Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha qetëson të gjithë banorët e Tiranës, të cilët janë shqetësuar kohët e fundit pasi u përfol për një rritje të mundshme të çmimit të biletave të urbanëve.
Basha tha sot se, “Bashkia do të vendosë veton për rritjen e çmimit të biletave të urbanëve”. Ai gjithashtu tha se deri diku kërkesa e kompanive të shërbimit urban qëndron, për shkak të rritjes së taksës së karburanteve nga ana e qeverisë. Por Basha tha se, Bashkia do t’i dërgojë një letër qeverisë në të cilët t’i kërkojë që të heqë ose të rimbursojë TVSH dhe akcizën për shoqëritë e shërbimit urban në Tiranë, në mënyrë që të mos lejohet rritja e çmimit të biletave dhe aboneve.
“Bashkia i ka propozuar qeverisë heqjen e akcizës së karburanteve ndaj operatorëve të transportit publik në Tiranë. Kjo është normale në mënyrë që të kemi një shërbim dinjitoz të transportit publik në Tiranë. Dhe nga ana tjetër për të mos rënduar xhepat e qytetarëve shqiptarë. Ky është qëndrimi jonë. Këtij qëndrimi do t’i përmbahemi pa asnjë ndryshim, në raport me kërkesat që na përjashtohen qoftë nga operatorët, qoftë nga qeveria. Letra do t’i dërgohet nesër qeverisë”, tha Basha.