Nderimi me grusht lart i nxënësve të shkollës 9-vjeçare të Përmetit është inskenuar nga një punonjës i Bashkisë. Këtë fakt e pranon vetë kryebashkiaku Gilberto Jaçe, i cili shton se ky punonjës është larguar menjëherë nga puna. Sipas kreut të Bashkisë së Përmetit, ceremonia zyrtare ka vajtur sipas protokollit, ashtu siç organizohet çdo vit nga Bashkia e qytetit. Jaçe shprehet se fëmijët kanë qenë prezentë dhe të thirrur nga Bashkia për të qenë pjesë e dekorit të përkujtimit të të rënëve, ashtu sikurse në çdo rast të ngjashëm. Sipas tij, përgjatë ceremonisë me protokoll shtetëror, nxënësit kanë qëndruar të heshtur pa kryer asnjë lloj veprimi pranë varreve të dëshmorëve, ndërkohë që fotoja me grushtin lart është fokusuar fill pas mbarimit të aktivitetit përkujtimor. Punonjësi i Bashkisë ka dashur të bëjë humor me prezencën e nxënësve, duke iu thënë të çonin grushtin lart, ndërkohë që kaq ka mjaftuar dhe fotoja të qarkullonte në rrjetin social fillimisht të punonjësit të Bashkisë, e më pas të postohej në statuset e tjera të Facebook-ut, një prej të cilave edhe tek statusi i kryebashkiakut përmetar Gilberto Jaçe. Ndërsa sqaroi ngjarjen, kryebashkiaku Jaçe pohoi se për këtë akt, ky punonjës i Bashkisë është larguar tashmë nga detyra.