Në dy vitet në vazhdim faktorët atmosferikë kanë thelluar të çarat që ishin shfaqur tanimë në objekt dhe me sy të lirë ti mund të shohësh sot përdhe teserat me ngjyra që i janë shkëputur fasadës. Këto probleme janë evidentuar dhe komentuar me detaje në studimin e mësipërm: dëmtimet në të djathtë të mozaikut, siç dukeshin në fotot më të fundit (realizuar nga “Shekulli”), në fustanin e figurës së gruas me pushkë në dorë, në gjurin e figurës malësore, edhe ky në zonën qendrore të mozaikut.
I pyetur nga gazeta, specialisti Agron Islami që aktualisht drejton sektorin e restaurimit në Institutin e Monumenteve të Kulturës, konfirmon dhe një herë se studimi i realizuar prej tij dhe një grupi kolegësh, është i vlefshëm sot e tërë ditës, që do të thotë se janë të vlefshme dhe të zbatueshme, “pa u ndryshuar asnjë presje”, sugjerimet dhe idetë për restaurim që janë parashikuar aty. “Projekti i ka të përcaktuara qartë masat e nevojshme dhe ndërhyrjet që duheshin bërë në mënyrë që të shmangeshin problematikat, po dhe të përmirësohej imazhi estetik i veprës. Unë nuk shtoj asgjë më tepër se çfarë është sugjeruar në atë projekt”, na thotë Islami. Islami sqaron se këto sugjerime u bënë pas një pune të gjatë për diagnostikimin e dëmtimeve. Së pari, siç thuhet dhe në projekt-studim, janë dëme që vijnë nga “keqkonceptimi fillestar ose keqbërja, si pasojë e mungesës së eksperiencës në realizimin e veprave të tilla”.
Specialistët kanë konstatuar se mozaiku, i shtrirë në 440 m2, është realizuar si një trup, në një kohë që shtresa nën të është realizuar me panele. Montimi i tyre dhe montimi i vet mozaikut, ka tentuar të monolitizojë gjithçka duke e kthyer në një trup me përmasë shumë të madhe. Dhe kështu, është pikërisht mungesa e fugave (çarjeve) të temperaturës, një nga arsyet kryesore të dëmtimit. Kjo duket qartë në mozaik përse gati në të gjitha bashkimet e paneleve janë krijuar çarje të cilat natyra po mundohet t‘i korrigjojë pasi janë realizuar gabim që në projektin fillestar.
Një tjetër defekti i rëndë që kanë vënë re specialistët janë panelet betonarme, të cilat kanë pasur fare pranë sipërfaqes një zgarë metalike (çeliku). “Ndryshkja e çelikut ka sjellë rritjen e volumit të tij (çeliku kur oskidentohet rrit volumin gati 2.5 herë krahasimisht me gjendjen fillestare) duke ushtruar kështu presion shumë të madh në shtresën e llaçit mbi të e më pas, duke shkëputur atë dhe teserinat (pllakëzat) e mozaikut”, sqaron me detaje restauratori Islami. Këtyre defekteve u shtohet dhe efekti natyror i zmadhimit të çarjeve të pllakëzave të mozaikut.
Ekspertët mendojnë se qëllimi i ndërhyrjes është pengimi i ritmeve të degradimit, zgjatja e jetës së veprës (e cila gjithsesi do të mbetet e limituar) dhe riparimi i defekteve të rënda më të dukshme për t’i rikthyer vlerën estetike për një kohë sa më të gjatë të mundshme. Për të qenë me impakt ndërhyrja, asokohe, u rekomandua që skelave të varura t’u hidhej një mbulesë për të pasur një mundësi ndërhyrjeje në mozaik. Pas paralajmërimeve për degradimin e konsiderueshëm të veprës, që problematikat e shtjelluara të mos rishfaqen dhe ripërsëriten në pjesë të tjera të sipërfaqes së mozaikut, asgjë konkrete nuk u bë. U fol një herë për një fond për restaurim, pastaj për pezullim të projektit që në fazën e parë pas studimit. Ishte kosha kur në sheshin "Skënderbej" kryeheshin punime rikonstruktuese. Diçka të paqartë dhe jo të mirë po shfaq kjo situatë. Shtoji kësaj mosreagimin e Ministrisë së Kulturës, që është përgjegjësja numër 1 për t’ia marrë apo për t’ia shtuar jetëgjatësinë kësaj vepre, e realizuar nga artistët Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.
Ku duhet ndërhyrë:
Duhen realizuar bordurimet anësore në gjithë sipërfaqen e mozaikut; është i nevojshëm trajtimi në mënyrë kimike i hekurit të zgarës me qëllim eliminimin e oksidimit, mbushja e lakunave dhe rregullimi i dëmtimeve në pjesën veri-lindore. Mbi pllakëzat in-situ duhet të aplikohet vetëm një shtresë mbrojtëse. Duhen rivendosur teserat në vendet ku ato mungojnë dhe duhen zëvendësuar ato që janë thyer. Duhet të trajtohen çarjet dhe frakturat, duhet të bëhen larjet e sipërfaqes së mozaikut me detergjente dhe jo jonik
Heshtje varri
“Shekulli” kërkoi një përgjigje nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. As drejtori Olsi Lafe dhe as zyra e shtypit nuk i ktheu përgjigje pyetjes: a ka një përgjigje ky institucion për gjendjen e mozaikut që është vepër monumentale kulturore, trashëgimi kombëtare, po aq edhe dëshmi e një historie të totalitarizmit? Edhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Luan Malltezi ka refuzuar të përgjigjet.