Dinos Kubatis tashmë është emër i njohur për korçarët, prandaj edhe këtë vit, i propozova që të ishte përsëri mes nesh në “Netët korçare të poezisë”. Ndiheshim të nderuar që një personalitet me dimensione të tilla të ishte pjesë e këtij edicioni, por edhe ai vetë që të ndodhej mes nesh. Këtë sekret na e tregoi ditën kur u takuam në zonën pedonale në Korçë. Uroja me gjithë zemër që agjenda e tij e ngarkuar me takime, veprimtari dhe udhëtime, të kishte pak vend edhe për një rikthim në qytetin tonë, ku për të 18-in vit me radhë organizohen “Netët korçare të poezisë”. Më dukej sikur e njihja prej kohësh, nuk e di ku e kisha takuar, por me siguri në vizitat që kam bërë në Athinë, ose në ndonjë reklamë në fasadat e teatrove apo nëpër rrugët e qytetit të lashtë. Si të zotët e shtëpisë e ftuam për një kafe dhe më pas u zhytëm në biseda të pafund për letërsinë, artin, miqtë dhe takimet tona.
Gjatë komunikimit me biseda herë në greqisht, herë në shqip, ndihej ai shpirt dhe ajo ndjesi se njiheshim prej kohësh. Bashkë me të ishte edhe zonja Kubati, shqiptare nga Tepelena dhe një poete greke, po nga Salamina. Befasia e radhës nuk vonoi kur na shpjegon se origjina e tyre është arvanitase dhe me krenari sillnin fjalët e gjuhës shqipe të ruajtura me aq kujdes deri tek ta. Për dy ditë patëm rastin që të shkëmbejmë shumë mendime rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e artit dhe ai me dashamirësinë më të madhe na zbuloi disa prej ideve të tij për bashkëpunim. Kur i thashë për intervistën te “Shekulli”, nuk hezitoi aspak dhe me thjeshtësinë e një njeriu të madh, më pohoi se ishte kënaqësi për të që të fliste për gjithë vizitën e tij.
Është hera e dytë që vini në Korçë në “Netët korçare të poezisë”, si ju duket ky qytet?
Që në çastin e parë më pëlqeu. Qytet i qetë, i bukur, me lulishte të bukura me pemë në rrugë, pallate të vjetra interesante, gjithashtu dhe të rinjtë janë të bukur. Qytet i pastër, plotë dritë, një qiell të kaltër dhe një jetë të kulturuar. Më bëri përshtypje fisnikëria e njerëzve të qytetit dhe dëshira për të mirëpritur me zemër bujare. Kisha parë disa filma të vjetër të xhiruar në qytetin e Korçës, ku admiroja shtëpitë e vjetra aristokrate plot me lule dhe ajo që spikat më shumë janë trëndafilat shumëngjyrësh.
Të dyja herët në Korçë bëra shëtitje më këmbë, vetëm dhe vetëm për të parë, për t’i admiruar dhe fotografuar këto shtëpi aristokrate, ato që kanë mbetur. Kisha dëgjuar akoma për serenatat mahnitëse, nëpërmjet filmave, për të cilave ky qytet është i njohur. Kisha fatin t’i dëgjoj nga afër të dyja herët që erdha në qytet dhe të njoh muzikantë të mirë. Kisha mësuar se, Korça konsiderohet si një nga qendrat më të mira të kulturës, këtë e pashë me sytë e mi. Njoha një pjesë të kulturës dhe njerëz, të cilët luajnë një rol për zhvillimin e kulturës, në mes tyre do të përmend regjisorin e madh Dhimitër Orgocka, komedianin e madh dhe studiuesin e teatrit Koço Qendro dhe të mirënjohurit e teatrit Petrika Riza, Kaudeta Riza gazetarin Skënder Demolli dhe plot të tjerë.
Po për “Netët korçare të poezisë” çfarë mendimi keni?
Në përgjithësi është një kontribut për kulturën, në veçanti një traditë për Korçën. Poetë të njohur me vlera mblidhen në këtë aktivitet dhe mua më pëlqen, se të gjithë ata që marrin pjesë kanë në dispozicion kohë të lirë për t’u krijuar mundësia që të njohin bukuritë e qytetit dhe ta njohin më mirë njëri-tjetrin, të shkëmbejmë libra dhe mendime, të njohin më tepër veprimtarinë e tyre si krijues. Poeti i madh Skënder Rusi, i cili është organizatori i “Netëve Poetike” të Korçës bashkë me Klubin “Bota e Re” është një njeri admirues dhe shumë energjik, i cili me dy ftesat më dha mundësinë t’i admiroj veprat e tij dhe të hyj në kontakt me poetë të tjerë me vlera si Bashkim Gjoza, Visar Zhiti, Migena Arllati dhe nga Korça, Edmond Shallvari, Edmond Zaçe, Raimanda Moisiu etj.
Vitin e kaluar ju ishit fituesi i Kurorës, cilat janë mbresat?
Për mua çmimi që mora ishte një surprizë. Më preku në veçanti më shumë vlera që më dha ky aktivitet për krijimtarinë time në poezi. Por, edhe ceremonia e dhënies së çmimit ishte përsëri një surprizë dhe i emocionuar e mbolla në lulishten (baçen) e poetëve. Më la mbresa të thella dashuria për të cilën më përgëzuan të gjithë poetët ku ndodheshin atje dhe përreth.
Ju jeni dhe dramaturg dhe regjisor, cilat janë sekretet e artit sipas jush?
Arti është një mister, një mister i cili të tërheq dhe të provokon për të eksploruar deri në thellësi. Arti është vetë jeta dhe paralelisht filozofia e jetës në horizonte pafund, të cilat nuk mund t‘i arrish asnjëherë. Sa herë që bën përpjekje të eksplorosh, aq më shumë e njeh magjinë e saj dhe aq më shumë e kupton se është e pamundur të arrish në fund. Gjithmonë e kupton se je në fillim, sepse dhe fillimi është pafund. Sekretet e artit nuk mund t‘i thotë askush se i njeh. Sa mëson, duke eksploruar me pasion dhe korrektësi, kupton se është shumë, shumë pak përpara pafundësisë që i mbulon. Duhet shumë punë e palodhshme, e madhe dhe me detaje të hollësishme për të besuar se ke zbuluar një sekret të artit dhe kjo është shumë pak. Njerëz pas një pune të vështirë mund të mbërrijnë përpara portës së sekreteve të artit.
Skena ekziston, sepse ekziston letërsia, kë do të vendosnit në vend të parë?
Pa dyshim në qoftë se nuk ekzistonte “fjala”, nuk do të ekzistonte skena, mbi të cilën shprehet fjala. Dikush mund të besonte se, fjala është fillimi dhe pastaj ndjek teatrin. Por, fjala shkon bashkë me lëvizjen te njeriu që lind, fjala e parë është pa rrokje, por lëvizjet janë instiktive. Fjala dhe lëvizja janë automatikisht bashkë dhe primitive. Në fund për të ekzistuar skena, e cila e pranon fjalën e teatrit, është pikërisht se duhet fjala e strukturuar (e ndërtuar) në krijimtarinë teatrale.
Projektet
Tundimi më i madh është të shkruash apo ta vendosësh një vepër në skenë?
Në brendësi të mendimeve të mia dhe në brendësi të ndjenjave të mia ekzistojnë të dyja: "dua“ që të shprehem se ato që shkruaj, janë po aq sa krijimtaria skenike. Angazhohem me të gjitha llojet e letrave dhe shkruaj shumë shkrime. Besoj se nuk do të mund të jetoja, nëse nuk do të shkruaja. Nga ana tjetër, vetë jeta ime është teatri. Për mua ngjajnë me dy duar, ose me dy këmbë të një njeriu. Nuk do të mundesha ta humbisja asnjërën nga të dyja. Kur shkruaj me nocione të koncetruara, si në poezi, ose duke thënë shumë për të shprehur më shumë ndjenjat, si në romane ose ese, ndiej të dalin nga vetja ime ndjenja dhe emocione dhe kështu çlirohem. Të njëjtën gjë ndiej, kur interpretoj në skenë ose jap mësim një vepër dramatike.
Kemi diskutuar disa projekte për shkëmbime kulturore mes dy vendeve, kur mendoni se do të riktheheni përsëri në Shqipëri?
Ne me entuziazëm dhe dashuri për letrat dhe artin, të cilave u shërbej të dyjave, folëm për një bashkëpunim më të gjerë dhe vendosëm themelet, duke shtrënguar duart. Uroj për të dy së bashku, që entuziazmi dhe dashuria të na drejtojnë dhe ta arrijmë qëllimin e caktuar. Do të jem përsëri në Shqipëri në fillim të shtatorit me fragmente nga tragjedia e lashtë ku do të jem regjisor dhe pikërisht në Butrintin e vjetër, në kuadrin e binjakëzimit të bashkisë së Sarandës dhe UNESKO-s. Besoj se në fund të shtatorit do të jem përsëri në Korçë, sepse më propozuan të marr pjesë në një aktivitet, por është shpejt të flas për këtë.