Nuk ka idil me Kadarene

Çmimi Kombëtar për Bibliofilinë "Lumo Skëndo", edicioni II, iu dha shtëpisë botuese "Onufri" për botimin e dy vëllimeve të para të opusit të Kadaresë. Është rasti për t'u ndalur në anët delikate të një marrëdhënieje nga më të veçantat në fushën e editorisë sonë në dy dekadat e fundit, me një histori mbi 13-vjeçare, ajo ndërmjet botuesit Bujar Hudhri dhe shkrimtarit bashkëkohës Ismail Kadare. Arsye tjetër është se ky çmim i jepet një forme botimi por për një vepër me përmbajtje dhe është vepra që Kadare nuk ka për t'iu kthyer më kurrë, është versioni i saj testament.

Ky çmim përkon me hedhjen në qarkullim të dy veprave të dyta të korpusit prej 20 vëllimesh që pritet të mbyllet në vitin 2009. Vëllimi i tretë përmban romanin që dikur quhej "Kështjella" apo "Daullet e shiut", sot përfundimisht quhet "Rrethimi". Ka një hyrje nga vetë autori ku shpjegon ndyshimet dhe arsyet pse. Vëllimi i katërt përmban "këngën" e fëminisë "Kronikë në gur" dhe romanin "Dasma" i rikthyer me titulli fillestar "Lëkura e daulles". Botuesi shqiptar i Kadaresë komenton "retushin artistik" dhe reaksionet që ka ngjallur tek disa studiues rishikimi i veprës duke e quajtur këtë teknikë "falsifikim".

Si është realizuar teknikisht botimi i veprës komplete të Kadaresë?

Cilësia është e varur nga përmbajtja e kësaj krijimtarie e cila del tashmë në një formë të re që quhet kompleti i veprave. Vetë kjo përmbajtje kërkonte, si të thuash, një veshje ceremoniale, si shembujt që bota ofron për shkrimtarët e saj klasikë apo modernë që t'i ketë të renditur në raftet e bibliotekave.

Problemi tek ne ishte se ky pretendim kërkonte shumë impenjim që fillonte së pari nga përvoja e cila është e re për mua, nga mbështetja ekonomike e cila është vetëm e "Onufrit" dhe nga përballja me autorin i cili për fatin tonë të mirë është gjallë dhe vërejtjet e tij edhe në drejtim të formës, nuk mungojnë. Me gëzim konstatoj se shumica e vërejtjeve të tij kanë qëndruar vërtet, edhe pse kemi pasur shumë debate për të arritur optimumin. Po t'i referohemi parimit për unitetin e formës dhe përmbajtjes, mund të themi që "Onufri" i është afruar në njëfarë mënyre përmbajtjes së lartë të krijimtarisë së Kadaresë.

Gjithçka ka dalë në lidhje të fortë që është dhe më e kushtueshmja. Nëse nuk ka ndonjë shifër sekrete, na e tregoni?

Kjo është vërtet më e kushtueshme, por më e qëndrueshme dhe më dinjitoze, qoftë për autorin, qoftë për lexuesin. Unë e kam zgjedhur këtë formë për të dëshmuar edhe një stad të ri të veprimtarisë time, pasi ne kemi botuar mbi 50 tituj nga Kadare, tani ka ardhur radha që këto të disiplinohen. Investimi është i madh. U blenë makineri posaçërisht nga importi për të realizuar këtë cilësi, kemi importuar elementë përbërës të gjithçkaje, të kartonit, të ngjitësit, të fijes lidhëse dhe ndarëse e fletëve. Shpesh autori nuk besonte se do të arrihej një nivel i tillë botimi dhe debatet tona janë mbyllur me fjalët "këtë e di unë". Si përfundim, një ditë më tha: "Bujar, veç të jesh i lig të mos e pëlqesh këtë libër." Nuk e kam parë kurrë atë njeri aq të gëzuar, aq të prekur, aq të ndjeshëm ndaj një libri si me këtë libër. Asnjëherë.

Dhe të mëndosh se keni 13 vjet që bashkëpunoni...

Kanë kaluar 13 vjet që kur unë nisa bashkëpunimin me Kadarenë. Sekreti i vetëm është ta duash krijimtarinë e tij. Ne kemi pasur një qëllim të përbashkët, si autori dhe botuesi, që libri të dalë sa më mirë. Në këtë pikëpamje edhe debatet kanë pasur këtë rezultante.

Ka ndodhur që ai është larguar nga ju dhe është orientuar drejt një tjetër shtëpie botuese. Pastaj është kthyer prapë. Përse kanë ndodhur krisjet mes jush?

Marrëdhëniet me Kadarenë nuk mund të quhen asnjëherë idilike, asnjëhere paqësore, asnjëherë të sigurta, sepse, si e mendoj unë, të tilla janë kushtet në të cilat veprimtaria ime zhvillohet. Arsye tjetër është krijimtaria dhe jeta e tij jashtë Shqipërisë në pjesën më të madhe të kohës. Sigurisht, këtë shkrimtar unë nuk e kam mbajtur me xhelozi, përkundrazi, me një adhurim dhe dashuri, me një korrektesë ekstreme në çdo pikëpamje, por kam kuptuar që edhe kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Siç e dini dhe ju, ai ka pasur dy bashkëpunime me shtëpinë botuese "55" të cilat nuk po them se kaluan aq paqësisht mes nesh. Nga natyra unë jam njeri pasionant dhe në përgjithësi i ruaj lidhjet, kurrë nuk them "punë e madhe se ç'u bë". E vuajta shumë, sepse këtë biznes unë e shoh si art, e ndjej. Fakti që jemi akoma bashkë do të thotë se edhe ai ka nxjerrë mësimet e veta.

Kjo është seria në variantin përfundimtar, e gjithçkaje e shkruar nga dora e Ismail Kadaresë. Në dy vëllimet e dyta bie në sy që romani i quajtur otoman "Kështjella" ose "Daullet e shiut", thirret "Rrethimi" sigurisht ky është një titull surprizë edhe për ata që e dinë historinë e romanit. Po ashtu, "Dasma" na vjen me titullin fillestar "Lëkura e daulles". Çfarë ka ndodhur?

Juve ju bie në sy titulli sepse ai është i dukshëm dhe ka ndryshuar. Sigurisht kjo nuk është një gjë e zakonshme. Ka pasur ndërrime titujsh dhe për vepra që kanë hyrë në fondin e letërsisë sonë mund të duket paksa e çuditshme, bie më shumë në sy. Do të shtoja se ka ndryshime brenda në tekst vetëm të karakterit gjuhësor, pra është një retush artistik, me fjalë e shprehje të reja, është përkujdesje maksimale gjuhësore. Kadare e shpjegon vetë pse "Rrethimi". Mënyra se si ai e shpjegon është një gjë vërtet intriguese dhe e re për lexuesin sot që ai të arrijë të kuptojë se si vepra e cila ka vlera të mirëfillta artistike, jo vetëm që i jetojnë kohës, po në kohë të ndryshme, lexohen ndryshe, madje dhe nga shqiptarët vetë lexohet ndryshe. Fjala vjen studiuesi arbëresh Mateo Mandala e lexon ndryshe, Ali Aliu nga Shkupi e lexon ndryshe, e kështu me radhë.

Me "retush artistik" të veprës po i përgjigjeni deklaratave në shtyp kundër autorit si shkrimtar që duke retushuar, ka falsifikuar atë që ka shkruar dje?

Kurse për mua kjo është kulmi i vetëdijes së një shkrimtari, i një shkrimtari si ai që nuk gjen prehje deri sa të përkryejë veprën, deri në minutën e fundit kur e çon në shtypshkronjë. Që të jem i sinqertë jam tmerruar njëherë duke dëgjuar Sabri Godon të flasë për një shkrimtarin tonë që s'jeton më, kur tha që ai shkruante dhe nuk i kthehej kurrë më asaj që shkruante. Më është dukur fundi i botës. E them këtë sepse kur e shohim si Kadare e ka riparë çdo fjalë dhe çdo fjali dhe nuk gjente prehje për këtë, jam i sigurt që ai mendon për lexuesin e ardhshëm.

Po ashtu, ka opinione sipas të cilave nuk mund të presim më gjëra të reja nga Kadare.

Unë di që ai ka shumë gjëra të reja. Një ditë i thashë po si nuk çmendesh dhe nuk ia jep publikut kur të tjerët pa iu tharë boja shkojnë dhe japin intervista. Ka katër vjet që ka shkruar një roman, aty është një Kadare krejtësisht tjetër nga ai që përfytyrojmë. Ky roman del në vjeshtë në frëngjisht dhe në shqip del vjeshtën tjetër. "E Hyjnueshmja" quhet. Ndërkaq këtë vjeshtë ne nxjerrim një roman "Darka e gabuar"; tregime të reja, "Leximi i Hamletit", "Djegia e Voskopojës", "Bisedë për diamantet në mbasditen e vonë". Mua më vjen të qesh që thonë se tani Kadareja është shkrimtar mediokër. Por qetësia me të cilën ai i përballon këto gjëra buron nga vetëdija që ai e di shumë mirë cili është dhe as trembet e as përkëdhelet nga fjalët e të tjerëve.

Elsa Demo  Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama