Nuk ka asnje lloj teatri qe vlen me teper sesa nje vend ku kendohet shqip

Nuk ka asnje lloj teatri qe vlen me teper sesa nje vend ku kendohet shqip
Baritoni Gëzim Myshketa sjellë në skenën e Tetarit Kombëtar të Operës dhe Baletit për herë të parë operën "Ali Pascha Von Janina". Në një intervistë për "Shekullin", baritoni tregon për punën me detaje që ka bërë për realizimin e kësaj pjese.

Për të është nder që të jetë i pari që rikthen në skenë pas 200 vitesh pjesën e shkruar nga kompozitori gjerman Gustav Albert Lortzing (1801-1851). Vepra është shkruar në 1824, dhe ka në qendër figurën e Ali Pashë Tepelenës. Një personazh historikë që për herë të parë shfaqet si romantic. Ali Pasha i lindur në vitin 1742 ishte caktuar si guvernator turk në Shqipëri në vitin 1803 dhe udhëhiqte si drejtues i provincës larg Kostandinopojës një regjiment të pavarur. Ai u rrëzua nga froni dhe u mposht nga kundërshtarët e tij. Rreth kësaj figure sillet vepra e parë teatrale e Albert Lorcing-ut, i cili nuk tregon një ngjarje politike, por tregon mbi të gjitha për dashurinë.

Gëzim Myshketa (1982) është fitues e finalist i konkurseve ndërkombëtare si "Asliko", "Tosti" e "Vinjas" Barcelone. Ka debutuar me role kryesore në Teatrot si: Komunale Bolonja, Opera di Roma, Arena Sferisterio, Abao Olbe Bilbao, Verona, Montpellier, Masi Paris Sud, Opernhaus Zyrih, Salcburg Festshpile, etj.

Nën dirigjimin e Zhani Cikos dhe regji të Patrizia Panton. Skenografi të Platon bardhit dhe Kostumografi të Enada At Nikollës. Në role të tjera: Sokol Tomorri, Ogert Islami, Erlind Zeraliu, Eriona Gjyzeli etj. Opera me një akt "Ali Pascha Von Janina", vjen në gjermanisht dhe me titra në shqip më datat 23 deri 27 mars, ora 19.00.

Riktheheni pas 6 vitesh në TKOB si Ali Pasha i Tepelenës në operën “Ali Pascha Von Janina”. Si ndiheni?

Shumë mirë. Jemi drejt finales. Sot kemi filluar provat me orkestrën nën dirigjimin e maestros Zhani Ciko. Dhe po gjejmë ekuilibrin e duhur mes këngëtarëve dhe orkestrës. Dëshira për të bërë gjithçka mirë ndihet në ajër. Besoj se kjo është gjeja më e rëndësishme dhe më pozitive që të realizojmë diçka të bukur. Pasi dhe opera “Ali Pascha Von Janina”është delikate sepse mban emrin e një personazhi historik siç është Ali Pashë Tepelena.

Në opera krahas zërit duhet dhe një studim mbi personazhin. Ndieni vështirësi në realizimin e një roli?

Nuk mund të improvizohet asgjë nëse një artist në fillim nuk bën një studim mbi personazhin. Por fakti se është një personazh historik për mua nuk është aspak e vështirë, sepse nuk është hera e parë që unë interpretoj një rol të tillë. Gjithsesi duke qenë një personazh shqiptar, duhet të plotësosh një informacion nëpërmjet letërsisë dhe historisë shqiptare. Duhet të lexosh se çfarë ka qenë ky personazh? Çfarë roli ka pasur?Çfarë karakteri ka etj? Me anë të kësaj arrin të brumosësh në mendjen tënde se si mund ta realizosh më mirë. Por frymëzimi kryesor është dhe muzika. Muzika është mikja jonë më e mirë. Ajo na jep akses që të interpretojmë fjalën e duhur në vendin e duhur. Na ndihmon të vendosim raportin me personazhet e tjerë. Nëse të gjitha këto respektohen dhe në skenë mbahet një qëndrim prej fisniku, ashtu siç duhet, personazhi merr dinjitetin e duhur. Figura historike nuk shkanë në gabimin e zakonshëm të karikuralizmit. Dhe kjo është e rëndësishme.

Përpos asaj që dimë për Ali Pashën, në opera figura e tij vjen si një romantik...

Fakti që maestro Zhani Ciko e ka parë të arsyeshme për ta vënë në skenë është pikërisht që një kompozitor i shquar gjerman si Gustav Albert Lortzing, i ka kushtuar një punë emrit të Ali Pashës. Por kjo vepër nuk flet për bëmat e Ali Pashait. Këtu Ali Pasha është një personazh mjaft aktiv dhe romantik. Është gjë e veçantë që ta shikosh Ali Pashën si një person human me gjithë dobësitë e tij. Ndonëse opera zgjatë rreth një orë e 30 min, por ka nga të gjithë këta elementë. Është aftësi e artistëve nëse i perceptojnë dhe i përcjellin këto tipare të karakterit të tij ashtu siç duhet.

Ku duken dobësitë e Ali Pashës?

Dobësitë e Ali Pashës duken në momentin që aty janë 300 gra dhe atij i humbet mendja vetëm për njërën prej tyre. kjo është një dobësi e tij. Gjatë aries kur ai hakmerret një moment shumë intim është kur unë ulem në gjunjë dhe bëj lutjen tamam siç bën një  mysliman.

Si ndiheni nën petkun e të qenët Ali Pashai i parë në TKOB ?

Absolutisht që kam pasur dëshirë të isha Ali Pashai i parë në Teatrin e Operës dhe Baletit.  Është jashtëzakonisht privilegj dhe kënaqësi të thuash pas disa vitesh se në një vepër për herë të parë kam kënduar unë. Për rolin nuk jam munduar të bëj një kopje të atij që njohim në mendjen tonë si Ali Pasha. Jam munduar që forcën, autoritetin dhe ndjesitë shpirtërore që ka ky personazh në veten e tij, t’i shpreh dhe t’i përcjell. Ndonëse nuk flas gjermanisht, por kam përkthyer fjalë për fjalë të gjithë tekstin. Është një punë komplekse sepse duke mos qenë gjuha e nënës apo një gjuhë që e flet normalisht, duhet dhe një punë mekanike. Duke kuptuar kontekstin fillon e imagjinon skenat. Lëvizjet janë të përcaktuara nga regjisori.

Si është kapërcimi nga një rol tek një tjetër gjatë interpretimit për një artistë?

Nuk është aspak e vështirë. Sepse për mendimin tim në çdo figurë dhe pse është e ndryshme nga tjetra duhet të dal në pah dhe karakteri jot. Kjo bën krijimin e një origjinaliteti ndryshe. Kuptohet që janë disa pika të cilat duhet t’i respektosh nëse do të interpretosh Rigoletton. Sepse nëse libreti thotë se ai është me gungë dhe i shëmtuar t’i duhet ta respektosh. Por pa harruar asnjëherë të qenët origjinal dhe jo karikaturë ose kopje.

Riktheheni pas një mungese të gjatë në TKOB. Vini re ndryshime?

Ka dhe ndryshime pozitive, për shembull dikur nuk ka qenë as ky parketi me dru, por ka qenë me pllaka. Mundësit që kanë qenë besoj se janë shfrytëzuar. Shteti ka për detyrë që të investoj për kulturën. Sepse nëse nuk investohet mbi artin dhe mbi shkollimin nuk mund të zhvillohet një shtet me baza të forta moderne. Njerëzit mund të bëhen shumë të pasur, mund të investojnë shumë nga në ndërtim, por ngelen po aty. Kujtoj se Stendali thotë se “nëse do të njohësh një qytet, shiko teatrin e tij”. Prandaj mendoj se qeveria jonë e kanë për detyrë këtë pjesë. Duhet të mendojnë ose besoj se janë duke menduar që ta arrin këtë gjë. Sepse ne nuk duhet të investojmë për tu dukur mirë përpara të huajve, por ne duhet të investojmë për artin dhe kulturën tonë në mënyrë që artistët që kemi mos të ikin përfundimisht. Por të zhvillojnë aktivitete kulturore këtu dhe jashtë, në bazë të mundësive.

Kini mall për publikun shqiptarë?

Patjetër që kam. Është kënaqësi të të vlerësojnë dhe të të japin rolin e Ali Pashës. Në fillim kam qenë i trembur kam thënë obobo si do t’ia bëj. Unë jam vetëm një 30-vjeçar, kurse ai në imagjinatën tonë ka qenë plakë. Por nuk është vetëm për vlerësimin, por është për obligimin që ne të rikthejmë kësaj toke atë që na ka dhënë. Kemi kaluar vitet më të rëndësishme të fëmijërisë në këtë vend, kemi marrë formimin e parë muzikor dhe kulturor etj. Prandaj për secilin nga ne është obligim që t’i përgjigjet ftesave që merr nga teatri. Të rikthehet dhe të rishfaq pjesë në skenën që kudo që të shkojmë do të ngelet më e dashura

Cilat janë projektet e ardhshme ?

Kemi “Elizir d”amore” në Verona në prill, pastaj "Don Karlo" e "Turandot" në Tuluze të Francës etj.

Çfarë gjeni dhe çfarë lini në Shqipëri nga udhëtimet që bëni herë pas here?

Le gjithmonë një pjesë të zemrës sime. Ka qenë një këngë që thotë “ Sa herë që ti ikën, merr një pjesë të vetes sime”. Unë kam lenë që në moshën 17 vjeçare një pjesë në Shqipëri. Unë iki si dallëndyshja, shkoj fluturoj dhe ajo pjesë ngelet aty, nuk ikën asnjëherë. Dhe pse nuk kam ardhur për angazhime vij 5 apo 6 herë në vit në Shqipëri, sepse kam marrëdhënie shumë të ngushta me familjarët që janë pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Nuk ka asnjë lloj teatri që vlen më tepër sesa një vend ku këndohet shqip.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama