Notat e skuadrave/ Ngjiten te vegjlit ku renditen kryesuesit

Notat e skuadrave/ Ngjiten të vegjlit, ku renditen kryesuesit

Kur mbeten edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit, skuadrat që renditen në fundin e tabelës surprizuan me rezultatet e tyre duke ndalur dhe mundur kryesuesit që pretendojnë fitoren e titullit.

13151394_503983153129419_3422586662769712151_nEkipi i Bylisit vlerësohet me notën më të lartë pas fitores në "Qemal Stafa" ndaj Partizanit, ndërsa në vend të dytë renditet Flamurtari me tri pikët e marra të dielën e kaluar ndaj Tiranës.

Ashtu si rrallë herë në kampionatin shqiptar, Skënderbeu dhe Partizani renditen poshtë skuadrave që luftojnë për mbijetesën në Superiore.

Notat e skuadrave:

Bylis 8.5 - Me atë që kanë arritur në "Qemal Stafa", ballshiotët meritonin edhe maksimumin e vlerësimit, mirëpo qoftë edhe vetëm vonesa e mbërritjes në impiant bën që të kenë një notë më pak. Ndeshje manual për "fair play"-n dhe që shpjegon më së miri mrekullinë e këtij sporti. Me këtë fitore bëri "lëmsh" kreun dhe fundin e tabelës.

Flamurtari 7.5 - Dy supergola dhe tri pikë që e mbajnë ende në garë për mbijetesën. Vlonjatët shkojnë me maksimumin e tyre në Ballsh për të diskutuar mbijetesën me Bylisin, ku u mjafton edhe një barazim.

Vllaznia 6.5- Trepikëshi i radhës është ai që u hep qetësinë shkodranëve. Për të ardhur keq ky sezon që kaluan, ama duke parë objektivin që kishin, e realizuan. Dy gola të shpejtë kanë siguruar gjithçka dhe u kanë dhënë fund llogarive.

Teuta 6 - Vetëm një pikë, e marrë ndaj skuadrës që është në krye të kampionatit dhe e synon titullin për herë të gjashtë radhazi, është shumë. Kalendari nuk i favorizon përballë Kukësit për vendin e tretë, ama kjo Teutë ka realizuar më së miri objektivat, edhe nëse në fund do të dështojë për Europën: ndërtoi një skuadër kompetitive dhe pa shumë shpenzime.

Skënderbeu 6 - Pavarësisht asaj që ndodhi në kryeqytet, Josa me të tijtë morën atë që deshën: pikë. Një barazim që nuk u siguron matematikisht titullin, por u jep shansin që në "finale" të luajnë për një tjetër pikë të vetme. Josa është me laps në dorë dhe deri tani llogaritë i japin të drejtë: I duhet një pikë përballë të kuqve, ose tri pikë të plota në përballjen e fundit.

Laçi 5.5- Ka marrë një pikë falë një eurogoli në minutat shtesë dhe ka garantuar matematikisht qëndrimin në Superligë. Notë e ulët edhe për lojën e ashpër të kurbinasve.

Kukësi 5.5- Një gjysmë note më pak për mungesën e qetësisë, sidomos në të parën dhe rasteve të shpërdoruara për të garantuar fitoren. Megjithatë, një pikë në Laç nuk është asnjëherë pak dhe për më tepër që të besuarit e Duros mbeten në vendin e tretë.

Tirana 4- Kishte shumë më shumë mungesa sesa kjo notë, mirëpo mbyllja e një tjetër sezoni pa realizimin e objektivave, nuk meriton notë kaluese. Për të ardhur keq që një ekip me pretendime dhe me investime për të fituar titullin përfundon edhe pa Europë...

Tërbuni 3- Humbja e radhës është pak të thuhet për një ekip që tashmë numëron minutat e fundit në elitën e futbollit shqiptar. Vështirësitë e shumta e kanë mposhtur këtë ekip pa hyrë ende në fushë, pasi sapo zbret në impiant, Vllaznia nuk i jep asnjë shans për të flirtuar me pikët. Në fund të fundit, për pukjanët nuk kanë asnjë vlerë numerike në tabelë, ndërsa për kuqeblutë ishin jetike.

Partizani 2- Si dy golat e Hoxhës që e ulën me këmbë në tokë, për të mos thënë që e "ngulën". Nuk ka asnjë tolerim që një skuadër që pretendon titullin, një javë përpara përballjes direkte me kryesuesen kur distanca është katër pikë, të mundet në shtëpi nga një ekip që luan mbijetesën dhe në finale të shkojë "-5". Tashmë titulli për të kuqtë nuk varet më vetëm nga një fitore e tyre në ndeshjen direkte...


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama