e madhe, dhe e hapur për mediat.

Roberti nuk ju shoqëron në udhëtimet tuaja. Edhe këtë herë keni ardhur me mamin, dhe motrat. Pse?

Sepse ai ka angazhimet e tij për momentin. Është instrumentist i Sina Vllasaliut, Miranda Hashanit dhe këngëtarëve të tjerë nga Kosova, kështu që nuk mund të planifikojmë udhëtime të përbashkëta. Ndërkohë që po punon për hapjen e studios së tij muzikore në Kosovë.

Si kompozitor, ai ka bashkëpunuar me artistë të ndryshëm. Po me ju?

Po, ai shpesh më jep ide për këngët e mia. Gjithashtu është kompozitori i këngës në duet me Sinan Vllasaliun.

Cili është kompozitori këtu në Tiranë me të cilin keni miqësi të përbashkët?

Flori Mumajesi, miku im dhe i Bertit. Flori ka krijuar këngët e mija “E ke, e ke”, dhe “S’ka kthim”, dy realizime që më pëlqejnë shumë. Ndërkohë që pres të publikoj klipin “Vetëm mua”, që do të transmetohet nga televizionet muzikore, pas dy javësh.

Dukeni në formë shumë të mirë fizike, si ja keni arritur të bini në peshë?

Udhëtimet e shpeshta dhe lodhja në diskoteka më ka bërë të bie dukshëm në peshë. Tashmë jam 1.75 m e gjatë, dhe peshoj vetëm 60 kg. Pësova rënie të ndjeshme para dy vitesh, dhe me palestër arrita të ruaj këtë formë pa problem.

Po thoni që nuk keni mbajtur dietë?

Jo absolutisht, nuk i preferoj dietat. Por di të them, që përpiqem të konsumoj ushqime të shëndetshme, dhe të ushqehem aq sa të mos ngopem plotësisht.


PanoramaPlus

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama