Nxenesit gjermane punojne per te ndihmuar durrsaket

Nxënësit gjermanë punojnë për të ndihmuar durrsakët
Edhe pse në bluzën e Filip Kinkes (Philipp Kienke) është stampuar një kopshtar që ujit lulet, puna e kopshtarit nuk bën pjesë në ato më të preferuarat. Në fundjavë, kur në shtëpinë e tij pastrohet oborri 18-vjeçari e gjen gjithmonë një arsye për t\'i ikur këtij detyrimi: "Në raste të tilla jam gjithmonë i zënë me diçka tjetër, si për shembull me Shoqatën "Nxënësit ndihmojnë jetën", thotë gjimnazisti nga qyteti gjermanoverior Kil (Kiel) dhe qesh.

E marta e tetë korrikut bën një përjashtim. Atë ditë ai është ngritur shumë herët për të ardhur në orar në Zyrën e Kancelares Gjermane Angela Merkel: Në orën tetë fillon puna: Pastrohen rrugicat e lulishtes së oborrit nga barishtet. "Sepse kështu mund t\'u ndihmojë bashkëmoshatarëve të mi në Ballkan, dhe kjo është një gjë e mirë e prandaj po e bëj," thotë Filip.

Ndihmat e "Ditës Sociale" shkojnë në Durrës

Papunësia në Durrës kap 60%-in

Filip Kinkes merr 10 Euro për orë nga kancelarja gjermane dhe ashtu si ai kanë punuar të martën afro 200 mijë të rinj të tjerë në të gjithë Gjermaninë. Të ardhurat shkojnë në ndihmë të të rinjve në Ballkan, këtë vit projekti kryesor ndihmon të rinjtë nga Durrësi. Ai quhet "Fëmijë dhe të rinj me vështirësi", e që udhëhiqet nga organizata "Gratë në ndihmë të Grave" me drejtuese Gentiana Ramadanin. Afro 100 mijë Euro do t\'i shkojnë projektit në Durrës, por të ardhurat nga "Dita Sociale" pritet të jenë rreth dymilionë euro.

Me pjesën tjetër të të ardhurave financohen projektet e viteve të mëparshme. Shumica e tyre kanë të bëjnë me integrimin e të rinjve pa perspektivë në ish Jugosllavi. Schueler Helfen Leben kan një zyrë të përhershme në Sarajevë prej nga koordinohen të gjitha projektet. Filipi kështu ka pasur mundësi të vizitonte edhe Ballkanin: "Është një rajon që nuk është shumë prezent në mediat e këtushme", thotë ai. "Njerëzit janë të hapur dhe shumë miqësorë, por ndjehen problemet për shkak të ndasive etnike."

Për Shqipërinë, ai ende nuk di shumë, përveç faktit që në Durrës papunësia është mbi 60 për qind. Filipi është i lumtur që me punën e tij do të kontribuojë për zbutjen e këtij problemi. Tradita e "Ditës sociale" ku nxënësit lënë bankat e  shkollave dhe shkojnë të punojnë për një qëllim të mirë ka lindur në vendet skandinave dhe zhvillohet në Gjermani çdo vit që nga viti 1998.

 
Anila Shuka DW
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama