Oazet fiskale ja ku strehohen parate atyre qe shkelin ligjet ne Evrope

Oazet fiskale, ja ku strehohen parate atyre qe shkelin ligjet ne Evrope
Sipas këndvështrimit të Tax Justice Network fajtore nuk janë oazet fiskale në ishuj të largët me plazhe me palma që shërbejnë si strehë për ata që duan t'i shpëtojnë pagimit të taksave.

Si oaz fiskal konsiderohet edhe një vend që "me qëllim që të tërheqë bizneset ofron dhe vë në dispozicion një infrastrukturë të qëndrueshme politike për t'u ndihmuar individëve dhe kompanive në këtë mënyrë që t'u shmangen ligjeve dhe rregullave të autoriteteve të vendeve të tjera". Dhe sipas këtij përkufizimi në Evropë ka disa shtigje që duhen mbyllur. Ja lista e parajsave fiskale evropiane:

Andorra

Andorra nuk bën pjesë në Bashkimin Evropian dhe shërben si vend ku fshehin paratë francezët dhe spanjollët. Në Andorrë nuk ka taksa për të ardhurat, për trashëgimi ose fitimet nga kapitali. Për shkak të afërsisë gjeografike francezët dhe spanjollët mund të depozitojnë aty edhe para në dorë.

Gjermania


Edhe Gjermania është neglizhente në lidhje me transparencën e të dhënave për investitorët e huaj. Përveç kësaj, investitorët e huaj duhet të paguajnë taksa për përqindjet e interesit. Kështu për shembull, nëse një afrikanojugor i sjell paratë në Gjermani dhe i investon në bono qeveritare, atëherë nuk paguan taksë mbi interesin nga bonot.

Anglia

Londra është nëna e të gjitha parajsave fiskale, sepse ajo ka krijuar në të gjitha territoret e pavarura nga Kurora mbretërore një rrjet, i cili sjell mbrapsht shuma të mëdha parash në Londër. Nga Londra kapitali shkon fillimisht në ishuj të tillë si  Guernsey, Jersey apo Isle of Man. Nga atje në ishuj të ndryshëm në Karaibe apo në Gjiblartar për t'u kthyer sërish në Angli.

Gjibraltari

Këtu mund të themelohen shumë lehtë truste. Trustet në strukturën e tyre ligjore nuk kanë pronarë klasikë dhe shërbejnë për pastrimin e parave. Për shkak të ligjeve liberale dhe taksave mjaft të ulëta në Gjibraltar kanë selitë e tyre shumë sipërmarrje lojërash fati.

Irlanda

Google, Apple apo Amazon: Kompanitë ndërkombëtare duan të paguajnë sa më pak taksa  dhe për këtë arsye kërkojnë në Evropë vendin më të favorshëm për të vendosur selitë e tyre. Me ligjet e saj për taksat dhe normën e ulët të taksave për sipërmarrjet Irlanda është një vend i preferuar për firmat ndërkombëtare. Për shembull shkalla e tatimit të sipërmarrjes në Irlandë është 12,5 për qind në SHBA 35 për qind.

Oaze të tjera fiskale

Interesante për sipërmarrjet industriale për shkak të taksave të ultë është edhe Holanda. Kurse Luksemburgu është interesant për firmat që merren me tregtinë e fondeve dhe dhënien e kredive.

Si oaze fiskale konsiderohen edhe Malta apo Qiproja. Monako është mjaft e preferuar për milionerët, sepse atyre nuk u duhet të tatojnë të ardhurat apo trashëgiminë. Kurse për shkak të sekretit bankar interesante për  të depozituar paratë janë Zvicra dhe Austria. Pikërisht për shkak të mungesës së transparencës Austria ishte për dekada të tëra mjaft  tërheqëse për diktatorët arabë që depozitonin aty paratë e tyre.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama