Në ekspozitën në grup shikojmë foto të ndryshme fëmijësh, burrash, grash, të papunësh. Shikojmë fotografi të policëve që monitorojnë qarkullimin, fotografi të moshuarish që shullëhen në diell ose luajnë domino. Fotografi të pallateve shumëngjyrësh, njerëz që kalojnë nëpër shina treni, njerëz që punojnë arat, thes të mbushur me lule dielli që shiten nëpër rrugët e Tiranës, punëtor ndërtimi, besimtar në xhami etj. Qëllimi i fotografit francez ka qenë që të bënte një ndërthurje të artit me fotoreportazhin.
Ai në një intervistë për “Shekullin” shprehet se “jetojmë në një botë ku njerëzit nuk kanë shumë kohë të lexojnë. Përpara një fotoreportazh shkonte 20 faqe, sot shkon deri në 6 faqe”. Sipas tij duhet që t’i kushtojnë kohë dokumentimit të fakteve. Sepse ndoshta për momentin këto mund të duken si fotografi të vogla, por nëse do t’i shohim pas 20 apo 25 vitesh ato do të jenë pjesë e kujtesës së vendit. Arnaud Brunet (35 vjecc) ka përfunduar studimet për filozofi dhe letërsi franceze. Hera e parë që ka “prekur” aparatin fotografik ka qenë në moshën 18-vjeçare. Ndërsa si profesionist ka filluar në vitin 2001. Fotografit janë realizuar pas një ëorkshopi një mujor nën drejtimin e fotoreporterit francez Arnaud Brunet dhe gjenden në ambientet e Fakultetit të Galerisë së Arteve.
Si lindi ideja e bashkëpunimit me studentët shqiptarë?
Ambasada Franceze kishte në projekt për të bërë një “ëorkshop” në Tiranë. Isha dakord që të merrja pjesë në “ëorkshop” me kusht që t’i ndërthurnim artin dhe fotoreportazhin. Kisha dy këndvështrime të rëndësishme. E para ishte që shqiptarët të fotografonin vendin e tyre. Kam përshtypjen se ka shumë të huaj që fotografojnë Shqipërinë, por jo aq nga vetë shqiptarët. E dyta, aktualisht në fotografi bëhet një ndryshim ndërmjet fotoreportazhit dhe artit. Prandaj ky projekt është interesant sepse studentët kanë punuar sikur të ishte një fotoreportazh.
Cilat janë temat që keni trajtuar në këtë projekt?
Në fakt nuk u kam imponuar ndonjë temë të veçantë. Grupet i kanë zgjedhur vet temat. Ajo që unë doja t’u përçoja studentëve ishte të zgjidhnin dhe të përqendroheshin mbi një “histori” të vetme. Grupi i parë zgjodhi të “trajtojë” trenin që udhëton nga Tirana në Durrës. Me këtë arritëm të hulumtonim mbi politikën e së kaluarës, si komunizmi etj. ku njerëzit e përdornin trenin sepse nuk ishte i kushtueshëm, por që nga ajo kohë nuk mirëmbahet më. Ata që e përdorin sot nuk kanë mundësi tjetër. Kjo historie e shkurtër tregohet dhe nëpërmjet fotografive. Grupi tjetër zgjodhi të trajtojë jetën në Tiranë, pra si e shikon një ditë në këtë qytet. Pasqyrohet trafiku i rënduar, njerëz që shkojnë në punë ose që janë thjesht në rrugë, studentë të kursit duke zhvilluar leksion ose duke pirë kafe.
Në fotografit e Trenit shikojmë vetëm gjendjen e rënd të transportit në shqipëri.
Studentët kishin dëshirë të trajtonin temën e transportit. Është diçka që bën lidhjen ndërmjet një epoke të kaluar dhe të tashmes. Pikërisht këtu shohim zhvillimin që ka ndodhur, për shkak të ndryshimeve politike. Vihet re që treni nuk mirëmbahet. Pse ndodh kjo nuk e dimë. Mendoj se ata zgjodhën këtë temë sepse unë u kërkova që ta pasqyronin Tiranën ndryshe nga çfarë sheh një turist. Në këndvështrimin e një të huaj, kur flasim për Tiranën kemi parasysh sheshin kryesor dhe pallate të shumëngjyrshëm. Nëpërmjet studentëve unë kam mësuar më shumë sesa do të mësoja si turist.
Fotografit do të shoqërohen me shkrim ?
Tek fotografitë e trenit, do të vendosen disa fjalë të personave në tren, që janë ose jo në fotografi. Teksti nuk do të jetë i gjatë. Për fotografitë e tjera me portrete si për shembull polici, apo pleqtë që luajnë domino pa u shoqëruar me tekst. Tekstet nuk janë më shumë se 15 reshta.
Pse keni përdorur që fotografit e ekspozitës të jenë në bardh e zi?
Së bashku me studentët kemi përdor fotografit bardh e zi sepse nuk kemi dashur të jemi teknik. Nuk doja që studentët të përqendroheshin mbi kalibrimin e aparatit fotografik, por që të përqendroheshin në inkuadrimin e fotografisë. Pastaj ka një lehtësim me motivin bardh e zi sepse nga njëra anë fotografia është pak më e bukur sesa ajo me ngjyra. Sepse motivi bardh e zi të ngacmon imagjinatën duke qenë se është i vjetër dhe të kërkon më shumë përqendrim.
Duket sikur këto fotografi përcjellin vetëm anën e “ errët” të Shqipërisë. Njerëzit duken të zymtë, rrugët të pashtruara etj.
Këto foto i kanë zgjedhur vetë studentët. Në tren për shembull njerëzit janë vetëm për të udhëtuar dhe nuk është se janë shumë të gëzuar që ndodhen aty. Mua nuk më duket se janë të zymtë. Sipas meje më ngjajnë sikur janë “diku” tjetër, nuk e kanë mendjen në këtë realitet. Ata janë në këtë tren sepse janë të detyruar. Në ekspozitën tjetër studentët kanë dashur të tregojnë atë që shohin përditë. Mendoj se po të më kishin kërkuar të bënim një temë për pub-et dhe klubet e natës, mbase njerëzit do të kishin dalë më të gëzuar. Nga ana tjetër kur shohim punëtorët ata nuk duken se janë as mirë as keq.
Këtë përshtypje të krijojnë...
Atëherë këto janë ato që unë i quaj fotografi normale. Ideja është që në fotografi duhet të dalësh i qeshur. Në jetë ke momente gëzimi dhe trishtimi. Nuk është e thënë se kur je i gëzuar duhet të qeshësh çdo 10 minuta (qesh).
Si e përshkruani përvojën tuaj me studentët shqiptarë të arteve të bukura dhe gazetarisë?
Ajo që unë pashë këtu, qofshin studentët e gazetarisë apo të arteve të bukura, ka shumë prirje, si kudo në botë, për të kërkuar diçka të huaj jashtë të përditshmes. Besoj se me këtë “ëorkshop”, studentët mësuan se nuk ka tematikë të vogël, por fotografë të vegjël (qesh). Nuk duhet fotografuar personazhi, por realiteti. Prandaj duhet që t’i kushtojnë kohë dokumentimit të fakteve. Për momentin këto mund të duken si fotografi të vogla, por nëse do t’i shohim pas 20 apo 25 vitesh ato do të jenë pjesë e kujtesës së vendit.
Mendoni se gazetaria po kthehet në një formë arti. Sepse fotografia sa vjen e bëhet pjesë e rëndësishme e një artikulli.
Jetojmë në një botë ku njerëzit nuk kanë shumë kohë të lexojnë. Nuk e di si është këtu në Shqipëri, por në Francë dhe në SHBA ekziston ky problem. Përpara mund të bënim një fotoreportazh deri në 20 faqe, ndërsa sot një reportazh me fotografi dhe tekst mund të shkojë deri në 6 faqe. Tashmë nuk e ke më këtë hapësirë nëpër revista.
Besoj se për ju është hera e parë që jeni këtu?Cili është imazhi që kishit krijuar për Shqipërinë?
Po, është hera e parë që vij në Shqipëri. Më pëlqen shumë të udhëtojë. Sigurisht që kam pasur steriotipe si gjithkush (qesh). Për mua Shqipëria më dukej më afër shteteve sllave, jo nga ana gjeografike, por nga mentaliteti. Me pak fjalë mendoja se Shqipëria ishte më afër mentalitetit sllav sesa atij evropian. Më pëlqen që në Shqipëri mund të gjesh mentalitetin ballkanik edhe mesdhetar. Por më çudit fakti që njerëzit janë shumë mikpritës. Për shembull kur shkoj në një fshat dhe pse nuk di të flas shqip, nuk e kam pasur të vështirë të komunikojë qoftë edhe duke përdorur duart. Kam udhëtuar dhe në vende të tjera të Ballkanit. Për shembull në Serbi njerëzit ishin më të ftohtë se këtu.
Kur keni filluar të merreni me fotografinë?
kam përfunduar studimet për filozofi dhe letërsi franceze. Hera e parë që “preka” aparatin fotografik ishte në moshën 18-vjeçare. Ndërsa si profesionist fillova në vitin 2001. Atëherë isha 24 vjeç. Që nga ajo kohë punoj si fotograf, por nuk është se kam kryer studime në këtë fushë.
Keni bërë edhe fotoreportazhe për zona të përfshira në konflikte?
Fotoreportazhi i parë që kam bërë ka qenë në Bregun e Fildishtë në vitin 2001, ku edhe dola shumë keq (qesh). Por të themi të drejtën sapo kisha filluar. Më pas një gazetë më dha mundësinë që të punoja për ta duke fotografuar ngjarje të ndryshme në Paris, si protesta etj. Kështu pak e nga pak fillova të përmirësohesha dhe të jetoja me këtë profesion.
Keni një fokus të përcaktuar?
Në fakt nuk dua të specializohem. Shumë persona më thonë se jam fotograf lufte, disa më thonë se jam fotograf VIP-ash, etj. Për 8 vjet kam punuar në një agjenci fotografike, ku të mësojnë të jesh fotograf i përgjithshëm. Për shembull një ditë mund të jem duke fotografuar kreun e shtetit, një ditë tjetër mund të jem duke fotografuar yje të “shoëbiz”-it etj. Por më pëlqen të tregoj një histori me 30 fotografi.
Cila është pjesa më e bukur e të qenurit fotograf?
Unë them shpesh se jam fotograf sepse vetëm këtë gjë di të bëj (qesh). Ajo që unë dua në këtë profesion është një mënyrë e të shprehurit një mendim, ashtu si disa të tjerë e bëjnë nëpërmjet të shkruarit. Avantazhi i fotografit është se nuk ka përkatësi sociale. Shtresat shoqërore si presidenti, i pastrehu që ndodhet në rrugë, një punëtor ose një VIP kinemaje, për mua janë në të njëjtin nivel. Ne mund të “udhëtojmë” në të gjitha këto shtresa shoqërore. Ky profesion, së bashku me gazetarinë, në një shkallë globale të lejon një gjë të tillë. Përveç kësaj kemi akses në shumë vende të ndryshme. Pastaj më pëlqen shumë t’u tregoj njerëzve çfarë po ndodh dhe që të më tregojnë të tjerët. Kam dëshirë të jem në vendngjarje.