Punonjësi i një picerie në Elbasan, babai i dy fëmijëve në moshë të vogël, është goditur me thikë për vdekje pas një debati me dy vëllezër, të cilët kishin shkuar për të kërkuar pronarin e këtij biznesi, por nuk e kanë gjetur aty. Në ato momente, dy vëllezërit mësohet se kanë debatuar ashpër me punonjësin, i cili ka kërkuar largimin e tyre nga biznesi, pasi po shqetësonin të tjerët, por kjo ka qenë fatale, pasi ata e kanë goditur me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16.30 kur konflikti ishte spostuar në trotuarin pranë picerisë në anë të parkut ‘Rinia’, pranë stadiumit ‘Elbasan Arena’. Një goditje pranë zemrës ka rezultuar fatale për 24-vjeçarin Gentjan Bajraktari, i cili edhe pse është transportuar me urgjencë në spitalin kirurgjik, nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të rënda. Sipas dëshmitarëve, autorët kanë qenë dy vëllezër që janë parë të largohen me shpejtësi nëpër rrugicat e pallateve pas picerisë. Njëri prej tyre, që sipas policisë, më vonë rezultoi se ishte Mariglen Kristo, është parë edhe me një thikë me gjak në dorë, duke vrapuar nëpër rrugica. Nuk ka vonuar shumë dhe agjentët e policisë kanë arritur tek autorët duke vënë në pranga fillimisht, Dorian Kriston, 25 vjeç, i cili dyshohet si autor i vrasjes dhe më pas vëllain e tij, Mariglen Kristo, 19 vjeç, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në krim. Kanë qenë agjentët e krimeve të rënda që organizuan edhe operacionin për arrestimin e dy të dyshuarve. Deri tani nuk është sekuestruar armë krimi, por në vendin e ngjarjes ka pasur shumë dëshmitarë që kanë identifikuar si autorë dy vëllezërit Kristo.
Sipas të dhënave të para, viktima e këtij krimi është riu nga Korça dhe është martuar në Elbasan gjatë viteve të fundit, ku jetonte dhe punonte bashkë me familjen. Mësohet se konflikti me dy vëllezërit ka qenë banal, pasi kishin shkuar për të takuar pronarin e picerisë, me të cilin dukej se kishin një mosmarrëveshje. Ai nuk ka qenë aty dhe në këto kushte, Bajraktari u ka kërkuar të largohen dhe të vijnë kur pronari të jetë aty. Për këtë arsye, palët kanë ngritur tonet dhe kanë dalë në të sqarohen në trotuar, pranë ambientit të punës së 24-vjeçarit. Në ato momente, Mariglen Kristo mendohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur në zemër të riun, i ndihmuar edhe nga vëllai i tij, Doriani dhe më pas, të dy janë larguar me vrap.
Të tronditur, punonjësit, klientët dhe të gjithë kalimtarët kanë vrapuar të ndihmojnë të riun e gjakosur duke lajmëruar ambulancën. Agjentët e policisë kanë rrethuar vendin e ngjarjes duke mbërritur tek autorët e dyshuar. Askush nuk e ka pritur që një konflikt i tillë do të përfundonte deri në vrasje pa i lënë mundësi njeriu të ndërhynte për të shuar konfliktin. Viktima njihet si person pa precedentë, jo problematik dhe që punonte në picerinë para së cilës ndodhi krimi.
Dëshmitë
Banorët: U tmerruam, e vranë kot
Zakonisht debate të tilla quhen normale, thotë një banor pranë picerisë. “Nuk e mendonim kurrë që Genti, njeriu i shakave, ai korçari hokatar do të kishte këtë fund. Të gjithë e njihnim për një djalë punëtor që shikonte drejtimin e tij. Ata që e goditën dhe i morën jetën nuk di se ku shkojnë, ndoshta kanë qenë nën efektin e drogës se nuk mund të shpjegohet ndryshe që ta vrasësh tjetrin në këtë mënyrë. Kur dolëm që po bërtisnin, komshinjtë më thanë që një prej vrasësve po vraponte me thikë në dorë nëpër pallate”. Ndërkohë, polica nuk ka nxjerrë një version të plotë të ngjarjes duke deklaruar vetëm shkak banal për vrasjen e të riut nga Korça.