Nga data 4 qershor, transaksionet e pronave dolën nga pluhuri i regjistrave të noterëve dhe u bënë të lexueshme për mijëra zyrtarë që hetojnë apo gjurmojnë kundërvajtje dhe vepra penale të ndryshme. Regjistri Noterial Shqiptar (RNSH), tashmë në formë elektronike, është i aksesueshëm për shumë institucione. Me fjalë të tjera shitblerjet e pronave të patundshme nuk janë më “sekret” i palëve, por një vendim qeverie përcakton edhe kush do të ketë mundësi t’i shohë veprimet dhe transaksionet që kryhen në zyrat noteriale.
Kush ka të drejtë t’i shohë
Institucioni administrues i sistemit dhe i bazave të të dhënave të tjera, sipas vendimit të qeverisë, është Ministria e Drejtësisë, ndërsa palë e interesuar dhe përgjegjëse në proceset e noterisë, është Dhoma Kombëtare e Noterisë. Dhënës të informacionit janë: noterët; Ministria e Drejtësisë; palët, individët dhe subjektet (fizike dhe juridike). Ndërkaq, subjekte të interesuara, që kanë të drejtë të hyjnë në regjistër janë: Ministria e Financave; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave; Policia e Shtetit, Prokuroria apo agjenci të tjera të hetimit; Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Por qeveria e lë të hapur mundësinë ta shtojë këtë listë. Vendimi thekson në fund të listës fjalët: “Çdo subjekt tjetër i përcaktuar shprehimisht me vendim të Këshillit të Ministrave”. Renditja e nivelit të aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të regjistrit nis me noterët. Ata kanë të drejtë leximi vetëm mbi të dhënat e tyre për regjistrat e akteve, veprimeve, testamenteve dhe të dëshmive të trashëgimisë, si dhe të dhëna të tjera dytësore apo të dhëna referencare; noterët kanë të drejtë leximi në regjistrat publikë, si në regjistrin e akteve të revokuara, regjistrin e dëshmive të trashëgimisë etj., sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë, noterët kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi mbi të dhënat e të gjithë individëve dhe subjekteve; kanë të drejtë shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për aktet ose veprimet që nuk janë arkivuar. Ndërsa, Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi për raporte përmbledhëse të të gjithë noterëve; listën e regjistrit të testamenteve dhe nuk ka të drejtë për të parë dokumentin dhe tekstin e testamentit. Dhoma shikon vetëm lëshimin ose jo të testamentit nga noteri për testamentshkruesin; regjistrin e dëshmive të trashëgimisë; ka të drejta leximi në të dhënat dytësore për komunikim ose miratim të kërkesave të noterëve në procese aprovuese të ndryshme. Ministria e Drejtësisë ka të drejta të plota administrative mbi baza të dhënash të tjera dhe sistemin në rolet: administrator, raportues, auditues, zhvillues. Subjektet e tjera, sipas përcaktimit me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të kenë akses në nivelin raportues apo statistikor, për të monitoruar apo për të raportuar mbi veprimet noteriale.
Regjistri
RNSH-ja përmban: a)të dhëna parësore që konsiderohen të dhënat e mbledhura në kohë reale nga RNSH-ja dhe që kanë të bëjnë me regjistrin e akteve dhe veprimeve noteriale; regjistrin e testamenteve; regjistrin e dëshmive të trashëgimisë; dokumentet e skanuara të akteve dhe veprimeve noteriale; të dhënat për palët, individë dhe subjekte; kërkesat dhe miratimin për modifikimin e akteve dhe veprimeve noteriale; kërkesat dhe miratimin për lëshimin e dëshmive të trashëgimisë. b) Të dhëna dytësore, që konsiderohen të dhënat që kanë të bëjnë me të dhëna referencare të Gjendjes Civile, si nr. personal, emri, mbiemri, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia/komuna, adresa; të dhëna referencare të QKR-së, si përfaqësuesi, roli i përfaqësuesit, emri i subjektit, tipi i subjektit, NIPT-i, bashkia/komuna, adresa, shteti; të dhëna referencare për ndërveprimin dhe baza të dhënash të tjera.
Të dhënat
Të dhëna parësore janë aktet noteriale, regjistri i testamenteve, regjistri i dëshmive të trashëgimisë, dokumentet e skanuara