Lumturia dhe qetësia shpirtërore varen nga shumë faktorë. Mes tyre është edhe realizimi personal, dashuria dhe para së gjithash familja. Kjo e fundit nuk mund të konsiderohet e plotë nëse mungojnë fëmijët. Por kur është momenti i duhur që një çift vendos të ketë fëmijë? Kjo është shumë e vështirë për t’u vendosur, por e sigurt është se gjithmonë vjen momenti kur duhet të zgjedhim. Sipas një studimi të ri, do të ishte e përshtatshme të zgjidhje jo vetëm momentin, por edhe numrin e fëmijëve në bazë të moshës së bashkëshortëve. Kjo, sepse nëse është e vërtetë që një çift i formuar nga dy persona mbi 30 vjeç janë më të lumtur nëse kanë më shumë fëmijë, është e vërtetë edhe se çiftet e reja janë krejt e kundërta: për ta ardhja e një fëmijë tjetër në jetë është motiv për t’u stresuar. Të paktën ky është përfundimi i një studimi të bërë nga Universiteti i Pensilvanisë në Amerikë, se si çiftet që kanë një moshë nga 30 deri në 39 vjeç ndihen më të realizuar dhe të lumtur nëse arrijnë të sjellin në jetë fëmijën e katërt.
Nga 40 vjeç e lart çiftet ndihen më të kënaqur, në krahasim me çiftet që nuk kanë fëmijë, nëse kanë sjellë në jetë tre fëmijë. Akoma më mirë prindërit mbi 50, që normalisht janë më të lumtur se bashkëmoshatarët e tyre që nuk janë prindër, edhe pse mund të kenë vetëm një fëmijë. Kërkuesit Mikko Myrskyla dhe Rachel Margolis kanë hedhur kështu poshtë bindjen se fëmijët sjellin gjithmonë dhe kudo lumturinë. E sjellin, është e vërtetë, por në kohën dhe mënyrën e duhur, sipas kërkimit të publikuar në “Population and Development Review”.
“Duke parë shpërndarjen e lumturisë, të pavarur nga mosha, nga seksi, nga të ardhurat, nga statusi i çiftit, por edhe nga përqindja e lindshmërisë, vihet re se kjo mund të shpjegohet vetëm nga pikëpamja e prindërve për jetën”, - shpjegon Myrskyla. Në të vërtetë, duhet marrë edhe parasysh se në fillim lumturia të prishet paksa nga netët pa gjumë, shqetësimet dhe tensionet, dhe nga studimet ka dalë se çiftet shumë të reja në moshë mezi i përballojnë. Personat më të matur, përkundrazi, arrijnë t’i rezistojnë më mirë situatave negative dhe kur fëmijët do të jenë rritur mjaftueshëm ata mund të jenë rreth moshës 45-60, duke garantuar për veten një bazë të mirë ekonomike dhe emocionale. Me pak fjalë, sa më shumë fëmijë, por me zgjuarsi dhe në momentin e duhur. Vetëm kështu mund të garantohet lumturia e fëmijëve, dhe për rrjedhojë edhe ajo e prindërve. Si përfundim, nuk është kurrë vonë për të sjellë në jetë një krijesë të re, që sipas studimeve, të “shijon” më shumë kur nëna dhe babai janë tek të 40-at. Gjithsesi, lumturia është një çështje e brendshme dhe paratë apo “mjete të tjera ndihmëse”, nuk janë ato që në të vërtetë na bëjnë të lumtur, edhe pse ndihmojnë shumë në këtë drejtim.
Lumturia e fëmijëve
Ndoshta shumë pak prej nesh e dinë, por karakteri i fëmijëve përcaktohet para ngjizjes. Një tjetër studim i bërë nga “Research Center Halabe”, në Meksikë, ka dashur të tregojë se i lumtur lind, nuk bëhesh... Jo vetëm që humori i fëmijëve kushtëzohet nga ai i prindërve, por këta të fundit përcaktojnë edhe të ardhmen e tyre optimiste apo jo.
Çifti i lumtur
Në varësi të faktit nëse jemi të lumtur apo jo, trupi ynë prodhon nivele të ndryshme substancash si hormone apo transmetues të tjerë, që influencojnë kështu në mënyrë të ndryshme mbi vezoret dhe spermatozoidet, “protagonistët” kryesorë të fekondimit. Substancat reagojnë drejtpërsëdrejti mbi gjenet përgjegjës për humorin e mirë, që duket se trashëgohet edhe tek fëmijët. Kështu, nëse prindërit kur bëjnë dashuri janë të lumtur, edhe fëmijët lindin kështu, nëse janë depresiv, ka rrezik që edhe fëmijët të lindin në të njëjtën mënyrë. Më përpara besohej se karakteri i prindërve influenconte tek fëmijët gjatë rritjes së tyre, dhe jo në nivelin qelizor që çojnë më pas në formimin embrionit.
Një motiv më tepër për të qenë të lumtur dhe të qetë kur nisim një shtatzëni, pasi që nga momenti i ngjizjes, çdo ndryshim humori ndikon tek fëmijët që sjellim në jetë. Shtatzënia është një moment i veçantë në jetën e çdo gruaje dhe karakterizohet nga një sërë ngjarjesh, të cilat që nga momenti i ngjizjes nisin të ndryshojnë mënyrën e jetesës së nënave të ardhshme. Jo të gjitha reagojnë në të njëjtën mënyrë dhe diferencat varen nga aspekte të ndryshme si: personaliteti i gruas, mënyra se si e përjeton idenë e të qenit nënë, nga lloji i raportit dhe mbështetja morale që merr nga shoku me të cilin jeton etj, sidomos kur je në pritje të fëmijës së parë. Megjithatë, një gjë është e sigurt: të bërit nënë iu realizon si femër.