Zoti Kryeministër, çfarë ishit duke bërë kur plasën bombat në Oslo më 22 korrik?
Isha duke shkruar fjalimin që kisha ndërmend të mbaja një ditë më pas para socialistëve të Utoya-s. Unë e dëgjova shpërthimin dhe në atë moment nuk mund të imagjinoja atë që kishte ngjarë në të vërtetë. Disa sekonda më pas më morën në telefon për të më dhënë edhe lajmin e kobshëm të plasjes së bombave dhe më pas pata edhe telefonata që kishin të bënin me shqetësimin ndaj meje.
Në cilin moment e keni kuptuar se bëhej fjalë për një tragjedi të përmasave të tilla?
Ishin kolegët e mi që ma komunikuan dhe më thanë edhe për fuqinë e këtij shpërthimi. Por në fakt pak më pas e kuptova edhe vetë kur pashë me sytë e mi të vinin disa kolegë të mbuluar me gjak dhe të tmerruar nga ajo që kishte ndodhur. Ata ishin në katin e 5 kur tragjedia kishte ndodhur. Atëherë kuptova se njerëzit që do të kishin qenë në katin e parë të godinës kishte shumë mundësi që të kishin vdekur.
Si reaguan truprojat tuaja në një moment të tillë?
Ata më dërguan menjëherë në një dhomë të sigurt në një kat të nëndheshëm. Ata mendonin se kur ndodhin gjëra të tilla zakonisht nuk bëhet fjalë për një sulm të vetëm, por për një sërë sulmesh që do të pasonin njëri-tjetrin. Mendoja se ishin duke e ekzagjeruar me këtë ide, por më pas, ndërsa ishim ulur me televizorin hapur, morën vesh edhe për atë që po ndodhte në kampin e të rinjve në Utoya. Fillimisht vlerësimi i policisë për viktimat ishte 10 vetë, por më pas më thanë se numri i tyre duhet të ishte pa dyshim shumë më i madh.
A patë ju menjëherë ndonjë lidhje të mundshme mes të dyja sulmeve?
Kjo ishte edhe ideja ime fillestare, e cila u konfirmua kur krimineli u arrestua në 18.30. Menjëherë ngritëm një grup krize. Më pas po atë ditë dhashë edhe konferencën e parë për shtyp dhe bëra vizitat në spital te të plagosurit dhe më pas vendosa që të shkoja të pushoja, sepse përpara kisha një ditë shumë-shumë të vështirë.
Arritët që të flinit?
Jo. Kam folur me telefon gjatë gjithë kohës dhe në orët e vona mora edhe informacionin në lidhje me numrin e saktë të të vrarëve: 80 vetë. Ishte shefi i policisë ai që ma dha këtë lajm të kobshëm. Sigurisht që nuk mund të vija gjumë në sy me një tragjedi të tillë. Ndieja një hidhërim të madh brenda meje dhe njëherazi më dukej një lajm i pamundur.
Si arritët që të gjenit fjalët e duhura për familjet e viktimave në një moment kaq të rëndë për ta dhe për të gjithë kombin?
Së pari mund të them se në momente të tilla fjalët nuk janë të nevojshme. Njeriu vetëm përqafon. Ndërkohë u thashë që të mbanin mend vetëm kujtimet e bukura nga fëmijët e tyre, ditët me diell të kaluara me ta. Por ishte një situatë mbytëse. E ndjeva veten të rrethuar nga një det i madh hidhërimi.
Ju vetë keni qarë?
Jo, në atë moment. Detyra ime ishte që të ngushëlloja njerëzit, t’i mbështesja, pra të tregohesha më i fortë se ata, edhe pse më qante zemra. Por befas në një moment lotët nuk u bindën më dhe kjo më dha një ide për sjelljet e papritura të njerëzve në raste të vështira.
Në atë ditë ju dhatë edhe një fjalim shumë mbresëlënës. A kaluat shumë kohë në përgatitjen e tij?
Epo mund të them se kam qenë shumë i zënë për ta shkruar dhe më kujtohet se e kam shkruar pjesën më të madhe gjatë udhëtimit me helikopter drejt Utoya-s. Ndërsa po e lexoja, po e dëgjoja edhe vetë për herë të parë dhe fillimisht m’u duk një fjalim me fjalë shumë të ashpra, por pastaj mendova se ishin fjalët e duhura për një rast të tillë.
Ju keni përsëritur në mënyrë të vazhdueshme një frazë gjatë këtij fjalimi: “Norvegjia do t’i përgjigjet këtij sulmi me më shumë demokraci, më shumë hapje…”
…por jo me naivitet.
Si mund të ishit të sigurt që norvegjezët, bashkëkombësit tuaj, do të ishin dakord me këtë?
Nuk mund të isha i sigurt sigurisht, por u befasova shumë e disa ditë pas sulmit norvegjezët u sollën ekzaktësisht siç e kisha thënë unë se do të silleshin. Norvegjezët nuk e lejuan dhe nuk u dorëzuan. Sigurisht që qëllimi i këtyre sulmeve ishte krijimi i panikut në shoqëri, në mënyrë që ajo të mbyllej në vetvete dhe të paralizohej. Por ajo nuk ndodhi.
A ju goditi fakti që krimineli ishte një norvegjez?
Sigurisht. Ne mund të jemi një vend i vogël, kemi gjithsesi 5 milionë banorë, por fatkeqësisht një person i vetëm na goditi rëndë.
A i keni bërë pyetje vetes se përse ai nuk ju pati ju personalisht si objektiv të sulmit të tij?
Po, e kam menduar. Dhe nuk mund të përjashtoj faktin se ndoshta sulmi i Oslos më kishte pasur mua si qëllim eliminimi, apo edhe frikësimi.
A e urreni Breivik?
Jo. Unë nuk përdor fjalë të tilla.
Gjithsesi nuk ia keni zënë kurrë emrin me gojë.
Sigurisht dhe jam munduar që ta shmang e nuk më pëlqen që të jetë aq shumë në qendër të vëmendjes, sepse në radhë të parë motivi i aktit të tij ishte pikërisht tërheqja e vëmendjes. Unë u përqendrova te viktimat dhe vuajtja e tyre e padrejtë.
A jeni ndier ndonjëherë përgjegjës për atë që ndodhi?
Ka vetëm një person që është përgjegjës për një gjë të tillë dhe ky person është krimineli në fjalë. Por sigurisht që unë mbaj përgjegjësi për mënyrën se si policia dhe forcat e sigurimit reaguan dhe se si e kanë përgatitur publikun për situata të tilla.
A mendoni se norvegjezët janë aq naivë sa të mos e çonin kurrë nëpër mend mundësinë e ndodhjes së situatave të tilla në vendin e tyre?
Pas 11 shtatorit të vitit 2001, vrasjes së ministres së Jashtme të Suedisë, Anna Lindh, dhe dërgimit të trupave tona në Afganistan, ne i rritëm masat mbrojtëse dhe parandaluese. Por edhe ato vende që patën më shumë masa të tilla u sulmuan dhe patën edhe ato viktimat e tyre si në rastin e bombave në Britaninë e Madhe në vitin 2007, apo edhe në Spanjë. Një mbrojtje e tillë është e vështirë dhe nuk është asnjëherë një siguri e plotë.
Sipas disa sondazheve të fundit, del se norvegjezët duan më shumë siguri dhe ligje më të rrepta që nga sulmi në fjalë. Si keni ndërmend që ta mbroni hapjen e shoqërisë që ekziston në vendin tuaj?
Pjesa më e madhe e norvegjezëve janë pro një shoqërie të hapur dhe hapja që ekziston mes politikanëve dhe popullit do të vazhdojë, por, nga ana tjetër, do të vendosim më shumë masa mbrojtëse nëpër godina.