Është përfolur në media dhe nga policia për implikim të mundshëm në vrasjen e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, por Julian Sinanaj e ka mohuar këtë krim. Pasi ka pranuar një sërë ngjarjesh kriminale, i riu nga Vlora ka hedhur poshtë autorësinë e tij në vrasjen e gjyqtarit që humbi jetën pas shpërthimit me bombë në makinën e tij në mes të Vlorës në shtator 2011. Sinanaj mësohet se ka mohuar edhe autorësinë e tij në vendosjen e eksplozivit në makinën e kryekomunarit Fredo Berberi, por edhe në vrasjen e biznesmenit të ndërtimit në Durrës, Xhemal Çela. "Vrasësi me pagesë" ka mohuar edhe disa ngjarje të tjera për të cilat është dyshuar nga policia.