Zoti Gjika, na ndajnë vetëm diçka më shumë se dy muaj nga festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Si do ta presë Vlora këtë datë që lidhet drejtpërdrejt me historinë e saj?
Vlora do ta presë 100 vjetorin e Pavarësisë me të gjithë dimensionin që ky përvjetor unik ofron për qytetarët, për këtë brez dhe për qytetin. Jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht ky Njëqind vjetor nuk mund të ndahet nga qyteti ku Ismail Qemal Vlora ngriti flamurin kuq e zi, duke i dhënë jetë ëndrrës thuajse të pamundur të rilindasve për krijimin e një shteti autonom shqiptar. Pavarësisa, kjo ëndërr, ky program, ky projekt thuajse i pamundur për kohën, mori jetë dhe u arrit në Vlorë, aspak si një rastësi. Faktet se tentativat për ta materializuar në Durrës apo gjetkë ndeshën me pengesa të mëdha, tregojnë më së miri për peshën e qytetit, për ndjenjën atdhetare dhe ambjentin e ndezur. Këto janë tregues të një viriliteti kombëtar, i cili ishte shumë më i ndjeshëm se kudo gjetkë në çdo cep të Shqipërisë etnike apo administrative, qoftë jashtë apo brenda kufinjve të sotëm zyrtarë.
Vlora e përpara 100 vjetëve ishte toka e duhur për të lëshuar farën e mëvetësisë, sovranitetit, prosperitetit të bijve të shqipes. Kjo që po them nuk ka asnjë lidhje thjesht dhe vetëm me momentin solemn të 100 vjetorit, por është një fakt i pakundërshtueshëm historik. Ky nuk është as emocion patriotik dhe as tepri lokaliste. Rrënjët e këtij vendi u hodhën në Vlorë dhe ndaj ne pas 100 vjetësh, megjithë furtunat e forta që kemi kaluar, nga pushtimet e deri tek anarkitë e tmerrshme, jemi ende në këmbë pasi kjo tokë di ta mbajë fort këtë pemë që quhet Pavarësi. Në këtë prizëm, Vlora po e prêt 100 vjetorin me entuziazëm, krenari dhe dashuri. Thjesht, pasi nga ky qytet lindi një shekull më parë çdo gjë që bën të gjithë qytetarët e sotëm ta quajnë veten shqiptarë. Deri atëherë ata quheshin ndryshe, dhe pa Vlorën kush e di si do thirreshin. Dhe më duket se po të themi vetëm këtë fakt, kjo nuk është pak.
Cili është programi juaj i punëve, në kuadër të përgatitjeve për 100 vjetorin? Me çfarë po merret aktualisht bashkia në funksion të kësaj date?
Më lejoni t’ju korrigjoj, pasi kur flasim për 100 vjetorin e Pavarësisë, nuk mund të ndajmë Bashkinë e Vlorës nga i gjithë qyteti. Në rradhë të parë, qytetarët ndihen përgjegjës për festimet e këtij përvejtori unik për ta, ndihen entuziastë si mikëpritës të gjithë shqiptarëve nga gjithë trevat tona, por ndihen dhe krenarë që trashëgojnë të njëjtat vlera si parardhësit e tyre të një shekulli më parë. Në këtë konteks, qyteti ynë i ka nisur festimet që më 24 janar të këtij viti, duke përkujtuar ditëlindjen dhe ditëvdekjen e babait të kombit, Ismail bej Qemal Vlorës. Respekti për këtë datë të veçantë, që bashkon jetën dhe shuarjen e Atit të shtetit tonë, ishte pikënisja e vlerësimit jo vetëm për ata që themeluan shtetin shqiptar, por për gjithë atdhetarët që u shuan në altarin e lirisë me qëllimin fisnik, që ne sot të jetojmë në këtë vend të lirë me emrin Shqipëri.
Mendoni pak nëse kjo nuk do kishte ndodhur. Imagjinoni nëse këta burra shteti nuk do ishin mbledhur atë nëntor 1912, por do t’i kishin lënë dorë të lirë të tjerëve, fuqive të mëdha apo fqinjëve, turqve apo grekëve, serbëve, italianëve, austro-hungarezëve e francezëve, apo kujtdo tjetër, ç’do të kishte ndodhur. Ndaj për këto arsye, por edhe më themeloren e këtyre ngjarjeve, pavarësinë më 28 Nëntor, qyteti i Vlorës po e jeton këtë vit të 100-të me krenari dhe entuziasëm, me festime akademike, por dhe me aktivitete spontane. Po e festojmë me inagurime monumentesh, por edhe me party në plazhe, me solemnitetin hijërëndë, por pa harruar argëtimin e një brezi të ri që shijon lirinë nga vepra e baballarëve të kombit. Shkurt, po e festojmë si vlonjatë, me qejfe dhe derte, me seriozitet, por edhe me ekzagjerim, herë labçe e herë me vaje. Pasi po festojmë jo pak, por 100 vjetorin e jetës tonë.
Ka pasur prej kohësh një rivalitet mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, në lidhje me pikën e rëndesës së këtyre festimeve, pra nëse duhet të jetë Vlora apo Tirana epiqendra e aktiviteteve festive. Si e shihni këtë rivalitet, sa i përligjur është ai?
Për çfarë rivaliteti bëni fjalë? Asnjë lloj rivaliteti nuk mund të ketë, as historik, as social dhe as kulturor. I vetmi rivalitet, nëse mund ta quajmë të tillë këtë absurditet, është ai politik. A mund të pranohet që të ketë rivalitet për celebrimin e Pavarësisë, prej Tiranës apo Bajram Currit, prej Korçës apo Sarandës, prej Tetovës, Lushnjës, Lezhës, Fierit, Sarandës apo Prizrenit? Nëse pyesni tiranasit apo durrsakët, pejanët apo skraparlinjtë, shkodranët, struganët, ulqinakët, në daçi edhe fierakët e tropojanët, se ku është themeluar Shqipëria, ata me thjeshtësinë më të madhe do të tregojnë Vlorën dhe veprën e Ismail bej Qemalit. Këtë fakt dhe vlerë, të gjithë ne bashkë që quhemi shqiptarë, e kemi ruajtur prej 100 vjetësh me fanatizëm dhe asnjë hasëm e askush prej armiqve, megjithë përjekjet e shumta, nuk na e ka mohuar dot. Ndaj as sot themelet e këtij shteti nuk i mohon dot kërkush, serb, turk a grek ekstrem. Nuk na i mohon as ndonjë shqiptar që në sy ka rreckën e plurosur të urrejtes partiake. Madje nuk na i mohon dot as kjo qeveri që nuk mendon për Shqipërinë, por prej partisë së saj të vockël kërkon të përçajë atdheun tonë të madh që themeloi Ismail bej Vlora 100 vjet më parë. Dhe, siç dihet, plaku i mençur e themeloi atë më 28 Nëntor 1912, në rivalitet me kohën dhe historinë, duke na mësuar t’i përbuzim këto lloj gjoja rivalitetesh të sotme.
Sa ju ka ndihmuar financiarisht qeveria qendrore në kuadrin e përvjetorit të pavarësisë?
Po ju përgjigjem me një fjalë: Zero! Asnjë qindarkë, asnjë ndihmë, asnjë projekt a program, madje as fjalë, as përkrahje morale e as kthim vështrimi nuk ka patur Vlora prej qeverisë qendrore në këtë 100 vjetor. Përkundrazi, edhe ato pak fonde që ne kemi patur në të shkuarën, na janë përgjysmuar, na janë pakësuar, madje edhe vështirësuar. Kjo qeveri siç duket nuk e pëlqen që Vlora jeton e lirë në këtë 100 vjetor nga thundra e saj. Ndoshta nuk i pëlqen as fakti që ky qytet gjithnjë në historinë e tij ka luftuar dhe derdhur gjak për lirinë, njësoj si në 1912 dhe në 1924, ashtu edhe në luftën e dytë botërore për çlirimin nga nazifashistët, por edhe gjatë demokracisë kur nuk ka toleruar cënimin e vlerave universale të lirisë. Siç duket, qeveria mendon se duke mos mbështetur financiarisht festimet e pavarësisë mund të ndryshojë historinë dhe të sfumojë Vlorën si djepin e shtetit tonë. Unë besoj të kundërtën, që për fat të keq kjo qeveri mund të mbahet mend në histori si më e paafta dhe më qesharakja, që nuk arriti të celebrojë me dinjitet 100 vitet e shtetit shqiptar. Tentativat për ta transferuar festën në kullat e Burgajetit apo vilat e Sukthit, vetëm sa mbulojnë me turp këta politikanë të përçarjes dhe konfliktit, të gënjeshtrës dhe amoralitetit. Ishte pikërisht ky soj politikanësh, që Ismail Bej Vlora i përbuzi 100 vjet më parë, për t’u bashkuar me shqiptarët e mirë që ndërtuan shtetin tonë të përbashkët.
A është normale që të ketë debat dhe përçarje politike, edhe për një festë që vjen vetëm një herë në shekull?
Kjo nuk duhet të egzistonte si pyetje, po të jetonim në një vend normal, pikërisht në atë shtet që themeluan etërit tanë 100 vjet më parë. Por për fat të keq jetojmë nën këtë palo qeveri të Sulltan Salepit, në këtë qeveri që jo vetëm kërkon të ndryshojë historinë për inate politike, por kërpon të shesë edhe tërësinë territoriale për hesape interesash private. Jetojmë me këtë qeveri që po ul çdo ditë dinjitetin e qytetarit me varfërinë e skajshme, që është bërë puthadore e qarqeve më të dyshimta rajonale antishqiptare, që bën pazare për toka në mal dhe për mijëra kilometra det, që nxjerr në shitje për një copë bukë pasuritë tona kombëtare, që u shet naftën e hidrocentralet, pyjet e minierat lloj lloj xhambazëve ballkanikë dhe njëmijë e një bëma e gjëma si këto. Pra, vetëm këtyre mund t’u duket normale ky debat dhe kjo përçarje.
A egziston sipas jush rreziku që Shqipëria të ketë dy festa pavarësie në 28 Nëntor? Njërën në Vlorë dhe tjetrën në Tiranë?
Jo. Festa e 100 vjetorit do të jetë më 28 Nëntor në Vlorë dhe këtë e di çdo shqiptar. Të gjithë bashkëkombasit tanë do ta festojnë atë ditë me krenari në çdo cep të Shqipërisë, në Kosovë e Maqedoni, në Mal të Zi e Çamëri, madje edhe arbëreshët e emigrantët kudo në Evropë, shqiptarët e Amerikës dhe ata të Australisë. Por të gjithë e dimë se atë ditë kryefesta është në Vlorë, aty ku u themelua shteti ynë 100 vjet më parë. Nëse në pyetjen tuaj keni parasysh çdo të bëjë qeveria, këtë nuk di t’ua them. A do vijnë ata në Vlorë apo nëse do transferojnë protokollin e shtetit në rrethinat e Tiranës, ku dikur partizanët qëlluan me top; nëse do festojnë në sarajet e ish pallatit të pionerëve dhe do t’i shmangen sheshit “Avni Rustemi”; nëse do tringëllijnë gotat në pallatin e ish-mbretit që më pas u pagëzua “i Brigadave”, apo do bëjnë pelegrinazhe drejt vendeve të tjera që s’kanë asnjë lidhje me pavarësinë, Mat, Skrapar a Tropojë qofshin, këtë kërkush nuk mund ta parashikojë. Festa është një e vetme dhe është në Vlorë, aty janë të ftuar të gjithë shqiptarët nga Mitrovica e deri në Çorovodë, nga Bajram Curri e deri në Janinë, nga Burreli e deri në Boston.
A egzistojnë mundësitë që të vijë ekpi i Barcelonës në 28 Nëntor në Shqipëri, siç është njoftuar në shtyp? Nëse po, ku do ta zhvillojë ndeshjen me këtë ekip Flamurtari, në Vlorë apo në Tiranë?
Kjo është një ide sportive, e cila është në kuadër të festimeve të 100 vjetorit. Por edhe në këtë ide, qeveria nuk mund të rrinte pa ndërhyrjen e saj të paarsyeshme dhe me qëllim sërish shmangien e Vlorës. Unë mund t’ju them vetëm që nëse Barcelona do të vijë në Shqipëri, ajo do të ndeshet vetëm me Flamurtarin dhe jo me seleksione politiko-sportive të panjohura, siç ministri i kulturës është ngarkuar të formojë. Si mund të zhvillohet një ndeshje futbolli me një ekip politik që qeveria e quan “skuadra e kategorisë së parë”? Në cilin vend të botës mund të ndodhin absurditete të tilla. Por qesharakja nuk ka fund me këtë ministri kulture, e cila pararendësin e kishte një ministër që u angazhua të përmirësonte cilësinë e diellit dhe që nuk dinte as se eshtrat e Ismail Qemalit preheshin në Vlorë. Ndërsa ky i tanishmi po përpiqet të krijojë dhe skuadra politike të padëgjuara asgjëkundi.
Ju e rikonfirmuat mandatin tuaj në 8 maj të vitit të shkuar. Si ka qenë niveli i bashkëpunimit me qeverinë?
Besoj se edhe më lart u shpjegova se nuk bëhet fjalë për nivel bashkëpunimi. Qyteti i Vlorës trajtohet si një kundërshtar politik nga ana e qeverisë. Buxheti është përgjysmuar, ndihma mungon, projektet as që egzistojnë, ndërsa presioni politik sa vjen dhe rritet. Me këtë strategji dhune dhe varfërie, kryeministri dhe qeveria kujtojnë se do të mund të mposhtin Vlorën dhe vlonjatët. Në fakt në këtë formë ata tregojnë çdo ditë e më shumë se nuk e meritojnë asnjë sekondë të rrinë në krye të ekzekutivit shqiptar. E gjithë vija bregdetare është lënë në mëshirë të fatit, vetëm pse të gjithë bashkitë e saj janë fituar nga Partia Socialiste.
Turizmi këtë sezon u mbajt kryesisht nga përpjekjet e stërmundimshme të zyrtarëve lokalë dhe prej zotësisë e bujarisë së sipërmarrësve të vegjël, ndërkohë që qeveria nuk shpenzoi asnjë qindarkë, qoftë edhe për infrastrukturën. Ndërsa deti qëndron prej 7 vitesh tashmë si një govatë private, në të cilën kryeministri vendos rekordet në pluskim, pas moratoriumit që i ka humbur edhe kuptimi, por edhe motivi. Siç duket ky moratorium do mbetet si hakmarrja e fundit e kësaj qeverie ndaj Velipojës, Shëngjinit, Durrësit, Kavajës, Lushnjës, Fierit, Vlorës, Himarës, Sarandës, Ksamilit. Kudo ku lag deti dhe kudo ku qeveria ka humbur thellë në zgjedhje.
Sa të përligjura janë protestat e krerëve lokalë të opozitës, të cilët akuzojnë për politika selektive në alokimin e buxheteve dhe përgjithësisht në procesin e ndihmës së qeverisjes qendrore, për atë lokale?
Viti 2012 duhet të ishte jo vetëm viti i festimeve për pavarësinë tonë njëshekullore, por edhe sfida jonë për integrimin evropian. Por në vend të klimës pajtuese, që në një farë mënyre imponojnë këto dy momente, qeveria nisi një revansh uzurpues karshi autonomisë së pushtetit lokal. Në funksion të tarafit dhe abuzimit, ata kërkojnë kompetenca absurde që zhveshin pushtetin lokal i cili është zgjedhur nga vota e popullit, për t’i rrëmbyer pikërisht ato që elektorati nuk ua besoi.
Ligji i urbanistikës është një prej rasteve më flagrante, ku oborri i pushtetit tashmë ka mbledhur dhe ndan në një dorë të vetme të mira dhe prona, leje ndërtimi apo pasuri të paluajtshme, me sekserë familjeje dhe partiakë, duke u shmangur plotësisht vullneti i qytetarëve. E njëjta gjë ndodh edhe me buxhetet, por dhe tek e ashtuquajtura ndihmë, pasi fondet janë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme në bashkitë socialiste, për t’u shpërdoruar në vende të tjera ku partia, oborri dhe tarafi grabisin makutërisht paratë e shqiptarëve. Protestat tona nuk do të rreshtin asnjë çast, paçka se të gjithë e dimë shumë mirë se vetëm disa muaj na ndajnë nga largimi përfundimtar i kësaj qeverie të mbrapshtë.
PS ndodhet përballë një sfide të vështirë në dhjetë muajt që vijnë, e cila ka të bëjë me marrjen e pushtetit pas tetë vjet qeverisjeje të së djathtës. Si po shkon opozita në këto zgjedhje, sipas jush? PS po merret më shumë me strukturat, sesa me aleancat.
Konstatimi juaj më duket i drejtë, pavarësisht se në zyrat qendrore të Partisë Socialiste kjo mund të justifikohet me faktin që një vit përpara zgjedhjeve, strukturat janë ato duhet të vihen të parat në lëvizje. Ajo e cila nuk duhet dhe nuk mund të justifikohet është nëse ne bëjmë lëvizje për hir të lëvizjeve, nëse zëvendësojmë apo emërojmë njerëz në krye të vitit elektoral pa asnjë argumentim, nëse prishim struktura fituese, për t’i ndërruar me të tjera që mund të na sjellin surpriza. Pra e thënë më troç, nëse e kthejmë Partinë Socialiste nga një formacion politik, i cili prej 20 vjetësh e dominon skenën politike shqiptare si partia më demokratike, në një Parti unitariste, ku më shumë sesa rezultati elektoral, i bie të ketë rëndësi emërimi dhe bindja vertikale.
Nuk duhet dhe nuk mund të justifikohet lufta e brendshme pa asnjë arsye, mosvotimi i të përzgjedhurve në forume, imponimi i udhëheqësve kryesorë, klima mosbesuese, katapultimi i njerëzve pa vlera dhe kontribute, pra një parti e ngjashme me atë që ndodh në Partinë që drejton Sali Berisha. Por ne për fat të mirë nuk i kemi këto sëmundje, pavarësisht se simptoma të tilla janë prezente edhe tek PS, ashtu si kudo në shoqërinë shqiptare. Ndaj opozita po shkon në zgjedhje e bindur që jo vetëm është shumë herë më e aftë dhe për e përgatitur sesa kundërshtarët tanë, por është gjithashtu edhe më e denjë për të qeverisur Shqipërinë. Ndaj për këtë, aleancat tona duhet të jenë jo vetëm në rrafshin tradicional politik, por në rradhë të parë në krijimin e një aleance të madhe me qytetarët, për të rrëzuar këtë qeveri që po na varfëron çdo ditë dhe që e ka çuar Shqipërinë në buzë të greminës. Qytetari shqiptar duhet të jetë aleati kryesor i opozitës përgjatë gjithë këtij viti elektoral. Ky është elementi kryesor për qëllimin tonë, shumë herë më i rëndësishëm se çdo strukturë partiake.
Një front opozitar apo një koalicion ideologjik? Çfarë i duhet PS sipas jush?
Na duhet një front i vërtetë opozitar, ku të bashkohet çdo qytetar i ndershëm dhe i denjë për një Shqipëri evropiane. Këtu nuk jemi përballje zgjedhjesh ideologjike por në mes të një beteje mes të drejtës dhe të gabuarës, mes të mirës dhe të keqes. Duhet të rreshtohemi në anën e së mirës dhe kundër zhvatjes, varfërisë, oborrit, tarafit, korrupsionit, krimit, pasigurisë dhe gjithë të zezave që ka pjellë kjo maxhorancë, ndaj duhet të mblidhen të gjithë opozitarët, pavarësisht ideologjisë. Ashtu siç vepruan etërit e shtetit shqiptar 100 vjet më parë, duhen lënë mënjanë ndryshimet e ngjyrave politike, kur në rrezik është atdheu. Shqipëria, për fat të keq, është vërtet në rrezik me këtë qeveri, ndaj një front i madh mund të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
Si do të prononcohet Vlora në zgjedhjet e vitit 2013? A keni një prognozë?
Jam i bindur se Vlora do të jetë në krye të këtij fronti, siç edhe ka ndodhur gjithnjë kur në pyetje ka qenë e mira kundër të keqes. Partia Socialiste ka fituar të gjitha bashkitë në zgjedhjet e fundit lokale në rrethin tonë, Selenicën e Himarën, Orikumin dhe bashkinë e Vlorës. Diferencën prej dy deputetësh që qarku ynë ka kundrejt koalicionit qeveritar në parlament, e ka siguruar pikërisht prej votuesve vlonjatë. Kjo pasi për fat të keq në Sarandë dhe në Delvinë në zgjedhjet e fundit parlamentare rezultatet nuk ishin optimale. Por, që ky rezultat të jetë më spektakolar, duhet krijuar fronti i përbashkët opozitar, aleanca me çdo qytetar, me qëllim që sado të sofistikuara të jenë manovrat okulte të qeverisë për të futur duart në votën e qytetarëve, të mos kenë asnjë shpresë për të përmbysur vullnetin e popullit. Pikërisht ashtu siç ndodh në Vlorë prej më shumë se një dekade, ku Partia Demokratike është gjithnjë një humbëse e madhe.