Në fillim pak fjalë për Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (KNGJSH), që mund të jenë të tepërta për ata që i dinë, por që mund të vlejnë për ata që nuk kanë informacionin e nevojshëm, megjithëse ky informacion, pak a shumë, është dhënë që në themelimin e këtij Këshilli, është përsëritur edhe në “Njoftim për median” për mbledhjen e muajit mars, si dhe në raste të tjera.
KNGJSH u themelua me Vendimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më 27 tetor 2004, “si organ me autoritet shkencor për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin dhe zhvillimin e shqipes standarde”, pra, e theksoj, si organ shkencor, më tej për shqyrtimin e të gjitha çështjeve dhe në fund që lidhen me përdorimin dhe zhvillimin e shqipes standarde. Kjo do të thotë që ky Këshill diskuton në rrafsh shkencor çështjet që ai mendon se duhen diskutuar, jep argumente shkencore për një ndryshim të mundshëm ose kundër ndryshimit dhe, pas diskutimeve, formulon mendimin më të përgjithshëm për çdo çështje.
Kjo do të thotë që ky Këshill nuk ka fuqinë e një kongresi për drejtshkrimin e s’mund të “përmbysë” vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), i paraprirë nga Konsulta e Prishtinës (1968), të jetësuara në praktikën gjuhësore mbi dyzetvjeçare; nuk ka as fuqi urdhëruese a detyruese për shtetin, për arsimin, për median, për shoqërinë civile etj., kudo ku përdorimi i standardit është në fushën e vet. Dikush ia mohon të drejtën këtij Këshilli Ndërakademik e me përbërje kombëtare të diskutojë e të bëjë propozime për ndryshime në drejtshkrim, kur vetë boton fjalor drejtshkrimor me ndryshime të tilla pa ua ndier nevojën diskutimeve në ndonjë forum shkencor dhe çorienton kështu shkollën e gjithë ata që përdorin (e duhet të vijojnë të përdorin) rregullat e drejtshkrimit në fuqi që nga Kongresi i Drejtshkrimit.
A janë shkelur të drejtat e autorëve të “Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe” të vitit 1976 me botimin e këtij Fjalori të ri drejtshkrimor, nuk jam në gjendje ta gjykoj juridikisht. Në themelimin e tij Këshilli kishte 17 anëtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e diaspora arbëreshe: akademikët Shaban Demiraj (bashkëkryetar), Idriz Ajeti, Remzi Nesimi, Besim Bokshi (bashkësekretar), Rexhep Ismajli (bashkëkryetar), Francesk Altimari, Jani Thomai dhe profesorët Emil Lafe (bashkësekretar), Gjovalin Shkurtaj (tani akademik), Seit Mansaku, Mehmet Çeliku, Enver Hysa, Tomor Osmani, Isa Bajçinca, Shefkije Islamaj, Imri Badallaj, Abdullah Zymberi. Bashkëkryetarët dhe bashkësekretarët kryenin edhe funksionin e një kryesie të Këshillit. Vitin e kaluar, Këshilli u plotësua me 5 anëtarë të rinj: akademikët Kolec Topalli, Ethem Likaj dhe profesorët Shezai Rrokaj, i ndjeri Fadil Raka (i cili u zëvendësua me Rrahman Paçarrizin) dhe Bardh Rugova.
Me këtë rast u krijua edhe një kryesi e re e KNGJSH prej 5 akademikësh (Jani Thomai, Rexhep Ismajli – bashkëkryetarë dhe Kolec Topalli, Besim Bokshi, Ethem Likaj – anëtarë). Këshilli dhe kryesia e tij funksionojnë sipas rregulloreve të veta. Siç shihet, Këshilli ka anëtarë nga të gjitha trojet e shqipes dhe nga të gjitha institucionet shkencore kryesore që merren me gjuhën (nga dy Akademitë, nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, nga universitetet e Tiranës, e Elbasanit, e Shkodrës, e Prishtinës, e Prizrenit dhe e Kozencës. Çështjet që lidhen me emërtimin e Këshillit, me varësinë nga Akademitë që e kanë themeluar, me buxhetin etj., u takojnë Kryesive të dy Akademive.
Në vitet 2005-2006 Këshilli zhvilloi (në Prishtinë) disa diskutime për çështje të leksikut e të drejtshkrimit, të përdorimit të shkronjës së madhe etj., pastaj pati një ndërprerje të gjatë, për shkak të reformës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, dhe rifilloi në mars të këtij viti (6-8 mars në Tiranë) me diskutimin e problemeve që lidhen me leksikun, terminologjinë e huazimet leksikore (anglicizmat) në shqipen standarde. Njoftime për median janë dhënë gjithsaherë janë zhvilluar mbledhje të Këshillit. Përfundimet nga diskutimet u janë përcjellë dy Kryesive të Akademive.
Pra, a mund të cilësohet ky Këshill si “ilegal”, “i fshehtë”, “i paaftë” etj.? Akademikët e nderuar Idriz Ajeti, Shaban Demiraj e Remzi Nesimi nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e sivjetme të Këshillit (për shkak të moshës), por për mbledhjen e marsit akademik, Shaban Demiraj i dha mendimet e veta me shkrim; po kështu veproi edhe profesor Emil Lafe. Mbledhja e fundit e Këshillit në Tiranë (26-28 qershor), siç është bërë e ditur nga “Njoftim për median”, diskutoi për probleme të drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar në gjuhën standarde shqipe. Po në këtë njoftim është thënë që “diskutimet u përqendruan në disa raste konkrete të drejtshkrimit të kësaj zanoreje në pozicion paratheksor e pastheksor, u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e kësaj zanoreje, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të shkrimit të ë-së së patheksuar në pozicion paratheksor a pastheksor në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj.”.
E dhashë të plotë këtë paragraf për të theksuar se ky është qëllimi dhe orientimi i diskutimeve në Këshill. Por a mbetemi plotësisht e gjithnjë këtu? Ka disa arsye që jo rrallë kapërcehen kufijtë e një orientimi të tillë dhe “ndizen” diskutimet. Po përmend vetën tri: Së pari, është vetë çështja shumë e gjerë dhe e ndërlikuar e zanores ë të patheksuar në gjuhën shqipe: paratheksore, pastheksore, fundore, në rrokje të hapur a të mbyllur, në grupe të veçanta bashkëtingëlloresh, në eptimin e fjalëve dhe në formimin e fjalëve, a është element i temës së fjalës apo është e shtuar (mbështetëse) etj. Së dyti, zanorja ë e patheksuar në gjuhën shqipe në shumë raste në të folurit e lirë nuk shqiptohet, jo vetëm në të folmet veriore, por edhe në ato jugore; mosshqiptimi bën trysni në prirjet për mospasqyrimin e saj në shkrim, veçanërisht në pozicione e fjalë të caktuara.
Shihni në disa bulmetore si i shkruajnë: djath, gjalp, mjalt). Së treti, është e natyrshme që në 22 anëtarë të Këshillit të ketë koncepte të ndryshme për standardizimin gjuhësor ose për kufijtë e standardit, për raportin e ruajtjes së sistemit me afrimin e shkrimit me shqiptimin, madje ka edhe ndjeshmëri të ndryshme gjuhësore. Kjo duket jo vetëm në diskutimet në Këshill, por edhe në mendimet që jepen në media, me një larmi të madhe brenda kufijve të dy skajeve: të mos preket asgjë nga drejtshkrimi i sotëm ose, e kundërta, të ndryshojë thellë ky drejtshkrim. Kjo larmi mendimesh, sa kohë ka argumentim shkencor e mbetet në rrafshin e diskutimit shkencor, më duket e natyrshme. Prandaj edhe përfundimet e mbledhjes së fundit të Këshillit kanë dalë në këtë klimë, si mendime a propozime me mbështetje më të përgjithshme të diskutuesve të pranishëm, jodetyruese për t’u zbatuar menjëherë në fushat e përdorimit të standardit. Në procesin e zbatimit të çfarëdo zgjidhjeje drejtshkrimore nuk mjafton puna e gjuhëtarëve.
Pasi përfundimet e Këshillit të botohen e t’i nënshtrohen një diskutimi të hapur e të gjerë, do të duhet një tjetër organ a organizëm, me fuqi ligjore (të dhënë nga qeveritë a parlamentet), që mund t’i bëjë ato të vlefshme për drejtshkrimin e standardit zyrtar. Dhe kjo nuk është punë javësh a muajsh. A duhet prekur drejtshkrimi i sotëm? Aty ku ndihet e nevojshme po. Është e shprehur edhe në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit. Fundja edhe Kushtetuta nuk është fare ose kurrë e paprekshme. Çështja është a ka vend për ndryshime dhe si ligjërohen ato. Siç duket, ka, sepse disave edhe vetë drejtshkrimi i sotëm ua ka hapur shtegun, ose ndonjë zgjidhje nuk i ka qëndruar kohës, ose ka ndonjë dukuri të pakodifikuar.
Dhe gjuhëtarët nuk munden (e nuk duhet) t’i përvidhen përballjes me këto çështje. Për shembull, nëse në “Rregullat e drejtshkrimit” në fuqi këshillohet të shkruhet shkaktar, tregtar etj., është e mundur atëherë të shkruhet pa ë mbështetëse edhe harktar, lajmtar etj.; nëse shkruhet pa ë fundore të temës fjalëformuese lojtar, rojtar etj. (nga lojë, rojë), mund të shkruhet njësoj edhe gojtar etj. (nga gojë) (natyrisht me përjashtime të tipi luftëtar, naftëtar etj.). Nuk dobësohet sistemi edhe po t’i shkruajmë pa ë fundore disa emra mashkullorë me ë fundore (atë, lumë, djalë, kalë, ballë, gjalpë, djathë, drithë, ujë etj.), edhe me ndonjë përjashtim në fjalëformim. Po ashtu nuk dëmtohet sistemi po të shkruajmë sikundër i anasjelltë edhe i zhdërvjelltë, sikundër i yndyrtë edhe i lyrtë etj. Nga vetë parashtresat (që përgatiten nga grupe specialistësh të fushës) dhe nga diskutimet në Këshill, duken tri lloje dukurish: 1.
Për raste të qarta, që mënjanojnë zgjidhjet dyfishe për njësi fonetike të njëjta, thjeshtojnë rregullat e mënjanojnë a pakësojnë përjashtimet, ka një pajtim thuajse të plotë mendimesh, sepse këto bëjnë përgjithësime më të mëdha në sistemin drejtshkrimor të shqipes standarde. 2. Për raste kur rrethanat fonetike e gjuhësore përgjithësisht janë të ndryshme, ka pasur më shumë diskutime të kundërta; edhe unë nuk pajtohem, fjala vjen, me propozimin që të bjerë ë-ja fundore e temës së përemrit gjithë gjatë formimit të fjalëve, si gjithfuqia, gjithkombëtar, gjithvjetor, sipas rasteve gjithmonë, gjithçka, gjithkund etj.; këtu kemi tipe të ndryshme të formimit të fjalëve: gjithmonë [ < gjithë+motin(ë)] është përngjitje dhe dihet që rënia e tingujve në formime të tilla është dukuri e zakonshme, kurse te gjithëfuqia kemi formim fjalësh me prejardhje, ku bashkohen tema të plota; thuajse e njëjta gjë edhe te formimet me vetë-. 3. Zgjidhje që, sipas meje, as është menduar e as mendohet se do të vihen në diskutim, siç janë përmendur disa shembuj, ndoshta për mosdije, në media, sikur këmba, zëri e bëra do të bëhen kamba, zani e bana, se nënës e babait do të shqiptohen nans e babs etj.! Kush i ka nxjerrë këto zgjidhje drejtshkrimore, le të japë burimin. Diskutimet janë regjistruar të plota në diktofon dhe në procesverbalin e mbledhjes dhe i kanë të dy Akademitë e Shkencave.
Të mbledhjes së marsit janë edhe me figurë (të filmuara). Gjithsesi, më vjen ta marr për të mirë edhe këtë shqetësim. Çdo ndryshim që prek sistemin pa arsye bindëse, sidomos në dukuri kategoriale, nuk sjell dobi, sepse qëllimi i punës së Këshillit, larg çdo fryme krahinoriste a politizuese, nuk është të prishë a të ndryshojë sistemin e tanishëm drejtshkrimor, por ta bëjë atë më të thjeshtë e më të lehtë për t’u përvetësuar, nuk është të lëkundë, të dobësojë a të ndërrojë bazën e standardit të sotëm, por ta forcojë atë duke e çliruar nga kontradiktat, përjashtimet e vështirësitë. Sa për “teorinë” e tri standardeve gjuhësore të shqipes, mendja ime, të paktën, nuk e rrok dot që kjo është e mundur të bëhet brenda një Këshilli, do të duheshin tre këshilla të tillë që të luftonin secili për standardin e vet dhe jo të bashkoheshim në një Këshill. Nuk duam ta lëndojmë, aq më pak ta shkatërrojmë një vlerë kaq të çmueshme e me fuqi bashkuese kombëtare, që lumturisht e kemi arritur tashmë, siç është gjuha jonë e njësuar. Por do të diskutojmë.
Dhe nuk është fjala “të operojmë një organizëm të shëndoshë”, por të kujdesemi për shëndetin e tij, që të jetë gjithnjë mirë, jetësor, i fuqishëm e i qëndrueshëm. Roli i shtetit, i shkollës, i mediave, i shkrimtarëve, i përkthyesve e i të gjitha bashkësive që kanë nevojë për standardin dhe duhet ta përdorin atë, tashmë dihet. Të paktën këtë bindje kam unë dhe kështu i gjykoj unë detyrat e të drejtat e këtij Këshilli. Për këtë qëndroj në Këshill.
*Titulli redaksional. (Titulli origjinal: Rreth veprimtarisë së KNGJSH)