Selvi Beçaj është 29 vjeç. Ishte e punësuar në sistemin diplomatik, por që prej datës 25 janar, është e papunë. Një urdhër i ministrit të jashtëm i ka komunikuar lirimin nga detyra si sekretare e parë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së, në Vjenë. Një urdhër pa motivacion konkret që citonte vetëm bazën ligjore të urdhërit, një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2005, por që bie në kundërshtim me nene të kushtetutës, frymën e saj dhe urdhërimin e neneve të tjera të Kodit të Punës, të Statusit të nëpunësit civil, rregulloren për shërbimin e jashtëm, e të tjerë. Duke krijuar kështu një bast gjyqësor mes nënës së re dhe autoritetit të ministrisë së jashtme, një bast që sapo ka përfunduar për t’u zgjidhur në gjykatë. “Do ta kërkoj të drejtën time deri në fund. Besoj tek e drejta ime dhe, edhe nëse do të lodhesha ndonjëherë vetë, do të vazhdoj më tej për shkak të sime bije, që nuk arrij ta rris dot si gjithë fëmijët e tjerë normalë për shkak të stresit dhe tensionit të pabesueshëm që më krijoi ky vendim i eprorëve të mi”, thotë Selvi Beçaj.
E famshme pa dashur
Pakkush e ka njohur më parë në Tiranë. Por një vit më parë, Selvi Beçaj, e bija e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, u bë emër mjaft i përdorur mediatikisht. Duke u bërë kurban i një ekuilibri të munguar gjithëherët e plot fatalitet: prindër të pafajshëm që paguajnë për fëmijët dhe fëmijë pa faj që paguajnë për prindërit. Në videon e regjistruar mes ish-zëvendëskryeministrit Meta dhe ish-ministrit të ekonomisë Prifti, e ëma e saj përmendej në një episod të bisedës. “I kam futur të bijën në punë”, pretendohej se ishte shprehur zoti Meta, (sipas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë me të cilën zoti Meta fitoi pafajësinë, as videoja nuk ekziston më). Kaq mjaftoi që mbi vajzën e re të hidhej një lumë hamendjesh, dyshimesh, pretendimesh duke e shndërruar atë në një gjah të lehtë për median që kërkon skandalin. Dhjetëra shkrime dhe shumë autorë, herë kritikonin mënyrën e emërimit të saj në sistemin diplomatik, herë hidhnin dyshime për cilësinë vendimmarrëse në proceset e së ëmës gjykatëse, herë shkonin dhe shumë më tej duke u kuturisur me hipokrizi në skutat e moralit hipokrit të shoqërisë shqiptare. Por askush, në asnjë rast, nuk përmendi faktin se ai “kapërcim” në karrierë i Beçajt Junior, nuk vinte nga niveli zero: përveç punës në media që ajo kishte nisur që kur ishte studente, juristja e re kishte qenë së fundmi edhe shefe e kabinetit të kryetarit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në janarin e nxehtë të vitit të kaluar, edhe nëna, kryetarja e Gjykatës së Lartë, edhe e bija, sekretare e parë në misionin shqiptar në Vjenë, ruajtën një profil të ulët në ballafaqimin e tyre me median.
E para reagoi duke pretenduar se vendimi i përfolur në të cilin mendohej se do të ndikonte zoti Meta, as nuk ishte paraqitur në Gjykatën e Lartë dhe ndodhej ende në gjykim në Apel, e dyta, thjesht duke heshtur, me shpresë se kjo histori në të cilën u gjet krejt papritur e përfshirë, do të mbyllte ciklin e saj të çudisë për ta lënë të qetë. Sepse nuk kishte asnjë lidhje me të. Nuk ndodhi kështu! Madje shkoi shumë më keq. Ajo u përfshi në atë vorbull për shkak të pozicionit të lartë të të ëmës dhe po vetë, si në një kthim të pamëshirshëm borxhi, përfshiu dhe të bijën e saj të porsalindur në ankthet e saj. Selvi Beçaj tregon historinë e emërimit të saj në shërbimin e jashtëm diplomatik. E vërteta e saj është e zakonshme dhe pa asgjë të panatyrshme: “E kam marrë detyrën në datën 10 shkurt 2010. Kam kontaktuar vetë me titullarët e Ministrisë së Jashtme dhe munda të emërohem në Vjenë në bazë të një kontrate. Prindërve të mi jua kam treguar një gjë të tillë vetëm kur e realizova. Nuk pres të më besoni në këtë që them, por kjo nuk ka rëndësi. Në Shqipëri në përgjithësi, por edhe në shërbimin diplomatik, punësimi në shtet është një sipërmarrje e vështirë dhe përgjithësisht, është një kokëçarje e prindërve për fëmijët. Mjaft të shihni emrat e tyre dhe do ta kuptoni. Ajo që nuk kuptoj ka të bëjë me faktin e paragjykimit vetjak që më kanë bërë. Meqenëse nëna ime është kryetare e Gjykatës së Lartë, e kam të pamundur të punësohem? A nuk është ky diskriminim? A nuk është ky një paragjykim i dhembshëm që në rregullin e pafat të vendosur në Shqipëri, askush të mos quhet përjashtim”? Sipas Selvit që nuk pranon të fajësojë për asgjë gjithkënd që e ka paragjykuar, rasti i saj i ka pasur të gjithë elementët për të qenë i paragjykuar. “I kam falur të gjithë “armiqtë” që më kanë përgojuar, e kam falur sepse nuk ka asnjë faj, mamanë time – është shumë vështirë në një shoqëri konservatore si jona që një grua të bëjë karrierë – por nuk mund të fal pasojën që vuan ime bijë për shkakun tim. Nëse do të isha burrë, askush nuk do të më shihte me dyshim dhe nuk do të më paragjykonte”, thotë ajo.
Basti në gjyq
Historia është fare e thjeshtë. Një nënë që sapo ka lindur fëmijën e saj, lirohet nga detyra. Ky është fakti që e komplikon dhe e bën të trishtueshme këtë histori. Në kërkesë padinë e saj, Selvi Beçaj, shkruan se me marrjen e lejes së lindjes, ka vënë në dijeni eprorët e saj për këtë fakt. Në datën 9 janar 2012 lindi vajzën e saj Kersli dhe pothuaj dy javë më pas, në 25 janar, mëson se është liruar nga detyra me një urdhër të ministrit të jashtëm. “Duke qenë se ky akt është nxjerrë në mënyrë krejtësisht të papritur për mua, më ka krijuar shqetësim të veçantë për vetë gjendjen time emocionale dhe shëndetësore duke qenë nënë e re”, shkruan ajo. Më pas, Selvi Beçaj, liston duke nisur me Kushtetutën, ligjet që janë shkelur për shkak të lirimit të saj nga detyra. Madje, citon edhe Deklaratën për të Drejtat e Fëmijës që kushtëzon se: “…fëmijës dhe nënës së tij i jepet sigurim shoqëror dhe mbrojtje e veçantë duke përfshirë këtu edhe përkujdesjen përkatëse para dhe pas lindjes…”. Shkon edhe më tej, kur kërkon fillimisht pezullimin e vendimit për lirimin e saj nga detyra: “…ekzekutimi i këtij urdhri, për vetë kushtet specifike në të cilat ndodhem, do të më sillte pasoja të rënda dhe të pariparueshme në dëm të shëndetit të fëmijës… për shkak të gjendjes në të cilën ndodhem, nuk kam asnjë mundësi praktike që të punoj dhe të siguroj të ardhura…”.
Puna në mision
“…detyrën që mbaja e kam kryer me përkushtim të veçantë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në shërbimin e jashtëm dhe etikën e diplomatit…”, pretendon Selvi Beçaj, e cila pranon vetëm një detaj “shqiptar” gjatë shërbimit të saj në Vjenë. “Po, disa herë kam gabuar, kam tejkaluar normën e shpejtësisë gjatë ecjes me makinë. Megjithatë, edhe pse nuk ishte e nevojshme, kam paguar individualisht gjobat e marra”, thotë ajo e megjithatë shpreson dhe beson tek e drejta e saj. Beson edhe se firma e ministrit të jashtëm në urdhrin për lirim ka qenë vetëm një ngatërresë, një formulim i gabuar “këshilltarësh” të nxituar. “Po, edhe pse mund të duket e çuditshme, besoj në një shuarje të shpejtë të këtij ankthi. Që të mos vazhdoj të paguajë, para së gjithash, ime bijë, që është tërësisht e pafajshme si çdo foshnje. Çfarë më është dashur të paguaj për shkak të karrierës së mamasë sime, e kam pranuar me vetëdije. Madje, edhe pak kohë më parë, kur më duhej të luftoja për jetën time, në kuptimin fizik të fjalës, kur kreva një ndërhyrje të rëndë në kokë, një operacion që më ridimensionoi tërësisht jetën”, thotë Selvi Beçaj dhe qesh. Me absurdin, shpesh është mirë të qeshësh dhe ajo bën pikërisht një gjë të tillë.