OBSH alarm per ndotjen ne Tirane 500 persona vdesin ne vit

OBSH alarm per ndotjen ne Tirane, 500 persona vdesin ne vit
Brenda vitit në Tiranë vdesin 500 qytetarë. Dhe e gjithë kjo vetëm për shkak të ndotjes së kryeqytetit, e cila është kthyer në armikun kryesor të jetës së kryeqytetasve. Pikërisht këtë fakt, si dhe shifrat e frikshme vërtetohen nga raporti i nxjerrë ditën e djeshme nga OBSH-ja, ku Tirana shfaqet si një qytet ku pluhuri është ulur këmbëkryq. Kryeqendra e shqiptarëve është cilësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si një nga vendet më të ndotura, në Evropë, sepse ndotja e ajrit është 3-4 herë më e lartë se normat e BE-së. "Tirana bën pjesë në qytetet më të ndotura në Evropë.

Ka 500 vdekje në vit për shkak të ndotjes. Situata është emergjente dhe duhen marrë masa konkrete”, ka theksuar eksperti i OBSH-së Mital Trzyzanaëski. Pasi janë bërë matjet në çdo cep të qytetit, OBSH-ja kërkon nga pushteti lokal dhe ai qendror për të marrë masat për të shpëtuar nga një katastrofë ekologjike, të cilën jemi të detyruar ta jetojmë çdo ditë.

Zonat më të ndotura të Tiranës

Por, nga raporti i OBSH-së, është bërë i ditur fakti se zona më e ndotur e Tiranës është kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, e cila është edhe pika më e ndotur e gjithë vendit. Sipas analizave të kësaj organizate, në bashkëpunim edhe me Institutin e Shëndetit Publik, në këtë zonë, normat evropiane kalohen deri dhe me 10 herë. Nga studimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik rezultoi se jo vetëm qendra e kryeqytetit shqiptar është e ndotur 4 herë më shumë se normat më të larta të Bashkimit Evropian, por edhe periferia e kryeqytetit I ka tejkaluar normat e lejuara evropiane. Sipas këtij studimi, periferia është e ndotur 2 herë më shumë se norma e lejuar. Sipas OBSH-së, Tirana konsiderohet si një zonë me rrezik të lartë shëndetësor. Nga raporti i kësaj organizate, bëhet e ditur se në Tiranë, ka edhe një shtim të sëmundjeve dhe vdekjeve nga zemra dhe mushkëritë.

Studiuesit besojnë se jeta e banorëve të Tiranës shkurtohet dy vjet vetëm prej ndotjes, dhe çdo vit shtohen mbi 1 mijë e 400 pacientë me kancer më shumë. Po sipas këtij studimi, mbi 80 për qind e automjeteve kanë motor diezel që nxjerrin squfur. Kjo ndotje ndikon më tepër tek të moshuarit, dhe fëmijët e vegjël. Përveç zonës së “21 Dhjetorit”, Tirana ka edhe zona të tjera, në të cilat evidentohet një ndotje e madhe. Kështu, sipas OBSH-së, zonat me ndotjen më të lartë janë qendra, Rruga e Elbasanit dhe Zogu i Zi. Por, përveç ndotjes që shkaktohet prej makinave, një pjesë të madhe të ndotjes së ajrit të kryeqytetit të Shqipërisë e shkakton edhe pluhuri i rrugës, që shkaktohet nga ndërtimet që bëhen pa asnjë kriter. Dhe nëse këtu do shtojmë faktin se Tirana është kthyer në një kantier ndërtimi, merret me mend se cili është dëmi që pësojnë qytetarët e kryeqytetit. Një tjetër tregues që ndikon tek cilësia e ajrit që thithin qytetarët, është edhe mosmbledhja në kohë e mbeturinave urbane, e cila është një kompetencë e bashkisë, e cila e ka lënë pak pas dore kryeqytetin. Por, nëse këtij fakti i shtojmë edhe djegien e këtyre mbeturinave, në disa zona të Tiranës, atëherë vërtet mund të themi që shëndeti i banorëve të kryeqytetit është i rrezikuar. Madje, gjatë dekadës së fundit, treguesit e ndotjes nuk kanë asnjë përmirësim, përkundrazi, çdo vit shifrat përkeqësohen më tej.

Shifrat tronditëse të ndotjes së ajrit në Tiranë

Në Tiranë, ndotja e ajrit, 3-4 herë më e lartë se BE
Zona “21 Dhjetori”, ndotja e ajrit, 10 herë më e lartë se normat evropiane
Periferia e Tiranës, 2 herë më e lartë se normat e BE
500 vdekje në vit nga ndotja e ajrit në Tiranë
1400 pacientë shtohen brenda vitit nga ndotja e Tiranës

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama