Por, ky shfrytëzim i të miturve nga 35-vjeçarja Kruja, e detyroi gjyqtarin Ardian Kalia të vendosë ndarjen për 12 muaj të fëmijëve nga nëna, duke urdhëruar këtë të fundit që edhe të mos u afrohet gjatë kësaj kohe. Sipas vendimit me nr. 2260, të firmosur nga gjyqtari Kalia, ishte organizata jo fitimprurëse e ndihmuar nga Drejtoria e Policisë në Tiranë, ajo që vuri në lëvizje Gjykatën e Shkallës së Parë. “Fëmijët e mitur janë kontaktuar në rrugë nga përfaqësuesit e organizatës dhe pasi këta të fundit kanë konstatuar se ata detyroheshin për të lypur, i janë drejtuar për ndihmë Policisë së Shtetit. Këta të fundit kanë ngarkuar dy agjentë të policisë, të cilët së bashku me përfaqësuesit e organizatës, kanë ndjekur çështjen deri në Gjykatë”-thuhet në vendim. Sipas tyre, agjentët e policisë kanë marrë pretendimet e përfaqësuesve të organizatës dhe dëshmitë e fëmijëve të mitur të komunitetit romë, në prani të psikologes dhe punonjësit social.
Pasi kanë administruar në dosje këto dëshmi, policia i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal ndaj 35-vjeçares Kruja, në mungesë. Përveç kallëzimit, efektivët e policisë në bashkëpunim me organizatën i janë drejtuar Gjykatës me kërkesën për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për tre fëmijët e mitur. Togat e zeza, pas shqyrtimit të kërkesës në tre seanca gjyqësore, ku në asnjë rast nuk është paraqitur Mimoza Kruja, ka vendosur që për 12 muaj të miturit të strehohen në një qendër të përkujdesjes sociale me seli në Elbasan. Gjithashtu, gjyqtari Kalia, urdhëroi që nëna e tre fëmijëve të mitur të urdhërohet të mos i kontaktojë, kërcënojë, ngacmojë apo edhe t’i afrohet qendrës ku janë strehuar të miturit. “E paditura Mimoza Kruja, me veprime e saj ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj fëmijëve të mitur R.S.; E.S. dhe I.S., duke i shtrënguar ata që të lypnin në rrugët e Tiranës.
Pala paditëse, organizata dhe policia, pretenduan se veprimet e dhunshme të 35-vjeçares Kruja konsistojnë në shfrytëzimin e të miturve, duke cenuar rëndë integritetin fizik të këtyre të fundit”-thuhet në vendimin e argumentuar nga gjyqtari Kalia, që vendosi lëshimin e urdhrit mbrojtës dhe marrjen e masave respektive të strehimit të tyre. Veprimet e 35-vjeçares Kruja, sipas vendimit të Gjykatës, përbëjnë një fenomen negativ për realitetin e shoqërisë shqiptare, ndaj marrja e masave të menjëhershme në drejtim të parandalimit të fenomenit të shfrytëzimit të të miturve është një domosdoshmëri. Nga ana tjetër, që nga vitit 2009 një grup organizatash të shoqërisë civile dhe aktivistë në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, kanë përsëritur kërkesën që neni 124, pika b e Kodit Penal të ndryshohej në atë mënyrë që fjala “detyrimi i fëmijëve” të hiqet dhe në vend të saj të bëhet “shfrytëzim i fëmijëve”. Por, kjo kërkesë ende mbetet në sirtarët e ligjvënësve shqiptar.