Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duke iu referuar lirimit nga gjykata të kryebashkiakut të Kamzës dhe Drejtorit të Kufirit në Korçë, të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, deklaroi se qeveria është e vendosur të shembë murin e pandëshkueshmërisë edhe në rastin e zyrtarëve të lartë.
“Jemi të vendosur për të shembur murin e pandëshkueshmërisë edhe në rastin e zyrtarëve më të lartë. Është e kuptueshme që duhet të jemi të gjithë të bashkërënduar dhe në të njëjtën gjatësi vale në luftën kundër korrupsion, përfshirë këtu edhe në sistemin gjyqësor. Sic besoj jemi të vendosur që të mos lejojmë që segmente të caktuara të gjyqësorit, luftën e suksesshme të policisë dhe të shtetit në përgjithësi kundër korrupsionit, ta pështyjnë mbrapsht dhe ta rikthejnë në shoqëri me spërkatje korruptive”, tha ministri Tahiri.
Nga Gjirokastra ku mori pjesë në analizën vjetore të policisë së këtij qarku, Ministri Tahiri deklaroi se ata që kryejnë aktivitet kriminal në Lazarat do të ndëshkohen në kohë rekord. Për Ministrin Tahiri, çështja e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike në këtë zonë është më shumë se çështje policore.
“Ata që në Lazarat dhe nëpërmjet Lazaratit kryejnë veprimtari kriminale intensive do të marrin atë që meritojnë në kohë rekord dhe kjo është e siguritë. Policia e Shtetit, unë jam i vendosur për këtë, qeveria është e vendosur për këtë nuk njeh asnjë zonë ku nuk ushtrohet autoriteti i shtetit dhe autoriteti policor”, tha Tahiri.
Lidhur me ankesat për vendosjen e gjobave ndaj automjeteve, ministri Tahiri e cilësoi këtë një çështje të fryrë nga ata që deri dje nuk kanë respektuar autoritetin e shtetit dhe nuk janë ndëshkuar prej tij.